Peshkatari italian Ivano Palermo 51 vjeç i arrestuar dy ditë më parë nga Financa Italiane me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Italisë ka rrëfyer përballë autoriteteve të drejtësisë italiane versionin e tij të fakteve.
I asistuar nga avokatët e tij, italiani Ivano Palermo rrëfen se është paguar 5 mijë euro nga trafikantët shqiptarë për të marrë ngarkesën e drogës e për ta transportuar në Itali.
Me shqiptarët është takuar në mes të detit nga ku ka marrë në dorëzim 119 kg marijuanë, 5 mijë euro e një telefon celular.
Sipas udhëzimeve të trafikantëve shqiptarë, telefonin celular italiani do ta vinte në funksionim pasi të zbriste në brigjet italiane, nga ku më pas do të merrte udhëzime për dorëzimin e ngarkesës së drogës.
Italiani Ivano Palermo u arrestua në ujërat e qytezës së San Kataldos nga grupi operativ i Financës italiane të qytetit të Lecces e Otrantos.
Në barkën e tij të peshkimit 6 metra të gjatë u gjetën të fshehura nën dysheme 119 kg marijaunë e konfeksionuar në 34 pako të mëdha të mbyllura hermetikisht.
Grupi operativ aero-detar i Financës italiane ka identifikuar barkën e peshkatarit italian që po lundronte larg ujërave territoriale e përtej kanalit të Otrantos, e menjëherë janë vënë në ndjekje të tij.
Pas ndalimit rreth 3 km larg brigjeve të San Kataldos në provincën e Leçes, era e fortë e marijuanës që nuhatej në bordin e barkës ka shtyrë policinë italiane të nisë një kontroll të imtësishëm të mjetit lundrues në një vend të krijuar enkas nën dyshemenë e barkës janë gjetur të fshehura rreth 119 kg marijuanë.
