Bedri Islami
Petrit Ruka, poeti arrakat me zërin e veçantë, tani nuk është më. E vështirë të besohet se, në një çast kur jeta i kishte afruar çastin e mitizimit poetik, ai ikën nga ne dhe një botë e tërë poetike , që ende nuk e kishte thënë, mbetet një ëndërr.
Kur e kam takuar për herë të parë, sapo kishte ardhur në Universitetin e Shkodrës, ai ishte djalosh i bukur, kaçurrels, gjithë jetë dhe, si kishte ndodhur rrallë herë, Shkodra, qyteti i lashtë i mbretërve të dikurshëm, e pranoi krejt natyrshëm dhe ai e shijoi qytetin, ashtu si dinte vetëm ai.
Në çdo gjë ai i ngjante Eseninit, por me tingullin lab të poezive të tij. Ai nuk kuptohej dot jashtë Labërisë, ashtu si treva e vendlindjes gjeti tek ai poetin e shquar.
Tani humbja e tij na rrethon si një kopsht plagësh.
Lirishta e lirikave shqiptare mbeti pa kopshtarin e saj.
xxx
Për Petrit Rukën, njërin nga poetët më lirikë të letrave shqipe, gjithçka ka qenë dashuri :
dashuri për gjethen e fundit në qiellin e dimrit,
për mesazhet që ecin nëpër qiell si vetëtimat,
për drurët në Turanin e tij dhe ujërat e Vjosës,
për vendlindjen dhe nënën, zërin e së cilës e dëgjon edhe tani, jo vetëm në ëndërr;
për atin e munguar dhe motrën e larguar në një rrafshine hënore, duke lënë shpirtin tek vëllezërit;
dashuria për atdheun, që atij i fillon tek zemra dhe kjo është e natyrshme si lab i mirë që është,
për rrezet e diellit që këputet si një pikë shiu,
për trëndafilat e thurur me diell dhe lisnajat që psherëtijnë në korije,
rrugën e baltosur, që ende ka aromën e mallit dhe të verës, dhe, domosdo,
si arrakat i pandreqshëm që është,
dashuria e tij për të bukurën, për gruan, si rrënja e jetës, mallkimi i bekuar që nuk i shpëton dot magjepsjes së saj; hiret, çastin përvëlues, flokët e shpupurishur, ndjenjën e veçantë të pranverës së vonë…
Gjithë jetën ai ka dashuruar me shpirt, mund të them pa droje, ka dashuruar marrëzisht!
Thuajse katër dekada e gjysmë më parë e kam njohur Petrit Rukën. Djem të rinj, ai më ëndërrimtar se të tjerët, por edhe i pa kapshëm. Ishte një shoqëri e mirë poetësh të rinj që, ashtu befas, nga vende të ndryshme, e gjetën veten në një qytet magjik dhe mbretërish të hershem, Shkodër. Ai vinte nga Turani, Vasil Dede nga Postenani i Kolonjës, SkenderBuçpapaj nga Bujani i Tropojës, Vasil Tabaku nga Ballshi, Hamdi Meçe nga Kruja, NdueLazri nga Gziqi i Mirditës, VojsavaNelo, më duket edhe ajo tepelenase..Zhaneta Shqepa –Lazri nga Pogradeci, dhe u bënë pjesë të një qyteti që, aq sa ishte bujar, aq ishte edhe nazik, që derën e hapte, mik të bënte, por në sofër duheshe të uleshe sipas radhës.
Çuditërisht këta djem i bënë vend vetes në sofrën e nderit të letërsisë dhe arteve në Shkodër. Qyteti i vjetër i deshi poetët e rinj dhe ata e deshën qytetin e Migjenit, të Mjedës, Fishtës , Reshpjes.
