“Illyrian Guard”, shoqëria shtetërore e Policisë, e krijuar në prill të këtij viti pritet të jetë struktura që do të marrë në ruajtje ambientet e prokurorisë së posaçme SPAK dhe GjKKO.
Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga konstutimi i dy institucioneve të reja që do të hetojnë e gjykojnë korrupsionin në nivele të larta, perimetri i jashtëm i godinës së ndërtuar në 2004 nuk do ruhet më nga Policia private.
Marrja në dorëzim nga Policia e ndërtesës, që do të jetë shtëpia ku do hetohen zyrtarët e lartë nuk do ndodhë vetëm për perimetrin e jashtëm, por edhe kontrolli i brendshëm do kryhet nga një strukturë tjetër e Policisë, që do largojë policët e burgjeve.
Këtyre të fundit do t’ju mbetet si kompetencë vetëm shoqërimi i të arrestuarve.
Nga ana tjetër Garda e Republikës ka përzgjedhur 27 oficerët më të mirë që do të marrin në ruajtje drejtuesin e ardhshëm të SPAK, kryegjyqtarin e gjykatës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të shkallës së dytë dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Por ndërsa në 19 dhjetor do të ndodhë emërimi i gjyqtarëve të posaçëm dhe betimi i prokurorëve të SPAK, pritet që edhe administrata aktuale e dy institucioneve që do dalin jashtë loje të japë pëlqimin për kontrollin e privatësisë.
Edhe ata do kontrollohen nga një komision i posaçëm, pra edhe ndaj tyre do ketë Vetting.
Në garë për të marrë drejtimin e SPAK janë prokurorët Edvin Kondili, Arben Kraja dhe Altin Dumani, të cilët gjatë kësaj jave do të intervistohen nga KLP.
j.l./ dita
