PETJA…

Ornela

Xhahid Bushati

-Kujtime shkodrane për njeriun e mirë, buzagaz, shpirtflori, poetin e talentuar

Petrit Ruka (21 gusht 1954 – 06 korrik 2021)-

Petrit Rukën e njoha afro 49-vjet më parë. Vinte nga Turani i Tepelenës, student në Shkodër, në degën Gjuhë shqipe-Letërsi. Unë isha i Vendlindjes, po në degën Gjuhë shqipe-Letërsi. Unë në grupin e pestë, ai, në mos gabohem në grupin e tretë apo të katërt.

Ishim të rinj e plot ëndrra. Ngaqë vinte nga një fshat i largët, Shkodra ishte e panjohur për të. Ndoshta disa poetë shkodranë mund t’i kishte lexuar nga tekstet shkollore. Mbase kjo ishte lidhja e parë… Por, me natyrën kureshtare e fisnike që kishte, shpejt do ta njihte Shkodrën, do të krenohej me të, do të ishte entuziasti i bukurive dhe mahnitjeve të saj. Do të dashuronte traditën e saj, po aq dhe bashkëkohësinë.  Nuk do të kalonim shumë ditë e pak muaj, kur ai me të qeshurën e tij magjike e përrallore, shumë shpejt do të bëhej “shkodran”. Shumë shpejt do të njihte, atë apo ato, që disa vendali nuk i dinin.

 

E gjithë kjo arkivë e traditës dhe arkivë e bashkëkohësisë, bën që Petja të kishte një kulturë solide e të admirueshme. E, erdhi një ditë e…,kur e njohën; kush nuk donte të rrinte me të, të fjalosej, të bisedonte ëmbël e shtruar, të lexonte e të fliste plot afsh për poezinë shkodrane, shqiptare e botërore dhe të ëndërronte nën qiellin shkodran me yje e pa yje, me hënë e pa hënë, mureve të gurta të Kalasë me emër gruaje apo brigjeve, aty, ku bashkohej Drini me Bunën, ku udhëtonin bashkë një cope rrugë…

 

Shpesh mbrëmjeve, i vetmuar kthehej në konvikt, gjatë gjithë rrugës përsëriste në heshtje vargje poetësh lirikë… Përsëri me zë dashurie ata vargje mbresëlënëse, tek merrte në të majtë të rrugës “Zdralej”, pastaj në të djathtë, ku e priste godina me drita të ndezura… Petja nuk ishte një student i vonuar, harrakat apo trazovaç. Jo, ishte një student zemërçiltër, i brishtë, i ëmbël, me ndjesi të holla filigrami të një bukurie të pashoqe… Ai ishte poet, poet i vërtetë. … Për këtë rrugë ishte nisur… Koha, më vonë, e vërtetoi këtë fakt.

Shpesh Petjan e takoja mbrëmjeve na lagjen “Zdralej”, sepse ishte kjo rrugë që duhet të bëja për të shkuar në shtëpi. Bisedonin në mënyrë të atillë, sikur po çmalleshim… I uronim njëri-tjetrit ‘Natën e mirë!’ Në atë ‘natë të mirë’ çelte përherë si një lule ndjesia e tij poetike aq e bukur dhe mahnitëse. Ecja rrugës dhe “këtë lule…” nuk doja të ma trazonte kush…

Petja ecte e nuk bënte zhurmë. Petja ecte e puthte qetësinë. Nuk e trazonte atë, por e dashuronte atë! I falte shpirtin lirik e poetik. Ky ishte poeti Petrit Ruka. Ëndërrimtari, pasionanti, i vërteti, njerëzori dhe dashamirësi i pakufi! Ky ishte Petriti, që shumë shpejt nuk e thërrisja me emër, por Petja. Gjithëherë: Petja kur takoheshim. Edhe sot, edhe mot. Dhe… kur mora lajmin e papritur që nuk doja ta besoja, mbeta i pikëlluar sa më s’ka për ikjen e tij të parakohshme! Sa herë që do përmend emrin e tij, sa herë që do lexoj poezitë e tij apo kur do të shoh filmat e dokumentarët e tij, pikëllimi do të jetë bashkudhëtari im…

Kur u takuam përherë të parë, e kam të freskët, dita ishte me diell dhe qielli ishte i kaltër. E qeshura dhe drita e syve të Petritit këtë ditë e bënin më të bukur. Edhe qiellin e bënin më të bukur. Ishte pakëz i ndrojtur. Kjo ‘ndrojtje’, ishte e kuptueshme, do ta shoqëronte edhe për disa ditë udhëve të Shkodrës. Por Shkodra shpejt do t’ia hiqte ‘ndrojtjen’ sepse zbuloi ardhjen e një talenti që zakonisht nuk vjen shpesh, të një frymëzimi me një gamë të gjerë motivesh që i gurgullonte herëpas here, e që i dilnin nga shpirtin i tij i pastër – kristal.

