Edi Rama u kthye shëndosh e mirë në atdhe. Të nesërmen, në Prishtinë po përgatiteshin dokumentet për shenjtërimin e tij. Kjo nuk flet shumë për Ramën, sa flet për shqiptarët. Një civilizim në tentativë. Për fatin tonë të mirë shpëtuam edhe njëherë prej ekzaltimit.
Mirëpo, siç thotë populli, ‘një kerr fjalë, dy pare borxh nuk i lajnë’. Tashmë u hoq mjegulla e shkaktuar nga vizita e Ramës në Beograd, edhe ajo me dronin. Ja ku jemi. Punët llugë. Tërkuzë. Po ikën edhe muaji i pestë prej kur janë mbajtur zgjedhjet, por askund nuk po shihet ndonjë shpresë për ta zhbllokuar situatën. Përkundrazi, irracionaliteti i 5 burrave (Thaçi, Mustafa, Kurti, Haradinaj dhe Limaj) kurrë nuk ka qenë më i madh. E në anën tjetër, ne e kemi pasur një proces zgjedhor, prej të cilit kanë dalë përqindjet e secilit prej tyre. E kemi Kurtin, i cili është në gjendje që ta përmbysë çdo gjë në këtë vend, shih habinë!, vetëm që zgjidhja në fund të jetë anarkiste. Pra, Kurti dhe VV’ja, janë më të kënaqur që ta marrin pushtetin me dhunë, se sa pa dhunë. Dhe krejt në fund, duke qenë më i vogli i kësaj pesëshe, Limaj, gjatë kësaj kohe është treguar më racionali, por për fatin e tij të keq, edhe më tutje në kurrizin e tij rëndojnë aktakuza të patolerueshme.
Deri dje e kemi ditur se në vendin tonë janë dy blloqe, Blloku dhe VV, në njërën anë, kundër PDK’së në anën tjetër. Kurse tash, së paku deri në këtë moment kur po flasim, i kemi tri blloqe. Dy blloqe brenda Bllokut (AAK dhe LDK) dhe një bllok jashtë Bllokut (PDK). Secili bllok udhëhiqet prej një maniaku obsesiv. Secili është më i sigurt se tjetri, se ai është personi i duhur për Kryeministër. Dhe skena po bëhet edhe më groteske, tek sheh shkrime të porositura nëpër portale, sa prej njërit bllok, sa prej tjetrit. Për shembull, dje shkruhej në një portal, se AAK kishte filluar negociatat me PDK’në për t’u bërë Haradinaj Kryeministër, sipas kësaj skeme.
Ky ishte shkrim i porositur nga AAK për ta frikësuar, gjoja, LDK’në. Dhe, kur sheh një diçka të tillë, atëherë nuk do të vonojë situata kur sheh kundërpërgjigjën: Arrihet marrëveshje Thaçi-Mustafa. Tash kjo është e porositur prej formacioneve tjera, për ta mbështetur me shpatulla për muri Haradinajn. Ndërsa në debate televizive, për çdo natë i shohim burrat e Bllokut, tash, jo më në luftë me PDK’në, por me njëri tjetrin. Përfaqësuesit e LDK’së dhe AAK’së ia tregojnë njëri tjetrit, përse kandidati i tyre është më i duhur sesa i tyri për t’u bërë Kryeministër.
Sipas përfaqësuesve të AAK’së, Haradinaj ka prirje, ka talent, është i lindur për të qenë Kryeministër. Ka diçka biblike në justifikimet e apostujve të Ramush Haradinajt. Kurse, këta të LDK’së, pak a shumë sillen në frekuenca të njëjta që prej vitit 1989. Sipas tyre LDK e meriton postin e Kryeministrit, sepse është parti institucionale. E shpall veten të paditurin e botës, idiotin më të madh, që kurrë nuk arrita ta kuptojë drejtë ketë frazë: LDK është parti institucionaliste. Përse qenka institucionaliste? Sepse deri më sot nuk po respektonin as Gjykatën Kushtetuese, e as Presidencën? Apo për çfarë? Sepse njerëzit më eminentë të saj janë nëpër institucione që prej kohës së Aleksandër Rankoviçit.
Nga Express

Bravo Z.Buzhala Nje thumb up again.
Ambasadorja amerikane ju tha ” e keni dhi” une po ju them me modesti pa qene ambasador i ndonje vendi qe ka aftesite te japi shpulla po vazhdoni ta dhini.