Pesë ministra të tjerë kanë dorëzuar sot mandatin e deputetit. Ashtu siç ishte premtuar para dhe pas zgjedhjeve. Lënia e mandatit të ligjvënësit bëhet me qëllim ndarjen e postit të deputetit nga ai i ministrit, për t’iu përkushtuar plotësisht këtij të dytit.
Ministrat që kanë dorëzuar mandatin sot janë: ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri; ai i Shëndetësisë, Ilir Beqja; ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla; ajo e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Pak javë më parë, shtatë ministra lanë mandatin, duke i hapur rrugë procedurave të KQZ për zëvendësimin e tyre nga kandidatë të listës.
Pritet që e njëjta procedurë të kryhet brenda pak ditësh edhe për pesë ministrat që duke nisur nga dita e sotme nuk janë më deputetë.