Ditët studentore kalonin një nga një… Sa herë që takoheshim, dhe takoheshim çdo ditë, vija re se ndrojtja i largohej si pakuptuar, ishte arratisur për t’u mos u kthyer më. Sytë kishin një dritë si të Petjas. Buzëqeshja po ashtu si të Petjas. Pasuri e vyer e Petritit! Fliste tërë gjallëri dhe e shoqëronte atë me lëvizje duarsh dhe me buzëqeshje pafund… E kuptova, dhe nuk isha gabuar Petja ishte bërë, tashmë,  100% Shkodran.

Me Petjan jo vetëm ishim miq e bashkëstudentë, por edhe anëtarë të rrethit letrar të Institutit, rreth, i cili ku drejtohej me kompetencë dhe pasion nga pedagogu i paharruar Hasan Lekaj. Kur bëhej gati numri i ri i poezive për gazetën e murit, çuditërisht, merrnin pjesë dhe dy pedagogë të tjerë. Poezitë e Petjas kishin ngjyra e motive talenti, ku dridhërima e poezisë së veçantë bashkëjetonte me drithërimin e shpirtit nazik e delikat. Kalonin pa vërejtje, me pëlqim unanim. Më “problematiku” ishte poezi Visar Zhiti. E kujtoj një mbledhje të gjatë diskutimesh për poezinë e tij të guximshme, të bukur e simbolike të titulluar “Shtriga”. Mbaj mend këto vargje: “Shtriga mban në duart e saj dy net të ndezuara”. Gjatë diskutimeve, shikoja edhe frikë në sytë e pedagogëve për poezitë e Visarit, i cili po shfaqej në letërsinë shqipe si një zë i ri, i panjohur deri atëhere, duke thyer kanonet e mediokritetin e poezisë uniforme. Poezia e tij kishte prirjen e një talenti të veçantë që i frikësonte të tjerët, veçanërisht të paaftët, mendjengushtët e të pakulturuarit.

Më vonë, Petjan e ftoi që të bëhej dhe anëtar i rrethit letrar i Klubit të Rinisë “Heronjtë e Vigut”. Aty mblidheshin kryesisht krijues-studentë: të talentuar dhe që çdo ditë emri i tyre ishte i pranishëm në gazetat letrare të kohës. I kujtoj ato ditë si momentet më të bukura të jetës sime. Sigurisht këto i kujtonte dhe Petja, që i bisedonim herëpashere. Bisedat tona kishin shijen e një  gëzimi të veçantë, të një ëndrrërrimi të bukur që premtonte fluturime të reja letrare. Ato biseda me Petjan i kujtoj dhe tani me mall. Disa që më kanë mbetur në kujtesë, i përsëris me dashuri edhe sot. Nuk mund t’i harroj ata diskutime plot kulturë të krijuesve të talentuar, atë mjedis dashurie që na e krijonte Drejtori i atëhershëm zotni Nardi. Kështu e thërrisnim atëherë. Kështu e thërrasim edhe sot. Dhe ky ishte Ferdinand Bushati.

Zotni Nardin e takoj shpesh. Këto ditë e takova me mikun tim të çmuar Astrit Fani . E pimë kafenë në një lokal afër shtëpisë së tij. Po e ndiqja me vëmendje teksa po vinte. Ndonëse vitet kanë bërë punën e tyre, vëreja hapin e tij, ishte hapi  i një djaloshi që nuk donte të mplakej. Çdo hap i tij është gjurmëlënës dhe ka moshë rinie, edhe pse shumë dekada vitesh kanë kaluar. Ecte trupdrejtë. Pse të mos ia kisha zili! Gjatë bisedës kujtuam me mall e nostalgji vitet e Klubit të dashur… Kujtuam shumë histori, ngjarje e batuta…, dhe shpesh shpërthenim në të qeshura herë të lehta e herë me zë të lartë. Teksa zotni Nardi qeshte, e kuptoja se rinia nuk i kishte ikur. Ajo rini i jetonte ende në shpirt. Sa bukur! Për aq sa ndenjëm dhe jo pak, kuptova se isha takuar me një Djalosh Ëndërrimtar…

Duke rendur në gjurmë vitesh, u kujtova se Klubi i Rinisë “Heronjtë e Vigut” botonte almanakun “Shtigje të çelura”. U botuan numrat 1, 2, 3… I katërti që pritej të botohej, nuk u botua. U ndalua dhe u tha, se në poezitë e të rinjve shfaqeshin nota modernizmi. U hidhëruam, por fluturimin nuk na e ndaluan, as ëndërrimin, as shtigjet e çelura që i hapëm me talentin tonë.

Gjatë bisedës, kujtuam dhe disa poetë që sot nuk jetojnë më, si: Agim Spahiun, Dodë Kaçajn, Novruz Shehun (Noken), Simon Vrushon, Vasil Tabakun, Vasil Deden… dhe tani, së fundi Petrit Rukën. U përlotëm, dhe zotni Nardi, në një moment, tha: “Petriti sapo vinte këmbën në klub, thërriste me një zë poetik dhe fllad pranvere: “Zotni Nard, erdha unë! Kjo ishte shprehja e tij. Dhe buzëqeshte pafund… Dhe sytë i lëshonin dritë pafund… Kurrë nuk e pashë atë djalë një herë, së paku një herë të vetme të nervozuar apo të zemëruar. Jo, i takonte rinisë së Klubit që mbante emrin: Klub Rinie…”

Petja, me poezitë e tij që po botonte kishte filluar dhe po bëhej interesant si poet në gazetat “Drita”, “Zëri i rinisë” e revista “Nëntori”. Filloi të botojë edhe librat me poezi. Unë isha një nga dëshmitarët e pakët e të fillimit që dëgjoja poezitë e tij që m’i recitonte me aq zemër e, që më vonë do të botoheshin në librin poetik “Rinia ime” (1978). Edhe pse libri i parë poetik, ishte mrekullidhënës; sepse mrekullidhënës ishte dhe vetë Petja. Ishte njeriu që rrëfente bukur e që falte dashuri pa kursim. Ishte njeriu fisnik dhe poeti i shpresës dhe i dashurisë. Shpirtëmbël dhe ëndërrimtar. Ishte nga ata njerëz që të keqen ta hiqte me qerpik syri, siç themi ne nga Shkodra. Fjalosej bukur dhe ti kishte dëshirë të rrije sa më gjatë me të. Kishte dëshirë të mos mbaronte kuvendimi. Kishe dëshirë të ktheheshe përsëri e përsëri tek ai si te një strehëz dashurie… (Teksa them këto fjalë, pikëllimi im për të, bëhet më i madh… Më i madh se qielli. Se Petja i takonte poetëve Qiellorë!)

Një moment i rëndësishëm i jetës së Petjas gjatë viteve studentore, ishte dhe një shtëpi karakteristike shkodrane, që në themelet dhe palcin e saj kishte të mbrujtura motive atdhedashurie, e që ndodhej në lagjen “Zdralej”. Ishte një shtëpi me aromë dashurie e mirësie, ku jetonte Nana Dritë, e cila kishte të birin poet. Dhe ky ishte Bedri Islami. Në këtë konak, Petja hynte si djalë shtëpie; rrethohej nga drita e mikpritjes e mirëpërcjelljes së Nana Dritës. Petjan, djalin nga Tepelena, e rrethonte një dashuri e Nëne fisnike shkodrane. Dashuri që dinte vetëm Nana Dritë ta jepte. Dhe po të kalosh edhe sot pranë asaj shtëpi, ti do të ndjesh  përqafimin e dritës mëmësore, që dhuron Nana Drita.

Bedriu e kishte shok të ngushtë Petritin. Pasditeve, apo mbrëmjeve në atë shtëpi recitoheshin vargje nga Esenini, Lasgushi dhe Rreshpja… Shkruheshin lirika e shtegtonin ëndrra rinie…

Ajo shtëpi, ajo Nënë me emrin e shtrenjtë Dritë, Bedriu poeti i talentuar… do t’i dhurojnë Petjas, dashuri e ngrohtësi. E, vetë, Petja, në kujtimet e tij, këtë shtëpi prindërore gjithmonë e ka quajtur ‘të shenjtë’.

