E nderuar Zonja Presidente!
Përgjigjen e letrës së hapur e prisnim nëpërmjet një reflektimi që Ju do të bënit në lidhje me vendimin antiligjor që keni marrë ndaj nesh, duke e shfuqizuar atë dhe duke na kërkuar falje për shqetësimet që na keni krijuar me papërgjegjshmërinë individuale apo kolegjiale të imponuar.
Pasi ju referuam radhëve të shkruara në gazetën “Dita” nga Ju Zonja Presidente si përgjigje ndaj letrës sonë, menduam të sqarojmë dhe njëherë opinionin publik, por edhe autoriteteve e kolegëve që ju kemi drejtuar letrën e hapur, se:
Së pari, citimi juaj, se ndryshimet në statut Ju i paskeni bërë për të mbrojtur ushtrimin e profesionit është absurditet. Pra, sipas jush, ushtrimi i profesionit të farmacistit rrezikohet nga farmacistët, për pasojë dhe nga Ju që jeni në krye të tyre, mosvallë kemi të bëjmë me një paranojë tuajën, që armikun e shikoni te çdo farmacist. Ne mendojmë se profesionin tonë në radhë të parë duhet ta mbrojmë nga jo farmacistët.
Së dyti, Ju thoni se “Vendimi i ndryshimeve statutuore, ndryshe nga ç’akuzohet, është për të mbrojtur shërbimin”. Atëherë me të drejtë na lind pyetja. Po, nga kush ta ruajmë shërbimin? Nga farmacistët! Pra, ata të mos jenë pjesë e shërbimit, që ata të mos e ushtrojnë profesionin. Ju në vend që ti mbroni farmacistët nga veprimet arbitrare, për ta ushtruar profesionin sipas përcaktimeve në ligj, ndërmerrni vetë veprime të tilla. Koncepti i fjalës shërbim për ju është shumë i ngushtë. Farmacisti është pjesë e shërbimit farmaceutik , madje dhe hallka kryesore e tij. Fjala shërbim, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi është shumë më e gjerë se sa e konceptoni Ju. Për ruajtjen dhe zhvillimin e tij kanë detyrime ligjore dhe institucione të tjera, Ministria e Shëndetësisë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Materialeve Mjekësore, Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor etj. Lexojeni legjislacionin farmaceutik në fuqi dhe nëse do ta kuptoni do të kthjelloheni dhe përsëri do na kërkoni falje.
Së treti, Ju thoni se: “ Në çdo sistem figura e farmacistit ka qenë e depolitizuar”. Pikërisht këtë kemi shprehuer edhe ne në letrën e hapur. Po ju themi me bindje se vërtet ajo ka qenë e depolitizuar dhe e pa diskriminuar nga Urdhri, por me ardhjen tuaj ka filluar politizimi dhe diskriminimi. Pikërisht kjo që bëni ju është politizim dhe diskriminim profesional, sepse për herë të parë një kategorie caktuar profesionistësh, vetëm në mendjen tuaj dhe nga Ju, jo në ligj, i privohet nga e drejta e ushtrimit të profesionit si drejtues teknik, sepse kontributin më të madh e paskemi dhënë në sistemin komunist. Ju ndryshe thoni me fjale dhe ndryshe veproni pasi i kemi kthyer krahët njëri tjetrit. Po ju kujtojmë lavdërimet ndaj nesh në seancën gjyqësore.
Së katërti, Shprehja juaj se: “Zhvillimi vjen duke sjellë të reja mbi bazat ekzistuese dhe jo duke qëndruar veç tek ekzistueset”. Zonja Presidente. Ndajmë koncepte të ndryshme për zhvillimin. Ne zhvillimin e shohim si proces të vazhdueshëm dhe me dimension të gjerë. Keqardhje për ngushtësinë e konceptimit tuaj mediokër, të cilin kërkoni ta shisni si modern, duke spekuluar me eksperienca të vendeve ku aspirohet të shkohet. Absolutisht është gënjeshtër, sepse nuk ka asnje eksperiencë të tillë. Nëse do ta mësoni këtë gjë, ndonjëherë, do na kërkoni përsëri të falur.
Së pesti: Përsa i përket “kolegjialitetit” që ju shprehni është përsëri një gënjeshtër e përsëritur, sepse është vetëm iniciativa Juaj e shkruar në letrën e 20 Dhjetorit 2014 për Ministrinë e Shëndetësisë. Ministria këtë e quajti një lajthitje nga padija dhe nuk denjoi të kthente përgjigje, por ju nuk e kuptuat asnjëherë dhe pas 6 muajsh bëtë atë që nuk mendohej ndaj nesh. Gjithashtu duam t’ju kujtojmë se nën maskën e kolegjialitetit, i cili ka qenë i cunguar, nuk mund të përjashtohet përgjegjësia individuale. Prandaj është e rëndësishme që në një vendimmarrje për të përcaktuar përgjegjësinë individuale kanë rëndësi pjesëmarrja në vendimmarrje dhe vota pro ose kundër.
Së gjashti, Se sa e njohim fushën farmaceutike ne, që kemi shkruar dhe po shkruajmë përsëri, po e lemë në dorë të kolegëve tanë, ata le ta vlerësojë kontributin e gjithsecilit, ne e kemi dhënë mbi bazën e njohurive, personalitetit, dinjitetit dhe profesionalizmit. Ndryshe nga Ju, që kuptohet lehtë, vetëm nëpërmjet kësaj përgjigje të letrës sonë të hapur, se ku qëndroni. Ju mendoni se me këtë përgjigje kini thënë shumë, por çdo kush që e ka lexuar është shprehur së ju fatkeqësisht nuk kini thënë asgjë.
Së shtati, në lidhje me ne letërshkruesit ju thoni: “Letërshkruesit ose i ngarkuari prej tyre e ka hartuar letrën duke mos referuar fakte reale, por vetëm duke pasqyruar ngarkesa personale-emocionale karshi presidentit të UFSH-së”. Po. Ne, jemi ata që të kemi ardhur në zyrë dhe të kemi numëruar të gjitha faktet e shkruara në letër.
Këto të vërteta i kemi ballafaquar dhe në gjyq dhe ti e ke pranuar dhe na ke thënë se ke një barrë respekt për ne dhe kontributin tonë. Ajo që ndryshon mes nesh dhe teje lidhet me faktin se, Ju manipuloni mbi fakte, improvizoni skenarë që duken të besueshme vetëm për mendjen tuaj, intrigoni mbi besimin e të tjerëve dhe raportin me të vërtetën e kini mjetin për të justifikuar gënjeshtrën. Përsa i përket të ngarkuarit nga ne. Ke shumë të drejtë, sepse nuk ke kurajo të shohësh emrat tanë, që i kemi shkruar qartë në letër. Po ta përsërisim edhe njëherë, Ne jemi letërshkruesit, por njëkohësisht dhe të ngarkuarit për të shkruar, sipas teje, emocionalisht, sigurisht padrejtësisht, prej vendimit tuaj.
Ne mund të kemi thënë edhe ndonjë fjalë më tepër, por kurrë më shumë se sa vendimi Juaj diskriminues dhe poshtërues. Përsa i përket se çfarë përfaqëson njëri apo tjetri, le ta gjykojnë kolegët tanë që ne na njohin prej kohësh, por tani po ju njohin dhe Ju se kush jeni. Ju keni shkruar dhe ujëra të tjera pa vlerë, por nuk arritëm të kuptonin se cilën të vërtetë nga letra na hidhni poshtë me këtë përgjigje, e cila vetëm e tillë nuk mund të quhet.
Prandaj kemi të drejtë ti referohemi shprehjes popullore që thotë: “ Përgjigje e vonuar në mot të shtrënguar”
Nga: Andrea Mato, Afrim Tabaku, Dragush Kurti, Përparim Hoxha, Sadik Berisha
Shkrimin ndaj te cilit reagojne farmacistet e gjeni KETU