Nuk është e lehtë të të dojë një qytet i vjetër, por ja, që kështu ndodhi. Dhe, megjithëse miq dhe flinin shpesh herë në një dhomë, të gjithë ishin të ndryshëm në artin e tyre. Vasil Dede, është i parajsës, ishte lirik, me mallin për fshatin e tij, rrekëzat dhe ujërat, gjethet e vjeshtës, pyllin që digjet dhe mollët; Petrit Ruka, njeriu që sot habitem që i thotë vetes 65 vjeçar, e nuk ka zot të më bindë se është kaq, kur lexova pjesën e parë të këtij libri, ishte liriku i dashurisë, tingëllues si Esenini, të cilit edhe i ngjante asaj kohe, me leshrat e derdhur, rininë pasionante, e, ndoshta nuk e besoni, por ishte djalë i bukur, pas të cilit shumë psherëtinin; Buçpapaj, që sapo kishte botuar librin “Zogu i bjeshkës”, na lexonte mbrëmjeve poezitë e tij, të cilat nuk do të botoheshin kurrë, dhe mirë që nuk u botuan se nuk do i dihej fundi i tij, ende kam në shtëpi një pjesë të poezive të tij në një bllok të vjetër; Vasil Tabaku ishte luftarak, edhe në varg ishte i tillë, denonconte asaj kohe e besoj se deri në fund ka denoncuar me poezinë e tij, Ndue Lazri ishte më i qetë, i shtruar e këtë e dëshmojnë edhe librat e tij, Hamdi Meçe, i dashur, i urtë deri në dhimbje i ishte kushtuar fëmijëve dhe është sot njëri nga zërat më të dëgjuar të kësaj letërsie…
Përse e solla gjithë këtë rikthim në vite? Poeti nuk mund të jetë poet nëse nuk e jeton me vrull, pasion e ndjenjë jetën e tij, nëse shokët që ka përreth janë si bubazhelat apo frikacë; ai nuk e ndjen poezinë në vete, nëse nuk e ka ndjerë mallin dhe miqësinë, etjen për jetën dhe ankthin e enigmës.
Poeti jeton, dashuron, inatoset, zemërohet, shpërthen, rikthehet, psherëtin, i kujtohet e shkuara dhe e merr malli për të, i rikthehet viteve dhe sjell vitet e së ardhmes.
Petrit Ruka ishte i tillë; atij i vetëtinin vargjet edhe në rrugë, edhe kur ngjiteshim shkallëve në shtëpinë time dhe nëna na shtronte ato që kishte; edhe kur ishte në pragun e gjumit.
Detyra e poetit nuk mund të përmbushet sipas një orari të caktuar. Ai nuk mund të jetë poet dy orë paradite dhe një para mesnate, sepse poezia nuk është si ato ilaçet që të jepen me recetë, dy herë para buke e një herë para gjumit.
Petriti nuk pushon së qeni poet. Hiqjani të gjitha, ai përsëri mbetet i njëjtë. Bota e çuditshme e artit ka qenë bujare me të, por edhe ai i ka dhënë asaj shumë dashuri, dhe, duhet thënë , shumë mirësi.
Petriti ishte shok e mik i mirë; arrakat deri në çmendje, por i domosdoshëm në një rreth njerëzish që e duan të bukurën. Ndoshta, më mirë nga të gjithë, këtë mund ta dëshmoj. Shumë gjëra kanë mbetur në mendjen time nga ecjet e gjata nëpër rrugët e Shkodrës, nganjëherë deri në mesin e natës, shumë të tjera kanë shkuar në arratinë e tyre, sepse harresa ka edhe ajo të drejtat e saj; e përsëri, sado mote të shkojnë, nuk mund e nuk dua të harroj çastet e shumta, kur, pasi kisha humbur pabesisht njërin ndër miqtë e mi të shkëlqyer, shokun e dhomës studentore, poetin e dramaturgun, Shpëtim Gina, shpirt pikëlluar dhe i mbështjelle i gjithi në enigmën e ikjes së tij, Petriti i mirë, oh Zot, sa i mirë që ishte, zuri një vend që për shumë kohë mendoja se nuk do të mbushej kurrë. Nuk e kam falënderuar kurrë publikisht; do e bëj sot, por duke i thënë se në ato ditë, kur njeriu është mes ireales dhe reales, mes enigmës dhe përmbytjes, ngecjes dhe mosqenies, një dorë miku, ishte shumë më tepër se mund të të them.