***

Petjan e takova…

Pas disa vitesh, dhe është fjala për vitet 1985 – 1986, Petjan e takova në Tiranë. Ai kishte ardhur për studime pasuniversitare për dramaturgji filmike, pranë Akademisë së Arteve të Bukura; ndërsa unë kisha ardhur për studime pasuniversitare për kritikë letrare. U takuam dhe u çmallëm. Kujtuam dhe gjithçka kujtuam… Ai mes pyetjeve, më pyeti edhe për shëndetin e Nana Dritës. Unë i thashë: – Është si Dritë!” Ai përsëri më tha: “M’i bëj shumë të fala! M’i ço shumë shëndete!” Sigurisht që amanetin ia kreva.

Petjan e takova…

Pas shumë vitesh, përsëri në Tiranë. U ulëm në një lokal afër Teatrit të Kukullave dhe pimë kafe. Kujtuam shumëçka… Kur u ndamë, më dhuroi librin e sapobotuar “Vërtitu, kokë e prerë!” (2000).

Petjan e takova…

Pas shumë viteve, në Shkodër, në promovimin e librit poetik të poetit të talentuar Bedri Islami. U takuam dhe shumë u çmallëm, dhe hapëm dritare kujtuam për Shkodrën. Me ne ishte dhe Nana Drita. Nuk e harroi atë përqafim të Petjas me Nana Dritën! E kam të vështirë ta përshkruaj! Ç’të them… Ishin Nënë e Bir!..

Petjan e takova…

… kësaj radhe te libri me balada. Në ka poet në Shqipëri që Baladën e ka lëvruar me dinjitet dhe zotësi, ai është Petrit Ruka. Në ka poet në Shqipëri që është stilist dhe magjiplotë në lëvrimin e Baladës, duke e vendosur atë në Panteonin e Kulturës shqiptare me kurorën e saj rrezëllitëse, ai është Petrit Ruka.

Petjan e takoj…

Shkodër, korrik, 2021

Tri poezi nga Petrit Ruka

 

KËNGA E KUAJVE TË URITUR

– imazh i vjetër –

 

Në perëndim të diellit i pashë kuajtë e uritur,

Harruar në vathë, pa zot, të braktisur…

Tre kuaj të bardhë, jo s’ishin të bardhë,

Një blanë dëshpërimi e kishin në ballë,

Një klithmë livadhesh e kishin tek sytë,

Tek flegrat nervoze ish klithma e dytë,

Të tretë s’u pashë, veç në e kishin në shpirt…

Në perëndim të diellit i pashë, or i pashë,

Më kalë se ata… unë ika i lashë,

Ika dhe kokën se ktheva nga pas,

As këmbët nuk pata fuqi të përplas,

Veç natën, në fshat, në majë të një mali,

E shfryva këtë këngë si një hingëllimë prej kali.

 

 

TRI PLAKA TË ZEZA TË FUTURA NË SHI

-vegim i përjetshëm-

 

Tri plaka të zeza të futura në shi,

Nxitojnë përmes fushës me qiellin përbri.

 

Tri lëmshe të zeza si në një vizatim primitiv

Ecin si në filmat multiplikativ.

 

Ku shkojnë poshtë muzgut këto tri plaka,

Pikë për pikë si në të moçmet balada.

 

Drejt qiellit, natës…a ku po shkojnë,

Tri hieroglife kineze që s’dimë t’i lexojmë.

 

Tri plaka shqiptare të taposura në shi

T’i nxirrja prej shiut… Ah, të kisha mundësi.

 

 

MARRAMENDJE

Në rrugët bosh unë iki kuturu,

Nuk kam ku të mbytem këtë mbrëmje pa paqe,

Me kë ta pi kafen, nuk njoh asnjeri,

Tek-tuk ndonjë qen, po qentë nuk pinë kafe.

 

Ky muzg del sot nga mëngët e mia,

Periferia bosh, e denjë për vetvrasjen,

Dhe ndodh tek vërtitem që shoh vetveten

Tek vjen përballë…O zot, po pataksem…

 

Të zbres në qytet?! Atje prapë s’je askushi,

Si çdo i papunë, me borxhe, pa miq,

Askush se kthen kokën, je krejt i padukshëm

Ah, s’paska më tmerr kur mbetesh veç shpirt.

 

Të paktën këtu në një psallm deliri

Shpallem shef i pluhurave që era vërtit,

Dhe në e pafsha veten prapë në një kthesë

S’kam turp t’i bërtas; më prit, o Petrit!

 

Në rrugët bosh zë e ndjek vetveten,

Nuk kam ku të shkoj këtë mbrëmje pa paqe,

Rrjedh muzgu i zi nga mëngët e mia,

Tek-tuk ndonjë qen, po qentë nuk pinë kafe…

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *