Sektori i Peshkimit në Shqipëri ndodhet në një situatë të vështirë. Pjesa më e madhe e anijeve të peshkimit shqiptar kanë një moshë nga 25 vjeçare deri 40 vjeçare, por nuk mungojnë edhe anijet mbi 60 vjeçare. Gjithashtu një numër relativisht i madh i anijeve të peshkimit nuk janë në gjendje pune, për arsye të nevojës së riparimeve dhe pjesëve të këmbimit. Portet e peshkimit janë të bllokuar nga anijet e vjetra, jo në gjendje pune të cilat qëndrojnë të ankoruara prej vitesh dhe që nuk kanë bërë asnjë dalje për peshkim në vitet e fundit. Anijet me një shkallë gatishmërie shumë të ulët nuk kanë kushtet më minimale të riparimit të tyre. Mungesa e shkallëve të riparimit të anijeve të peshkimit çon që shumë prej tyre, të paafta të shkojnë në portet e shteteve fqinje, të kryejnë riparimet në portet e peshkimit, të bllokojnë infrastrukturën portuale të peshkimit për riparime që zgjasin me muaj të tërë dhe që krijojnë një ndotje të papranueshme në këto porte si dhe ulje të kapaciteteve ankoruese të tyre.
Skema e furnizimit me naftë pa akcizë nuk funksionon dhe anijet e mëdha të peshkimit furnizohen në portet fqinje, italiane dhe greke. Naftës së peshkimit i është shtuar edhe taksa e qarkullimit në masën e 7 lekë për litër dhe taksa e karbonit është rritur në 3 lekë për litër duke e rritur çmimin me 12 lekë në total (10 + 20% TVSH). Kjo taksë e justifikuar me heqjen e doganës për automjetet zbatohet në mënyrë absurde edhe për anijet e peshkimit.
E vështirë është situata në liqenet natyrore dhe në bregdet. Peshkimi i paligjshëm në numër dhe me mjete të ndaluara po shkatërron resurset peshkore. Gjuetia me dinamit në bregdet është i përhapur kudo që nga grykëderdhja e Bunës, në të gjithë vijën bregdetare, në Karaburun dhe bregdetin e jugut deri në Sarandë. Me dinamit gjuhet çdo lum ne Shqipëri. Në liqenin e Shkodrës peshkohet me gjeneratorë në një numër prej 60-70 të tillë në një natë dhe me pëlqimin dhe mbrojtjen e strukturave shtetërore të cilat janë të ngarkuara për ta luftuar atë. Në këtë liqen ka një numër të madh të peshkatarëve pa licencë. Në liqenin e Ohrit peshkohet i gjithë korani i vogël i cili hidhet për ripopullim me rrjetat e stërfit, në laguna dhe ligatinat bregdetare ka nje numër shumë të madh peshkatarësh pa licencë si dhe që peshkojnë me helme apo substanca të ngjashme me to.
Prodhimi i përgjithshëm peshkor aktualisht është sa 75% e prodhimit të fundviteve 80. Ky sektor vazhdon të mbetet në një tranzicion të thellë dhe akoma nuk është kthyer në një treg të vërtetë. Sektori vuan nga mungesa e transaksioneve reale tregtare dhe të konkurrencës, vështirësive të daljes në treg, kapaciteteve magazinuese dhe përpunuese, karakterizohet nga një nivel i ulë i të ardhurave dhe varfëri dhe një nivel të ulët shkollimi (nga 70-83% me shkollë deri tetë-vjeçare). Për peshkimin në Shqipëri mund të thuhet se vlen shprehja klasike e socio-ekonomistit francez Christophe Béné: “Ata janë peshkatarë se janë të varfër dhe ata janë të varfër se janë peshkatarë, janë në fakt dy faqet e së njëjtës monedhë”.
Peshkimi shqiptar është më i pazhvilluari nga të gjitha vendet e rajonit, i krahasuar jo vetëm me Italinë dhe Greqinë si vende të BE, por edhe me Kroacinë që është pranë anëtarësimit në të.
Për të shprehur problematikën institucionale citojmë Albania 2011 Progress Report te KE. Ky Raport thekson se sektori është i fragmentuar për sa i përket komunikimit dhe përgjegjësive. Menaxhimi dhe inspektimi ndodhen në dy departamente të veçanta në MMPAU, ndërsa sëmundjet e peshqve dhe mbrojtja e konsumatorit në MBUMK. Ndarja e inspektoratit të peshkimit nga drejtoria menaxhuese ka krijuar probleme komunikimi midis strukturave sikurse dhe mos plotësimin e detyrimeve që legjislacioni aktual i ka caktuar inspektoratit të peshkimit. Kjo mungesë komunikimi midis Drejtorisë së Peshkimit dhe Inspektoratit të Peshkimit ritheksohet edhe në Albania 2012 Progress Report te KE: “Ndryshimet në bazën ligjore nevojiten të shoqërohen me riorganizimet e nevojshme administrative me qëllim shmangien e fragmentimit të funksioneve, mungesës së komunikimit dhe pamjaftueshmërisë së zbatimit të ligjit”.
Të dhënat nga zëniet dhe zbarkimet vazhdojnë të jenë joreale, dhe inspektorët nuk verifikojnë zëniet mbi baza 24/7 (24 orë në ditë për 7 ditë të javës). Qoftë mënyra e raportimit ashtu edhe mos regjistrimi i plotë i zënieve kompromentojnë statistikat e Drejtorisë së Peshkimit dhe gjithashtu hartimin e planeve reale të menaxhimit. Numri i inspektorëve është i pamjaftueshëm për të mbuluar qendrat kryesore përgjatë bregut. Inspektimet për të luftuar peshkimin e paligjshëm artizanal bregdetar janë të rralla dhe të pakoordinuara me institucionet e tjera si Roja Bregdetare dhe Policia Kufitare.
Aspektet mjedisore dhe një peshkim i përgjegjshëm janë ndër objektivat kryesorë të zhvillimit të sektorit, por pozicionimi i sektorit të peshkimit që është një sektor ekonomik, në një ministri e cila ka për qëllim uljen sa më shumë të impaktit të çdo aktiviteti në mjedis, e çon Ministrinë e Mjedisit në kushtet e një konflikti të pastër: në një krah duhet të mbrojë mjedisin duke penguar aktivitetin e peshkimit dhe akuakulturës, në krahun tjetër duhet të miratojë politika për zhvillimin e sektorit, rritjen e sasisë së peshkut të peshkuar ose të aktivitetit të akuakulturës. Dhe duke qenë peshkimi një sektor i vogël në MMPAU, kundrejt gjithë ministrisë, të gjitha politikat që kjo ministri ka zbatuar ndaj peshkimit kanë qenë bllokuese duke e trajtuar peshkimin jo si një prioritet të ministrisë. Fakti është që edhe investimet shtetërore në drejtim të infrastrukturës së peshkimit, në porte, merkato apo politika të mbështetjes së këtij sektori nuk janë financuar të paktën 3 vitet e fundit. Buxheti i ministrisë për peshkimin në fushën e zbatimit të politikave ka qenë 0 dhe vetëm për paga e shpenzime operative. Shpenzimet operative për inspektoratin e peshkimit kanë qenë minimale (në dy vitet e fundit) dhe rreth 70 – 100 000 lekë në vit (5 – 7000 lekë në muaj për karburant, dieta etj). Me këto shpenzime inspektorët e peshkimit duhet të kryejnë kontrolle në terren duke qenë të pa pajisur me mjete për kryerjen e detyrave që i ngarkon ligji. Me këto shpenzime inspektorati i Sarandës duhet të kontrollojë nga Kepi i Stillos deri ne Himarë, përfshirë edhe liqenin e Butrintit, ai i Vlorës nga Himara deri ne Portin e Peshkimit në Triport, përfshirë Karaburunin dhe Nartën, ai i Fierit gjithë bregdetin e Vjosës dhe Semanit sikurse ujëmbledhësit e bujqësisë e kështu me radhë. Inspektorati i peshkimit është me numrin më të vogël në ministri, 24, nga të cilët 4 në Tiranë ku nuk ka as edhe aktivitet të qenësishëm peshkimi, ndërsa në zonat si në Shëngjin, Pogradec, Korçë, Fier Lushnjë, Patok, është vetëm një. Në Shkodër, Durrës, Vlorë dhe Sarandë janë nga dy.
Partia Socialiste është e angazhuar që ta kthejë këtë sektor në një treg, me një konkurrencë të ndershme dhe me rregulla dhe kushte të barabarta për të gjithë. Ndërhyrjet e parashikuara në Programin e Partisë Socialiste synojnë:
• Përmirësimin e infrastrukturës ndihmëse në peshkim (markatat e peshkut me shumicë në të katër portet e peshkimit dhe në qendrat e peshkimit). Kjo ndërhyrje të sjellë në radhë të parë një liberalizim të tregut dhe rritje te zënieve dhe të cilësisë së produktit. Në rastin e ankandit anija e peshkimit do të kërkojë vlerën maksimale dhe peshku do të vijë i përgatitur që nga anija (i larë, sistemuar dhe sa më i freskët) pasi do të përballet me konkurrencës e prodhuesve të tjerë, për marrjen e vlerës maksimale. Markatat nga ana tjetër do të sjellin uljen e kostove në stabilimentet e peshkut dhe rritjen e cilësisë. Stabilimentet do të jenë operatorë (si shumë të tjerë, restorantet, dyqane të mëdhenj dhe të vegjël etj) në markatë dhe do të jetë tregu i cili do të përcaktojë çmimin real të prodhimit në vartësi të kërkesës dhe ofertës në treg, cilësisë së tij. Markatat të ndërtuara sipas standardeve të BE nga pikëpamja veterinare do të ofrojnë një rritje të kapaciteteve magazinuese dhe të subjekteve tregtare. Nëpërmjet menaxhimit publik dhe privat (pushtet qendror, vendor dhe operatorët privatë) të markatave do të mundësohet edhe regjistrimi i sasive të peshkut të kaluara nëpërmjet saj dhe vlerave në shitje, pra ulje të informalitetit në peshkim sikurse një rritje të standardeve veterinare. Kalimi i prodhimit nëpërmjet tyre, krahas detyrimit ligjor, do të jetë i lidhur me furnizimin me naftë pa akcizë dhe pa TVSH për anijet e peshkimit. Markatat do të jenë të llojit markatë e prodhuesve..
• Heqjen e TVSH për karburantin e peshkimit detar dhe të taksave të tjera si taksa e qarkullimit rrugor për anijet e peshkimit të cilat padrejtësisht taksohen për taksën e qarkullimit rrugor. Kalimi i peshkut nga një markatë tregtimi me shumicë (e detyrueshme me ligj në momentin e ngritjes se markatave) bën regjistrimin e të gjithë prodhimit të hyrë dhe te çmimit të tij (markatë është publike dhe do të menaxhohet nga pushteti qendror + pushtet vendor, grupet e interesit etj). Gjithashtu do të përfitojnë nga kjo masë vetëm ato subjekte që e kalojnë prodhimin nëpërmjet markatave. Çmimet monitorohen dhe pagesa e TVSH mund të bëhet automatike në momentin e blerjes: nga anija – te tregtari. Në momentin e pagesës së prodhimit, 20% e çmimit derdhet automatikisht në buxhetin e shtetit. Më skematikisht për 1 kg produkt me vlere p.sh. 500 leke, TVSH është 100 lekë dhe çmimi që e blen tregtari është 600 lekë. Tregtari i vendos një fitimin p.sh 100 lekë për të cilën do të paguaje edhe një TVSH shtesë prej 20 lekesh. Pra çmimi final për konsumatorin do të jetë 720 leke. Ne këtë çmim struktura e tij është 600 lekë + 120 lekë TVSH.
Në rastin kur peshkatari e blen naftën pa akcize dhe TVSH, e shet peshkun me çmimin 500 lekë (pa TVSH). Tregtari i vendos një fitim prej 100 lekë dhe çmimi final shkon 600 lekë së cilës po t’i shtojmë TVSH që paguan tregtari në momentin e blerjes, çon çmimin final për konsumatorin në 600 + 120 =720 lekë. Pra nuk kemi ndryshim çmimi dhe të njëjtën vlerë të TVSH për organin tatimor.
• Përmirësimin i infrastrukturës portuale të ankorimit nëpërmjet restaurimit të porteve të peshkimit, shkallëve të riparimit të anijeve. Për këtë qëllim të një rëndësie të veçantë janë: Ndërtimi i portit te ri të peshkimit në Durrës , Zgjerimi i bankinave në Shëngjin, Zgjerimi i portit të Sarandës dhe shtrirja e portit të peshkimit edhe në pjesën ushtarake, Shkallët e riparimit të anijeve të peshkimit nëpërmjet krijimit të lehtësirave për bizneset private për ndërtimin e shkallëve të riparimit të anijeve të peshkimit.
• Zbatimin e një Politike strukturore nëpërmjet mbështetjes së investimeve në bordin e anijeve të peshkimit për rritjen e sigurisë dhe kushteve veterinaro-sanitare, ndalimin biologjik etj. Ndërhyrjet në modernizimin e flotës, me qëllim diversifikimin e aktivitetit të saj, duke peshkuar edhe peshq te tjerë që sot janë jashtë vëmendjes si sardelja dhe aciuga, te rëndësishëm për rigjallërimin e industrisë përpunuese, në përmirësimin e kushteve higjeno- sanitare dhe te sigurisë ne bordin e anijes. Ndalimi biologjik është një masë e rëndësishme e cila ka për qëllim garantimin e një shfrytëzimi të qëndrueshëm të burimeve ujore të gjalla sikurse të promovimit të një ekuilibri të qëndrueshëm midis burimeve dhe kapacitetit të peshkimit të flotës së peshkimit. Ndalimi biologjik i propozuar parashikon ndalimin e aktivitetit të anijeve të peshkimit (kundrejt kompensimit financiar) për peshkimin fundor për një periudhe 1 mujore (muaji korrik – gusht). Ky ndalim nuk përfshin anijet e tjera të peshkimit për pelagjikët e vegjël, peshkimin artizanal në breg si dhe për anijet e peshkimit që do të zhvillojnë aktivitet në ujërat ndërkombëtare (tej 12 miljeve)
• Përmirësimin i menaxhimit nëpërmjet ristrukturimit dhe mbështetjes së administratës menaxhuese dhe kontrolluese, luftës ndaj peshkimit të paligjshëm, ngritjes dhe forcimit të një sistemi modern të grumbullimit dhe përpunimit të te dhënave në peshkim, hartimit dhe zbatimit të masave menaxhuese për mbrojtjen e resurseve, rritjes së konkurrencës në treg dhe uljes së shkallës së informalitetit në peshkim. Në radhë të parë Administrata menaxhuese dhe kontrolluese e peshkimit do të kalojë në të njëjtën Ministri më shërbimin veterinar. Një gjë e tillë do të shmangë fragmentarizimin e zinxhirit të komandimit si një nga vërejtjet e BE. Ristrukturimi i strukturës se Inspektoratit për peshkimin ka një rendësi parësore ne funksionimin e sistemit te mire menaxhimit të sektorit për garantimin e zbatimit te legjislacionit ne fuqi.
Numri i inspektoreve, së paku në katër portet e peshkimit do të jetë prej 5 inspektoreve për secilin port për të garantuar një shërbim 24/7. (numri minimal sipas Kodit te Punës).
Një kontroll efikas kërkon një përmirësim të infrastrukturës në dispozicion të inspektoratit të peshkimit në mjete lëvizëse tokësore dhe ujore, mbështetje financiarë dhe rritje të shkallës së bashkëpunimit me strukturat e tjera si Roja Bregdetare, Policia Kufitare, shërbimi veterinar, policia bashkiake etj.
Sistemi i grumbullit të të dhënave në peshkim përbën një nga pikat e dobëta të administratës së peshkimit. Ky sistem është akoma në një fazë embrionale që nevojitet të forcohet. Për këtë qëllim drejtoria e peshkimit do të forcohet në nivel qendror për përpunimin e të dhënave dhe në nivel lokal për grumbullimin e tyre.
Do të rritet shkalla e bashkëpunimit me institucionet homologe të vendeve fqinje si dhe të kërkimit shkencor, në mbledhje të përbashkëta koordinuese të programeve të grumbullimit, përpunimit të të dhënave në peshkim, në kuadër të menaxhimit të resurseve të bashkëndara.
• Zhvillimin e akuakulturës. Edhe akuakultura do të përfshihet në fushën e ndërhyrjeve strukturore. Në këtë drejtim do të mbështeten iniciativat në drejtim të rritjes së prodhimit, respektimit të kushteve mjedisore, prodhimit biologjik, zbatimit të masave veterinare etj. Do të përfundojë Përcaktimi i Zonave të Akuakulturës i cili në formën e një mastërplani do të miratohet nga Këshilli i Ministrave. Në kuadër të Përcaktimit të Zonave të Akuakulturës do të klasifikohet i gjithë bregdeti shqiptar dhe sipërfaqja tokësore sipas llojit më të përshtatshëm të akuakulturës që mund të zhvillohet në të, duke mbajtur parasysh interesat e te gjitha institucioneve që kanë interesa në këto zona. I gjithë ky proces është një planifikim hapësinor dhe përcaktim i zonave prioritare të zhvillimit të akuakulturës me qëllim një përdorim të qëndrueshëm të burimeve ujore. Për ujëmbledhësit e bujqësisë do të zbatohen politikat e mbështetjes me rasate për ripopullimin e tyre.
*Autorët janë anetarë të Grupit të Punës të Zhvillimit Rural pranë PS
Shkrimi shume i gjate. Besoj se i perket nje audience te ngushte, qe e njeh fushen. Nese gazeta i drejtohet popullit ne pergjithesi mendoj se edhe peshkimi ‘si do te jete’ duhet pershkuar si nje enderr, meqe autoret jane pjese e grupit te punes per Zhvillimin Rural. Nuk me duket terheqese per nje qytetar te thjeshte te lexoje ‘masat per zhvillimin e peshkimit’, perkundrazi si do te behet eshte interesante, sikur sheh nje dokumentar.
Ju pershendes miqesisht