Është e vështirë në mbrëmjen e jetës të kujtosh dhe të kuptosh mëngjesin e saj; ndryshojnë shumë gjëra; perceptimi i asaj që sheh, pamja, ndriçimi, kujtesa fillon e ndalon vetëm në disa stacione; shumë gjëra që dikur na kanë lënë gojëhapur tani na duken të zakonshme; ajo që në rini ishte e mrekullueshme, tani kalojmë para saj të heshtur; ndërsa gjëra të tjera, që dikur na linin indiferentë, të heshtur dhe të shkujdesur, tani thërrasin vëmendjen tonë.
Por ka shumë gjëra që mbeten dhe, mes tyre, nga e kaluara, ashtu si mbetet një dashuri e bukur, mbetet poezia e bukur, jeta e vrullshme, miqtë, ndonjëri nga të cilët nuk është më, mbeten përpjekjet për të gjetur rrugën e duhur.
Njerëzit e duan të kaluarën edhe kur janë në vjeshtën e parë të jetës së tyre, dhe kundër kësaj dashurie nuk mundet askush të bëjë gjë.
Petrit Ruka na e sjell këtë dashuri, dhe mëton të mbledhë gjërat e tij të vogla, si nëna me bohçen e saj në sepete, të mbledhë përrenjtë e vegjël, varrin e babait, përkëdheljet e nënës, zogjtë, gurgullimën e lumit, sytë- bel të kthesave të Vjosës, shokët, të gjallë e të vdekur,…dhe të gjithë këto janë jeta e tij, e përmbledhur në një libër të mrekullueshëm me poezi, si etyde të pafund jete e vjeshte njëkohësisht.
Petrit Ruka është dashuronjës i marrë, i çmendur në çmendjen e tij dhe deh edhe të tjerët. Ai e pranon se pak dhembje zemra le të ketë, por shpërndarje e saj, bërë përmes dashurisë , është më shumë se zëri i poetit. Në fund të fundit, në zemrën e poetit, bie shi.
Fola për Njeriun. E di se është pak, por gjithë secili ka fjalët e tij. Tani desha të flas për poetin. Çfarë e bën atë të veçantë, të dashur dhe njërin ndër lirikët më të shquar të kohës sonë:
Petrit Ruka e ka titulluar librin e parë të tij, “Atdheu fillon tek zemrat”. E kam përsëritur poezinë e tij në dhjetëra e dhjetëramitingje e tubime që bëheshin në vitet e fundit të shekullit të shkuar me shqiptarët e Kosovës , e kam dëgjuar të recituar në këto tubime edhe nga ish ministri i brendshëm, Luan Rama, dhe vetes i kam thënë për mikun tim, Petritin, : Shqipëria gjendet vërtet në zemrën e tij dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Nuk ka qenë një ndjenjë e përkohshme, e çastit, poetike, nuk ka ndodhur nga shkëlqimi i fjalëve, ngjarjet historike. Për Petrit Rukën atdheu ka qenë e mbetet një njeri i afërt, njeri i tij, i natyrshme si nëna, dimension i veçantë i jetës së tij, përmasë njerëzore. Atdheu mbetet në zemrën e tij deri në vdekje. Ndoshta, kjo ndjenjë e parë, që ka lidhje edhe me dinjitetin vetjak, e ka shpënë atë drejt poezisë. Por, e ka shpënë duke u ngjitur me mundim, duke e konceptuar poezinë si një thirrje lirike,por edhe tragjike njëkohësisht. Ka qenë rrugë e gjatë, nga poezia e parë tek libri i parë, një dekadë e më shumë. Stendalithonte dikur se “ Meriton të hidhet në letër vetëm ajo që mbetet interesante edhe pasi historia e ka thënë fjalën e saj”. Ruka ka bërë pikërisht këtë: nuk është ngutur nga angështia e botimit të parë e nuk është ngutur as nga padurimi i botimit të tashëm, që nuk është i fundit.
Petrit Ruka është poeti i ndjenjave. Lirik si pak kush, me mirësinë që ka hedhur rrënjë e është rritur në karakterin e tij, vëzhgues i pasionuar, melodioz deri në këngë, i qartë dhe i dashuruar, në poezinë e tij i gjen të gjitha: aty janë pranë të përditshmet e jetës sonë, fëshfërima e barit nën kosë, për kohën e tij – një kalë i bardhë në fushë, avllinë e gjatë- të shtruar me pllaka, për retë, që ikin lëmsh pas dritares në qiell; për valët e detit që tunden gjithë hir, për vallen labe, të rëndë, të hirshme , të stërlashtë, për dashurinë si enigmë që duhet zbuluar,.. e mbi të gjitha për nënën e tij. Rrallë herë një cikël kaq i bukur poetik, shkrirë mes rreshtave me rrahjet e zemrës, edhe pse janë ndjerë, janë shkuar për merakun e nënës, më pas, mungesën e saj, mallin, ankthin e ikjes dhe padurimin e ëndrrës.
Ndjenjat e tij ai i shpërfaq veçanërisht tek baladat, dhe, pa droje, asnjë droje, mund të them se janë ndër baladat më të bukura të gjuhës shqipe. Ai është mjeshtri i tyre, ri sjellësi përmes një tingëllime kaq të veçantë, mjeshtërore, dhe, me sa duket, sa më shumë kalon koha, ata perceptohen më mirë, bëhen me jetësuese dhe të pranishme. Poezitë e Petrit Rukës i admiroja që kur ishte në fillimet e saj. Edhe këtu shkaktare ishte koha dhe dashuria që përcillte.
Ai nuk më është dukur dhe nuk ka qenë kurrë fantast, larg së të vërtetës poetike, dhe, pas botimit të librit të tij të parë, e kuptova më mirë se Ruka ishte një lirik realist dhe jam i bindur se i gjithë peizazhi i Turanit, Vjosa, kalaja, rrugët, pyjet dhe rrugët me baltë, ndjenja e nënës dhe dëshpërimi, kanë qenë pikërisht ashtu si ai i ka përshkruar. Atij nuk i kanë interesuar kurrë fjalët e mëdha, të kërkuara, të ri ngritura, por ato, të përditshmet, që shprehin ndjenjat më shumë se gjithçka tjetër; atij i bën përshtypje ngazëllimi i jetës, shtrëngimi i dhëmbëve nga ngërçi i vdekjes së njeriut të dashur, çmenduria e përgjithshme e dashurisë në çastet e mrekullive; ai tregon dashurinë dhe vuajtjen njerëzore me fjalët e mbledhura nga njerëzorët dhe ndaj poezitë e tij dashurohen, lexohen e rilexohen, i duam dhe do i duam, sepse ai, edhe përmes dhimbjes, ka sjellë e do të vazhdojë të sjellë njerëzoren, të kapshmen, të bukurën, të mrekullueshmen pjesë të jetës. Megjithëse këmbën e parë në poezi Petrit Ruka e vendosi në shekullin tjetër, çdo gjë e tij dëshmoi se do të ishte i pranishëm , ama fuqishëm, edhe në shekullin e ri. Atij i pëlqen të risjellë natyrën, por jo vetëm peizazhin natyror, më shumë e rrëmben natyra e shpirtit njerëzor, ajo e veçantë intime që shpërthen, të përmbush jetën e jo vetëm çastin; e mrekullon bukuria dhe e sjell atë në një dritë mrekullie.
Petrit Ruka, ndoshta më shumë se të tjerët, ka lindur poet dhe për të qenë një njeri i lumtur! Të paktë janë ata njerëz që e kanë dashur kaq shumë poezinë. Letrat e tij poetike me babain janë dëshmi e kësaj që shkruaj. Jeta dhe poezia e Petrit Rukës nuk ka asnjë kundërshti. Kur do të vijë koha dhe të shkruhet për të, nuk do të jetë e nevojshme të gërmohet se kur lindi, si quhej nëna e tij, babai e çfarë dashuroi, ku shkeli në rrugët e rrëpirëta dhe ku e ndjeu dashurinë. Ata janë të gjitha në librat e tij; fletë të hapura, të cilat mund të lexohen vetëm me dashuri, sepse ai, gjithë jetën ka falur dashuri.
Poezitë e tij nuk mund t’i lexosh pa ngazëllim. Qesh me vete, çuditesh, ngazëllehesh, lebetitesh, zemërohesh, i kthehesh përsëri, ke dëshirë t’i këndosh, ia thua vetes, ua tregon të tjerëve, nganjëherë edhe kalon rreshtat, bën kujdes të mos i lexojnë nën moshën 16 vjeçare, përpëlitesh… të gjitha këto janë në poezitë e tij.
E di pse e kam të lehtë të shkruaj për Petrit Rukën? Jo nga që është i njohur, bile i famshëm në sofrën e madhe të poezisë, e as nga vitet e shumta të miqësisë sonë, që është bërë tani si verë e vjetër.
Poezia e Petrit Rukës më është e dashur edhe për një arsye tjetër: Më është e tillë sepse njërën rrënjë e ka edhe nga qyteti im, Shkodra, pikërisht nga ai qytet magjik, i cili, jo pa dashje e jo rastësisht, e ka dashur aq fort poetin rebel, arrakat, çmendurisht të dashur, zë kumbues dhe mjeshtër i fjalës.
Petrit Ruka jetoi si poet, dashuroi si poet, është mik si poetët,dhe, edhe në shumë e shumë vite të tjera, deri sa të bëhet plak me mjekër të gjatë e sy lakmues nga bukuria që do i kalojë para syve, dhe gjithnjë kisha shpresuar se do të festojë 100 vjetorin.
Përjetë i jam mirënjohës që baladën e parë në librin e pashoq, “Andej baltë, këndej erë”, ia kushtoi miqësisë sonë.
Edhe atëherë, isha i bindur, se do të shkruante për gjërat që ndodhin nën çarçafë… Si një lab i shkodranizuar, që nuk bën dot ndryshe!
Mjerisht iku…pas tij gjethet në qiell bëhen të yllëzuara.

Kur Flet njeriu me ZEMER-shpreh dhimshuri.njezore! Si shprehet,per te paharruarin shok e koleg,ndare nga jeta, Pertit Ruka-kurohesh.nje ESENIN*- Bedri Islami-Pene ARTE,ne kete shkrim ter rralle.!
.
Faleminderit,i mirenjohuri Pene-ARTE-Bedri Islami,per te mirin;- shok e shkuar shohut,-te ndierin Petrit Ruka ndare ne jeta ne kulmin e veprimtarise tij,Atist i profesinonit te tij, nje jete krijues,bir i Turanit mes Laberise. Bedriu,dhimbien kthyer ne TRINITRINE*per ne dashamiresit e tij nje jete.
Si veteran,une Bir i *Dangellise Naimjane*me *Pasuesit vetrane*, perjetuam tej oqeanit,dhimbie te dyfishta si emigrante,une nje jete MESUES,me verpen e tij jetuar,mes Tiranes..I perjetshem Kujtimi Tij .
Ngushellime families dhe shoqerise i perciel dhe ne emer te Org.*Pasues Veterane*ne Toronto,emigrante nga mbare vendi. Mes tyre- Dhimiter Xhoga,
Bukur, bukur. Proze elegjiake.
Thelbi i gjenise poetike te Petrit Rukes:
“Atij nuk i kanë interesuar kurrë fjalët e mëdha, të kërkuara, të ri ngritura, por ato, të përditshmet, që shprehin ndjenjat më shumë se gjithçka tjetër…” dhe ndaj “poezitë e tij dashurohen, lexohen e rilexohen, i duam dhe do i duam, sepse ai, edhe përmes dhimbjes, ka sjellë e do të vazhdojë të sjellë njerëzoren, të kapshmen, të bukurën, të mrekullueshmen pjesë të jetës.”