Pesë minutat që të ndryshojnë jetën

anazapta

Në momentin që thoni se nuk mund të gjeni as një minutë të lirë, atëherë vërtet ka ardhur koha të ndryshoni mendimin mbi këtë gjë

 

Zbulimet e vazhdueshme në fushën e shkencës dhe teknologjisë kanë bërë që jeta të lëvizë me ritme gjithnjë e më të shpejta. Zhvillime ka pësuar çdo fushë ku është përfshirë njeriu, duke sjellë rritjen e numrit të aktiviteteve, mungesën e kohës së lirë dhe, si rrjedhim, shtimin e stresit në jetën e gjithsecilit.

 

Ndërmjet angazhimeve familjare, profesionale dhe aktiviteteve të tjera të gjithë mundohen të gjejnë kompromise të përkohshme, të cilat shpesh rezultojnë pak të dobishme. Për këtë arsye është e rëndësishme gjetja e mënyrave të thjeshta për të zbutur shenjat e stresit që e bëjnë të vështirë jetën tonë.

 

Praktikuesit e meditimit thonë se meditimi është një zgjidhje afatgjatë në këtë drejtim. Si ushtrim i fokusimit të mendjes mbi një pikë të vetme, e cila mund të jetë objekt, imazh apo mendim, meditimi qetëson sistemin e brendshëm nervor, ul ritmin e zemrës dhe zvogëlon presionin e gjakut deri në 20%. Gjatë tij mendja duhet fokusuar në mendime pozitive, në mënyrë që të gjejë qëndrimet e duhura.

 

Karen Mazen Miller, eksperte e meditimit, thotë se “minimalisht pesë minuta meditim në ditë janë esenciale në manovrimin e stresit që është kthyer në rutinë për pjesën më të madhe të njerëzve”. Miller, e cila është njëkohësisht nënë dhe instruktore budizmi, shton se “duke i kushtuar vëmendje jetës, ashtu siç është në këtë moment, njerëzit mësojnë se si të kontrollojnë stresin ditë pas dite. Meditimi ndryshon botën brenda jush”.

 

Dihet se sa e vështirë mund të jetë për prindërit që të gjejnë pak kohë për veten. Por, nëse mendoni se nuk keni në dispozicion as edhe një minutë të lirë, atëherë keni nevojë të ndryshoni mendimin që keni mbi kohën. Kurrë nuk do të gjeni kohë për veten po të mendoni se çdo çast i ditës është i programuar për një funksion të caktuar.

 

Ja disa mënyra të thjeshta për të gjetur qetësi në një ditë të ngarkuar:

Pesë minuta: Edhe pse mund të jeni të superngarkuar me aktivitete, filloni mësojeni veten me pesë minuta qetësi në ditë. Nëse nuk gjeni dot as edhe pesë minuta, niseni me më pak, edhe 60 sekonda do të hynin në punë si për fillim.

 

Uluni dhe meditoni: Krijoni një vend tuajin ku të tërhiqeni sa herë ndjeni nevojën për t’u qetësuar. Kështu, nëse jeni të stresuar deri në atë pikë sa nuk mbani më, shkoni në dhomën tuaj dhe uluni në karrige, më pas përqendrojeni të gjithë vëmendjen në frymëmarrjen tuaj. Ndjejeni atë kur futet dhe del nga mushkëritë tuaja. Mjeti më i fuqishëm që disponon njeriu, është aftësia e përqendrimit. Nuk keni pse të bllokoni zhurmat e jashtme, mësohuni të mos reagoni, sepse meditimi në vetvete është forma më e thellë e përqendrimit.

 

Ecni: Shëtitja është një mënyrë e shkëlqyer e të ushtruarit fizik, por gjithashtu edhe një formulë thelbësore e meditimit. Fokusoni vëmendjen mbi hapat që hidhni dhe ambientin përreth, pas pak do të ndiheni më të lehtësuar.

 

Këndoni: Akordojini emocionet negative duke i shndërruar në pozitive. Këndoni me zë të lartë dhe në atë moment në mendjen tuaj nuk do të vërshojnë mendimet kritike, sepse do të jeni të fokusuar te fjalët e këngës. Është provuar tashmë se muzika është qetësuese për mendjen, por edhe një mjet shumë i mirë për të ulur nivelin e stresit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *