Prof.dr. Bardhosh Gaçe
Sa herë vemi në brigjet e Himarës, ndalemi në Dhërmi, te varri i Petro Markos. Është një moment i nevojshëm shpirtëror për të nderuar Petro Markon, këtë personalitet të shquar dhe një nga përfaqësuesit e spikatur të letërsisë moderne shqipe. Petro Marko është ngulitur në kujtesën tonë dhe në letërsinë shqipe për atë që ai solli në këtë letërsi. Sipas mendimit tim, ai është ndër shkrimtarët e rrallë, ku nuk arrin dot të ndash karakterin e tij nga vepra letrare, e cila është kaq e pasur dhe e begatë. Në gjallje të tij, sa herë e takoje, përballë kalonin një galeri e tërë personazhesh, burrështetas zulmëmëdhenj dhe viktima të heshtura. Të gjithë ata që pinin një kafe a kuvendonin me Petro Markon, lehtë vëreje që ata bëheshin edhe më fisnikë, më të çiltër, ndjeheshin më të lirë dhe më komunikues.
Ishte kënaqësi të kuptoje buzëqeshjen e Petro Markos, ajo që çelte në cepin e buzëve, si valë e detit Jon në Dhërmiun e bukur. Buzëqeshja e tij shoqëronte dhe ata që i vidheshin syrit të tij të mprehtë ironik, dhe atyre që ndërronin rrugë në trotuare, pasi i trembeshin lirisë së tij, i cili sapo kishte dalë nga burgu i radhës. Petro Markoja hynte në burg për të kuptuar më mirë lirinë. Në sytë e brezit tonë, përherë ringjallet Petro Markoja, me fatin e vet dramatik, që është një roman më vete. Në Tiranë dhe këtu në Vlorë, sa herë që vinte i përmalluar, me fjalën e tij tërë duf e rebel siç ishte, dallgëzonte jeta e brigjeve të Himarës, gjëmimet e luftës së Spanjës, mërgimet, burgosjet dhe internimet e tij, lufta antifashiste, e mbi të gjitha, ëndërrimet dhe shpresat e njerëzve, si kalorës të idealeve humanitare apo si kalorës dashurish. Në jetën dhe në veprën e tij letrare gdhendet me një mjeshtëri të rrallë dashuria njerëzore në situata komplekse, dashuria mes popujve në ngjarje të mëdha dramatike, por dhe lufta kundër tiranisë dhe tiranëve.
Petro Marko si njeri dhe si shkrimtar ishte human, një njeri ëndrrathyer, ku plekseshin fatet dramatike, por kurrë nuk i kanë munguar vizionet e gjera për njeriun dhe botën shqiptare. Është njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm të prozës shqiptare, të gjysmës së dytë të shek. XX, i cili solli risi në traditën letrare moderne. Duke qenë poet, prozator, dramaturg dhe publicist, ai ushqeu me veprën e tij një art universal e human, të pasur me tipa, karaktere dhe larmi konfliktesh, ndërkohë që hodhi themelet e romanit realist shqiptar, me një poetikë moderne. Në krijimtarinë e tij dhe veprimtarinë e tij Petro Marko shpalosi dhe demonstroi shpirtin e madh, karakterin e fortë dhe fjalën e mençur, duke i dhënë vetes dhe letërsisë shqiptare një profil të spikatur.
Sado që kohët kalojnë, për shkakun e një raporti të thellë që ai ka krijuar me letërsinë dhe me njerëzit, P. Marko duket se është i pranishëm, duke mbetur një personalitet, i cili arriti ta reflektojë njeriun te shkrimtari dhe shkrimtarin tek njeriu. Ai tash do të ishte 106 vjeç. Do të vazhdonte të ishte një karakter burrëror, saqë iluzionet për një njeri të paepur si ai, na duket sikur të jemi ulur diku në brigjet e Vlorës dhe po kuvendojmë me të. Dhe është i natyrshëm ky iluzion, pasi kanë kaluar kaq vite, e ai ringjallet me botimin e veprave të tij, në rrëfimet e njerëzve, në mendimin tonë kritik dhe letrar, te nxënësit e shkollave dhe të studentëve të filologjisë.
Këto raste, gjithmonë reflektojnë kujtesën tonë për këta njerëz të një dimensioni të epërm. Nuk mund t’i harroj fjalët e tij, një mbrëmje vjeshte. Ishte viti 1987, në Ujët e Ftohtë në Vlorë, ku më tha: “Brigjet e Himarës dhe horizonti i përflakur midis Sazanit dhe Karaburunit më kanë frymëzuar përherë t’i shoh shqiptarët duke fluturuar në qiejt e lirisë e të dashurisë!”
Petro Marko u lind në Dhërmi, në një familje me tradita detarie. U shkollua në Vlorë, në Shkollën Tregtare dhe më pas në Athinë. Që në moshë të re, vitet ‘30-të merret me gazetari, me tregime dhe shkruan poezi. Petro Marko ishte një njeri kurajoz, i fortë dhe konkret. Shkoi në luftë në Spanjë me një grup shqiptarësh për të luftuar fashizmin spanjoll, dhe pasi kthehet në atdhe në vitin 1940 internohet në Ustika të Italisë. Në vitin 1944 kthehet në Vlorë dhe Tiranë dhe merr pjesë në lëvizjen kundër nazi-fashizmit.
Petro Marko – biri i shquar i Dhërmiut të Bregut, filloi të botojë krijimtarinë e vet letrare që në vitet ‘30-të të shekullit XX, atëherë kur poetët e këtij brezi, me në krye Migjenin, kërkonin dhe dëshironin të krijonin një fytyrë të re të letërsisë dhe shoqërisë shqiptare. Ka një fakt interesant mes Petro Markos, i cili po nisej për në Spanjë dhe poetit të mjerimit Migjenit, i cili i thoshte luftëtarit të Spanjës: “Do të vija në Spanjë së bashku me ty, po shih si jam ligështuar. Miku im, nisja jote për në Spanjë është poema jote më e bukur”. Dhe Petro Marko udhëtoi si kalorës i lirisë në brigjet e Spanjës, duke thirrur: – Rroftë jeta!
Në Spanjë Petro Marko njohu poetët dhe shkrimtarët e shquar të letërsisë botërore si Neruda, Marlo, Gilen, Nekse, Ludvik Ren, Ehrenburgu, Heminguei, Aleksei Tolstoi të cilët i kanë dhënë letërsisë dhe shkrimtarit tonë hapësirat humane të shpirtit, por dhe të artit.
Petro Marko është njëri nga shkrimtarët që jetoi intensivisht dhe intelektualisht tri epoka; periudhën e Mbretërisë shqiptare, periudhën e sistemit totalitar dhe agimin e shoqërisë demokratike shqiptare. Të tri periudhat, Petro Marko i jetoi si shkrimtar dhe intelektual, i cili shquan për bashkëkohësinë si njeri dhe shkrimtar.
Krijimtaria në prozë e Markos fillon nga vitet 1935 e deri sot, e cila ka mbetur e tillë, asaj nuk mund t’i shmangesh dhe as t’i ikësh, pasi në të ka një ind jetik dhe të domosdoshëm, për të kuptuar prozën nga rrëfimi, personazhin letrar nga ai i përditshëm, heroin nga njeriu i zakonshëm, dashurinë nga urrejtja, të “sendërtuar” në strukturën rrëfyese të prozës së shkurtër dhe atë të gjatë. Petro Marko është njëri nga shkrimtarët më realistë të kohës së tij dhe të kohës sonë, pavarësisht se mjeshtëria artistike që ai demonstroi në krijimtarinë e tij, e afronte atë me një lloj “realizmi magjik”,
Ardhja e Petro Markos në letërsinë shqiptare përbënte një moment të rëndësishëm zhvillimi, në romanin shqiptar, ku shquan një lloj humanizmi real, me një koncept të dukshëm të dashurisë njerëzore dhe me një raport universal të këndvështrimit të jetës. Petro Marko ka shkruar romane, të cilët shquhen për konceptet dhe fondamentet e lirisë njerëzore në kuptimin universal. Romanet si: “Hasta la vista” (1958, roman), “Horizonti” (1960, poezi), “Qyteti i fundit” (1960, roman), “Një emër në katër rrugë” (1973, roman), “Nata e Ustikës” (1989 roman), “Çuka e shtegtarit” (2001), përbëjnë një trashëgimì të rëndësishme të romanit shqiptar në përgjithësi, pa harruar edhe romane për fëmijë dhe të rinj, si: “Shpella e piratëve”, “Halimi”, “Griva”, “Ultimatum”, “Fantazma dhe plani tre plus katër”. Në vitin 2001 atij iu botua vepra ku reflektojnë shumë çështje edhe të jetës së tij të titulluar “Intervistë me vetveten”.
Petro Marko njihet si një shkrimtar realist, i prirë për të “reflektuar” konceptin e lirisë njerëzore në situata dhe konflikte të ndryshme, pasqyruese të plagëve të shoqërisë, mjerimit, varfërisë, pabarazisë në shoqëri, fenomene të tjera të përhapura, të cilat i ka shprehur me dhimbje, trishtim dhe me revoltë. Letërsia e tij përmes romanit kryesisht ndërtoi një alegori të qëndrueshme dhe të kuptuar mirë me kohën dhe me zhvillimet, përmes të cilës ai ka evokuar një metaforë qëndrese përballë fatit historik të vetes dhe të shoqërisë. Ndoshta në letërsinë e shkruar prej tij, autori ka reflektuar jetën e tij, pasi jeta e Petro Markos ka qenë me lëkundje të mëdha, me të papritura dhe me drama të thella, qoftë në Dhërmi, Himarë, Tiranë, Athinë, në Spanjë, në Ustika e kudo ai shkoi dhe jetoi. Në romanet e Petro Markos ka një qasje moderne e bashkëkohore në trajtimin e dukurive, fenomeneve dhe të personazheve, karaktereve dhe zgjidhjet e konflikteve në të cilët ato mbahen, duke i dhënë gjithë romanit shqiptar shqisën e një trajtesa bashkëkohore.
Romani “Hasta la vista“, është një nga romanet më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, pasi ai ka një gjetje të rëndësishme, duke qenë ndërkohë dhe një tip i ri romani në letërsinë shqiptare. Romani kishte prurje interesante mbi karakteret dhe personazhet, nga struktura dhe “definicionet” e nënkuptuara nga lexuesi. Është një roman që ngjan me një strukturë të hapur komunikimi, për shkakun e larmisë që autori i jep ngjarjeve, linjave të konfliktit dhe meditimeve të personazheve. Është një roman që ka në të gjithë hapësirën e vet luftën e brigadave vullnetare nga gjithë Evropa kundër fashistit Franko. Romani “Hasta la Vista” përbën gjithashtu një fond të letërsisë botërore me një temë dhe një ngjarje të tillë, pasi për ngjarjet e kësaj kohe kanë shkruar dhe shkrimtarë të tjerë të njohur, Ernest Heminguei, por dhe poetët e shkrimtarët Neruda, Marlo, Gilen, Nekse, Ludvon Ren, Ehrenburgu. Romani është një homazh për jetën.
Një pamje dhe dimension të rëndësishëm shpaloset në romanin “Qyteti i fundit“. Romani zbulon luftën në dy pamje; nga njëra anë jetën e partizanëve që luftojnë për çlirimin e vendit dhe në anën tjetër, atë të ushtarëve italianë dhe familjet italiane që kthehen në vendin e tyre. Është një roman me tipa, karaktere dhe ngjarje interesante. Pasi Italia ka kapitulluar, ushtarët italianë të mbetur në vendin e huaj, përjetojnë ankth dhe trishtim. Dashuria e togerit shqiptar Leka Gurra me një prostitutë italiane, me ç’rast shkrimtari shpalos shpirtin human të kohës nga njëra anë, reflekton edhe dramën që zakonisht sjellin luftërat e kësaj natyre.
Zakonisht në temën e luftës, Petro Marko solli personazhe të rëndësishëm dhe të veçantë në prozën shqiptare dhe arriti të shtjellojë ide dhe angazhime, që letërsia perëndimore i kishte në temën e ditës. Romani “Një emër në katër rrugë” ka atmosferën e luftës, kur vendit ishte nën sundimin e mbretit Zog, kur vepronin grupet antifashiste dhe çetave partizane, të cilat ishin të detyruara të rrinin në ilegalitet, një temë e njohur dhe e shkruar me realizëm nga Petro Marko. Ndërsa romani “Stina e armëve” sjell një kronikë të njohur të kohës, kryesisht atë të luftës partizane në krahinën e Vlorës dhe të Bregdetit, protagonist i të cilit është Zaho Koka dhe çeta e tij. Në pjesën më të madhe të personazheve të romaneve të Petro Markos ka elementë biografikë të vetë autorit, i cili në jetën e zakonshme ka qenë një nga njerëzit më aktiv të kohës.
Romani “Nata e Ustikës” është një gjetje tjetër rrëfimtare në prozën shqiptare, ku pleksen elementë të shumtë realistë me fatin e autorit dhe të gjashtëqind të burgosurve të tjerë në Ustikë të Italisë, në një ishull afër Sicilisë. Autori me një mjeshtëri të rrallë përshkruan gjendje njerëzore jo të zakonta, ku bie në sy përpjesëtimi i raporteve mes ngjarjeve, personazheve dhe ekuilibrave, që domosdo duhet të jenë të pranishëm në këto raste. Në një strukturë komunikuese të një romani kjo është e rëndësishme.
Petro Marko është një nga romancierët dhe shkrimtarët e dimensioneve të mëdha njerëzore. Në romanet e tij, shpalosen një marrëdhënie e gjerësishme njerëzore, nga të gjitha shtresat, në të cilat mund ta gjejë veten çdo njeri i botës. Dramaciteti, ngjarjet, rastësitë, këndvështrimet, raportet, marrëdhëniet, të cilat vijnë si rezultat e konflikteve dhe “aventurës” romaneske (fictions), bëjnë të pranishme tema të mëdha të shoqërisë njerëzore, ku bie në sy humanizmi, pavarësisht tipizimit dhe ngjarjeve të njohura mbi të cilat ndërtohen subjektet e tyre. Kështu romanet e Markos kanë jetë, kanë kumt të thellë njerëzor, kanë praninë e besueshme të njeriut me gjithë fatin dhe kompleksitetin e tij, qoftë dhimbjes, dashurisë, ëndrrave apo dhe zhgënjimeve.
Asnjëri nga romanet e tij nuk ngjan me tjetrin, qoftë në strukturën rrëfyese, personazhet e secilit roman janë si një njohje e re, një realitet i ri dhe një qëmtim origjinal. Kjo ka të bëjë me aftësinë e shkrimtarit për të krijuar marrëdhënie të drejta dhe të qëndrueshme me realitete jetësore, por dhe me mesazhin që zakonisht përcjell letërsia artistike si e tillë. Prandaj Petro Marko, sa herë ka shkruar romane, duket, se ai po tregon histori të vërteta.
Marko e përdor mjeshtërisht personazhin, formimin dhe tiparet e tij për të “prezantuar” kohën në plotësinë e saj metaforike dhe thellësinë e saj psikologjike. Ai i përdor me një racionalitet të habitshëm subjektet, konfliktet, kohën, duke i vënë rëndësi komunikimit me lexuesin. Personazhe të mrekullueshëm në romanet e tij arrijnë të zbulojnë kohën, ata krijojnë një linjë komunikimi mes lexuesit, shkrimtarit dhe kohës.
Petro Marko është një fenomen letrar në letërsinë shqiptare, jo vetëm për tematizimin e larmishëm që krijimtaria e tij ka në të gjithë shtrirjen e vet, por të stilit, tipizimit, personazheve, mjediseve, karakterin komunikues të natyrës universale, të prerjes social – historike të botës etnopsikologjike, të kurajës dhe guximit prej luftëtari të emancipuar për ta rrokur kohën në gjerësinë e saj. Proza e tij ishte një prozë bashkëkohore, moderne, ajo ndërtonte një metaforë komunikuese me kohën kur u shkrua edhe më vonë. Proza e Petro Markos i ka dhënë letërsisë shqiptare konceptin e një letërsie moderne me të gjithë elementët e saj.
Petro Marko – shkrimtari ynë i magjishëm e rebel vuajti tmerret e burgjeve dhe të internimeve fashiste e totalitare, tmerrin e ndalimit të botimit të veprave letrare, persekutimin e familjes dhe të fëmijëve të tij, përjashtimin nga tekstet shkollore dhe universitare, por pavarësisht gjithë kësaj drame personale dhe familjare, ai është i pranishëm, pasi vepra e tij është themeli i romanit realist shqiptar, duke qenë ndër romancierët shqiptar, që i çeli udhën romanit bashkëkohor modern.
Dy javë para se të vdiste, Petro Markoja më ka thënë:”- I kam lënë amanet Xhevahir Spahiut dhe Moikom Zeqos, kur të vdes, më varrosni në brigjet e Jonit, në Dhërmi, se edhe në varr do të kuvendoj me brigjet shqiptare të Himarës. Varrin ma bëni me gurë të mëdhenj. Mama Milla më ka thënë, se kur linda unë, një dëborë madhe kishte mbuluar Vetëtimat dhe brigjet. E di. Edhe kur të vdes, ditë me dëborë do të jetë.”
Dhe ashtu ndodhi në të vërtetë.
Gjithmonë, atje në brigjet detare të Dhërmiut, duket se shpirti rebel, me atë botën e thellë mesdhetare të poetit do të meditojë vargjet brilante:
Rrëmbem’ o dallg’ e bukur si pirati,
Dhe më bashko me kapedanë trima,
Zemër- delfina e t’ashpër vetëtima
Te kull’ e Jetës ku na shkruhet fati,
Të derdhemi, o dallgë, e ta hedhim n’erë!
Të shoh edhe unë- edhe në parëverë!

Gace më solle tej Oqeanit, personalitetin e te Madhit Petro Marko,une MESUES, jetuar me Të,nje nga Pikat me lulmore te jetes Tij, pas Spanjes, Nje muaj ne Malesine e Tiranes,ate ne Tamadhene ,(Shupalit),mes *Malit Megropa*,deri ne Qafshtambe,me ne perendim vargun Kruje-Dajt,atje ne fshati BULCESH,ai marre subjektin deri nje nga personazhet kryesore, vajze malsore, te atij fshati,qe per ta njohur,karaktrein e plote tipik te nje vajze malsore,do ta merte deri ne shtepi , krah Safos se nderuar bashkeshorte (me dy femije engjej.)..,piktore ne ato dite krijimi… E di qe romani *Arra ne MAL*,ju ndaluar, pas botimit nga organet e kohes….Nuk me harroet Portreti i tij i rralle me ate Cigaren qe se hiqte nga buzet e tij te florinjta,nga o shkonte ,sidomos ne lokalin *Kursal* dikur.
Te pa haruara jane dhe vizitat e mia ne shtepine e tij atje perballe Maternitetit Tirane,teksa i sillnja *EREN* e asaj malesise se Shupalit(Tamadhe e dikurshem, qe me Benden e Shengjergj-Shenmerise,kane historite e tyre). Nuk e di si ju ka shpetuar kjo,pa e paraqitur ne kete shkrim te persosur Tuajin, per te rrallin Shkrimatr Atdhetar sa internacionalist Petro Marko.Ai muaj Korrik1966, me te dhe kolegun Dalian Shapllo,per mua jane te pa harruara.(Nje foto te tij mes mesuesve te Zall-mnerit e kam te fiksuar ne librin tim *Ne GJURMET e JETES*faqe 89). Sot 83 vjecar tej oqeanit,si Ai dikur , une kaloj kete pleqeri te dhimbeshme, se jam larg atdheut. Faleminderit shtetit Kanadez(Toronto),per trajtimin,sa gjithe emigranteve nga mbare trojet Shqiptare. Faleminderi i nderuar Pr Dr.Bardhosh Gage, kete *TRINITRINE*,risjelle mua ne jete..(sa kaluar ne *Ishemi Cerebrale{,mire qe mjeket Kanadezë, ma bene TRANZITORE) ,me kurimin bere. MIRENJOHIE.) . I perjetshe Kujtime dhe vepra e te madhit Petro Marko.
Petro Marko kollos i -shkrimtar -njeri i virtuteve te larta -qe frymzojn brezat qe vijn ,shkrim i mrekullushem i autorit dhe nj bravo te sinqerte per gazeten Dita
Tetori atë vit nuk ishte ftohur ende. Dielli ngrohte, e asfalti i rrugëve të qytetit nga bitumi i uzinës, vazhdonte që të ngjitej pas shollëve të këpucëve që shkelnin mbi të. Profesor Shuteriqi ngriti këpucën si për të na thënë së konstatimi i tij nuk ishte i vështirë për këtë qytet që perfshihet në zonën me të nxehtë të vendit. Kodrat e rrumbullakosura të Dumres si dhe ato të Shpatit të poshtëm që vinin e rrëzoheshin afër Cërrikut, në lagjen Malasej, ku sapo le qytetin për të marrë rrugën e Elbasanit, sipas kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ishin shkaku i vetëm që nuk e thyente këtë nxehtësi të padurueshme e tej cfilitëse.
Kamarieria vendosi në tavolinë nga një gotë dhallë të ftohtë. E kishte kërkuar Petrua.
Dritero Agolli një karrike më tej heshtëte edhe pse herë pas here vinte buzën në gaz sa herë që shkrimtari nga bregu përmendëte jetën e çobanit në malësitë e Çikës deri në bregdet. Mësuesi im i letërsisë, Hyjniu, që i kishte sjellë këta tre autorë më në zë të asaj kohe, në Cërrik, në “takim me lexuesin”, nuk dukej i qetë në karriken pranë profesor Dhimitër Shuteriqit. Përtej vitrinave të mëdha të lokalit një grup grash nga ato të ndermarjes së fermentimit, nxitonin për tek kinoklubi i qytetit. Konturi i trupave të tyre nga avujt u duk i përçudnuar, të zbehta, si një masë amorfe pa formë që kaluan bri lulishtes së të vetmit lapidar të qytetit i cili kishte fiksuar datën e krijimit të batalionit partizan të zonës gjatë luftës. Me sa dukej do ti kishim aty në sallë. Në çast fillova të vras mendjen se çfarë i lidhte ato me letërsinë. Ishin thjeshtë gra puntorësh, shumica prej tyre pa ndonjë formim të plotë arsimor.
Petro Markua u kollit, pastaj vuri shuplakën e dorës mbi kraharor dhe mbylli qerpikët në çast. Mbase ndjeu dhimbje..
– Cest un cadeau de fume – i tha në gjuhën frënge Shuteriqi që nuk e kishte prekur akoma gotën që i solli kamarieria.
Himarioti tundi kokën e madhe me kaçurela.
– E di, e di. Ka një jetë të tërë që po më mban peng. Ma thonë shpesh edhe doktorët. Por ky i mallkuar është si e dashura e parë që bën ta lesh dhe nuk e haron dot. – nxori një zë të mbytur Petrua. U kollit.
– I thashë që e ka dhuratë nga duhani – tha kryetari i Lidhjes duke na u drejtuar ne të tjerëve që nuk dinim frëngjisht, ndonëse u kuptua nga përgjigja dhe krahasimi me dashurinë e parë që bëri autori I “Hasta la vistës”
Dritëroi pas kësaj propozoi që të lëviznim se për gjysëm ore duhej që të fillonte edhe takimi në kinema. Dhimitër Shuteriqi e ktheu gotën e dhallës në këmbë. Ne të tjerët lëvizëm karriget dhe Hyjniu nxitoi tek banaku pa pritur që të vinte kamarieria sërish tek ne
Ishim vënë shumë shpejt në udhë. Kaluam pranë postës e lulishtes së qendrës së qytetit nën rrëfimin e këndshëm për historinë e Cerrikut e treguar nga një mjeshtër i rrallë si profesor Dhimitri, i cili e lidhte atë edhe me kujtimet nga fëmijëria e tij, kur kalonte me të atin shumë vite të shkuara për tek disa miq të familjes në Dumre. Kur u kthyem drejt qendrës së lulishtes rrugën na e zuri në një mënyrë të beftë një njeri.
Malo Sherifi qendronte përpara nesh si një bust. Me dy duart të lidhur nga pas e me këmbët paksa të hapura duke e fiksuar të majtën pak më përpara, ngriti fytyrën lart duke e tërhequr mbi supin e djathtë. Piceroi sytë e hirtë e u duk se u mbush me frymë duke e tërhequr përbrenda kraharorin e hollë e të rreshkët që dukej i fshehur pas një këmishe fanellatë gri.
-Pertro, a më njeh? Jam Malo Sherifi nga Gramshi – tha plaku me një zë si bubullimë.
Tjetri nuk i u përgjigj. Lëvizi cigaren në buzë sikur donte ta rrotullonte me dhëmbë e pastaj tundi kokën lehtas.
Ne të tjerët kishim qëndruar
– Si jo. Kemi qenë bashkë në burg gjatë luftës. Më ke kërkuar para ca kohësh edhe një deklaratë si njeri i lëvizjes. – i u përgjigj qetësisht bregasi ndërsa mbante tani cigaren në dorë duke mos i a ndarë sytë njeriut që kishte përpara.
Njeriu që na rrinte përballë lëvizi sytë e vegjël gri
– Mirë, mirë… po nuk ma dhe se…
Plaku u drejtua dhe na hodhi vështrimin ne të tjerëve, sikur të kërkonte arsyen e asaj pse – je. Profesor Shuteriqi vendosi çantën e zezë nën sqetull. Dritëro Agolli ishte kthyer nga lulishtja e qytetit, sikur të mos ishte mes nesh aty. Hyjniu një hap më pas buzëqeshte si i zënë në faj.
– Eh, – bëri dhe u mbush me frymë – nuk të zemërohem dot, Petro. S’ka gjë pse nuk ma dhe atë deklaratë. Edhe pa të mua më njohin mirë këtu në Cërrik. E dinë se ç’kam bërë dhe se si e kam luftuar unë fashizmin. Më nderojnë si veteran. Petro, nuk të mërzitem unë-ë. E di që ke patur shumë punë. Ja me këta shokët e qeverisë, atje në Tiranë. Shkruan libra. I lexojnë edhe fëmijët e mij. Të na rrojë partia dhe shoku Enver. E paçim me malet. Po eja e na dil për një kafe nga shtëpia, bashkë me këta shokët e tu. Të të njof edhe me plakën time që më priti si burrëreshë e sorkadhe mali ato vite.
Dhimitër Shuteriqi kaloi çantën e lëkurës në dorën tjetër. Dritëroi ishte indiferent. Petro Marko e thithi dhe pastaj e hoqi cigaren nga buzët. Ngriti dorën tjetër dhe gishtrinjtë i futi brenda kaçurelave gjysëm të thinjura. Donte që të thoshte diçka, por u duk se u pendua. E pa drejt e në sy veteranin.
Tha:
– Më bëhet qejfi. Si e ke tani gruan?
Shkrimtari u kthye nga Hyjniu sikur donte ti kërkonte që të lëviznim për tek kinemaja ku na prisnin. Ishte vetëm tridhjetë hapa larg nesh.
– Gruaja? Mirë është. U plak tani. Do ti bëhej qejfi të na priste që të gjithëve, kështu siç jemi. Për një kafe e një gotë raki gramshi. Ma zien im vëlla atje që është merakçi. E ruan për miq të mirë. Ma fsheh se unë atë jallane se le dot. E dua çdo darkë.
– Faleminderit. Nuk kemi kohë tani. – tha Dhimitër Shuteriqi e pa orën sikur donte që ti thonte se ishim vonë.
– Malo, – nxitoi që të thoshte Hyjniu
Tjetri kishte zgjatur një gjysëm hapi përpara dhe i hodhi vështrimin shkrimtarit. Një çast ngriti pak supin e djathtë e donte që të thoshte diçka por që në moment u duk se e haroi.
– Këta shokët kanë organizuar një takim me qytetarë e naftëtarë këtu në kinema. – i u përgjigje Petrua njeriut që kishe qenë në burg me atë gjatë viteve të luftës.
– Mbase një herë tjetër. – foli Hyjniu
– Rri ti se nuk e kam llafin me ty, se gjitonë jemi dhe nuk ma ke parë një herë derën e shtëpisë.- Ngriti zërin Malo Sherifi e u duk se u bë nervoz. Dallova se i dolën cikla pështyme nga goja kur fliste me ish mësuesin tim. – Dua që ti rrespektoj këta njerëz. Më kupton apo jo?
– Do ti ftojmë përsëri xha Malo – u shfajqësuar tjetri. – Ja ku doli edhe drejtori. Nuk mund që ti lemë tani gjithë ata njerës në sallë që të na presin.
Në derë ishte shfaqur Rustem Disha, drejtori i institucionit, dhe na buzëqeshte që atje tej. Pranë nesh kaluan dy a tre gra që dukeshin se ishin ende me rroba pune.
– Po u presim. – tha dhe hapi rrugën që të kalonin gratë të cilat u futën brenda në koridorin e madh atë çast përpara portës së shfaqieve të filmave.
Ne lëvizëm pastaj pasi u ndamë me Malo Sherifin duke dëgjuar prej tij se ishte shumë i mërzitur se nuk e kishte rrespektuar Petro Markon dhe shokët e tij të ardhur nga Tirana, duke e pritur në shtëpi. Më pas e pashë që u drejtua tek disa moshatarë të tij që luanin domino aty në lulishten e vetëm në qendër të qytetit tonë të vogël e punëtor. Por Rustemi na kërkoi ndjesë një minutë më vonë duke na thënë se duhej që të prisnim edhe disa minuta, ndoshta dhjetë e pak më shumë atje lart në zyrën e tij, në pritje që të vinin puntorët e turnit të parë të uzinës së naftës. Ashtu bëmë. Ngjitëm shkallët dhe u rehatuam në kolltuqe. Mbetëm përsëri vetëm pasi drejtori zbriti poshtë për tu kujdesur që salla të ishte plot.
– Petro, po çishte ky, që na doli përpara. – pyeti Dritëroi. – Nuk i kishe dhënë as edhe deklaratë? Keni qenë shokë burgu.
Petrua hodhi vështrimin përtej xhamit të dritares së madhe që kishte përpara ku shquheshin konturet e disa pallateve të vjetra tip rus dy katëshe të ngritura që me fillimin e ndërtimeve të uzinës tre kilometër më poshtë.
– Ka një histori ky njeri – tha pastaj shkrimtari dhe ndezi një cigare dhe fijen e shkrepses e hodhi të pa shuar në një mbajtëse të qelqtë mbi syprinën e tavolinës . – E sollën midis nesh në burg. Italianët dyshonin se ishte komunist. Diku nga fshati i tij ushtria po hapte një rrugë strategjike dhe do të lidhte Gramshin me Korçën. Me sa dukej punohej pranë shtëpisë së tij. Duhej që të ishte i sapomartuar dhe punonte për kafshatën e gojës aty. Na tregonte at’here që një ditë afër drekës kishte parë një ushtar që zbriti tek shtëpia e tij. Ndoshta për të pirë ujë, se kohë vape do të ishte në atë çast. I sapoburgosuri e kishte parë edhe dy a tre herë të tjera. Mbase e kishte gruan e bukur. Ku i dihej? Por me sa dukej italianit i kishte hypur në kokë. Të rrinj, djemuri, e të ardhur që përtej nga apeninet, por edhe nevojë fiziologjike, edhe pse ishin pushtues. E la punën dhe zbriti fshehurazi në shtëpi. Dyshimi nuk e kishte gabuar. Dhe pa atë skenë që nuk do të kishte qejf që ta shihte asnjë burrë i martuar. E qëlloi me sopatë dhe e la në vend. Pa u larguar ende nga shtëpia, ushtria italiane e zbuloi dhe dorëzoi si vrasës tek ne në burg. Hetuesit kërkonin që të zbulonin grupin komunist pas tij, sepse si guerilas e akuzonin. Po mbase kështu u interesonte për ta mbyllur atë vrasje dhe jehonën që shkaktoi ajo në zonë, por edhe për ta justifikuar ushtarin e tyre dhe moralin e pushtuesit. Nuk e pranonte gramshaku. “E vrava Xhuzepen për të mbrojtur nderin tim dhe të familjes sime. Nuk kam të bëj aspak me komunistët dhe nuk më interesojnë ata. – thërriste ai sa herë e hetonin në një qeli pranë nesh.- Mos më ngatëroni mua me punët e tuaja- na thoshte ne sa herë i a përmendnim vrasjen e ushtarit Xhuzepe. Nuk jam si ju. Jam thjeshtë hallexhiu që vrau dikë sepse tentonte që të ç’nderonte gruan forcërisht. Më kuptoni?
Vonë, shumë vonë më kërkon një deklaratë për të marrë shpërblimin e luftës. Kishte shkruar një letër në adresë të Lidhjes së Shkrimtarëve, sepse atë të shtëpisë nuk ma dinte. E lexova disa herë por nuk vendosa. As edhe ti ktheja përgjigje. Thoshte aty se kishte qenë një luftëtar i vendosur gjatë luftës për liri dhe se ushtarin Xhuzepe e kishte vrarë thjeshtë për patriotizëm dhe si kontribut për çlirimin e shqipërisë nga okupatori.
– E paske tregim të plotë këtë Petro. Nuk e di në se e ke shkruajtur – foli Hyjniu pas atij rrëfimi.
Shkimtari tundi kokën dhe u ngrit nga kolltuku e shkoi që ta fikte cigaren e mbaruar në mbajtësen e qelqtë mbi suprinën e tavolinës e pastaj u kthye qetësisht në kolltukun e tij.
– Nuk i a durova atë kapardisjen – tha Dhimitër Shuteriqi
– Petro, nuk na the në se e mbajtën deri në fund Malo Sherifin me ju komunistët, apo… – pyeti Dritëroi për të bërë humor
– Jo, jo. E hoqën pas dy muaj, në mos gabohem. Nuk ishte si ne. Atë kohë ne po përgatisnim planin e arratisjes. Luftë.
– Çudi, – pyeti Hyjniu – po si e mbajte mënd që nga ajo kohë Malo Sherifin?
– Ah! Veçse për kujtesë mos fol me Petro Markon. Eshtë fenomenal në këtë fushë. Histori e gjallë – tha Dhimitër Shuteriqi që më shumë kishte heshtur në këtë histori. Pastaj si për të ndryshuar temën e bisedës u ngrit në këmbë. – Të shpijmë edhe pak këmbët se poshtë tavolina na pret përsëri.
Rustem Disha nuk e mbajti fjalën. Kishin kaluar afro tridhjetë minuta. Erdh dhe kërkoi falje dhe na ftoi që të zbrisnim poshtë në sallë.
* * *
Atë natë nuk më zuri gjumi fare. Disa orë më parë kishim lënë sallën dhe Petron, Dhimitrin e Dritëroin i përcollëm në buzë të mbrëmjes, kur yjet ende nuk kishin feksur lart në qiell, dhe Cërriku ishte në pritje për tu ftohur nga vapa e mesditës. Erdhi dhe i mori shoferi i lidhjes që ishte kthyer që në mesdite tek disa njerëz të gruas së tij në Elbasan. Më erdhi ndër mend njohja e takimi i pare me shkrimtarin nga bregdeti tre vite të shkuara tek ”Kalaja e Ujit të ftohtë”. Në të dalë të qytetit të Vlorës, aty mbi shkëmb ku udha merr e të çon nën bregoret e Jonufrës e të përcjell buzë detit për në qytezën e Orikumit, që është ngritur nën këmbët e llogarasë, ku dhe thonë, se era flet me perënditë e maleve të vetëtimave që ngrihen e zënë shtat mbi brigjet e jonit duke lënë në buzë të këmbëve të tyre fshatra e njerëz që ngrihen e rriten me gjuhën e zotave.
Ishte një mbasdite gri në fillim pranvere. Petro Markon e gjetëm të vetëm dhe të ulur në një cep të fushëz së vogël të atij shkëmbi që ngrihet disa metro thikë mbi dallgë, e që vlonjatët e quajnë thjeshtë kala. Poshtë deti lëpinte gurët dhe zhavorin e imët që shërbente gjatë verës si plazh intim për ndonjë çift të arratisur nga qytetit, larg syve të të tjerëve. Na kishte sjellë rruga aty së bashku me një të afërmin tim që më kishte propozuar ta kalonim atë mbrëmje në Tragjaz tek çurajt, ku ishte dhënë një kushurirë e jona njëzet e ca vjet të shkuara. Aty do të na vinte të na merrte një makinë e ndërtimit që do të na çonte deri tek kthesa e fshatit.
– Ky është Petrua – më tha shoqëruesi im. – A e njeh Petro Markon, atë romancierin që ka shkruar edhe një libër për Gjormin? Se edhe ti shkruan vjersha. Hajde bëjmë edhe një dorë muhabet deri sa të vij makina e të na marrë.
Unë qëndrova pa e ditur se çduhej të bëja më tej. Më erdhi zor edhe pse kuptova qe shkrimtari ndoshta e kishte kërkuar këtë moment reflektimi aty mbi det. Mbase mendonte dhe skiconte ndonjë veprër të ardhshme në ato çaste, por edhe mund që të rikujtonte ndonjë mbresë a ngjarje që kishte të bënte me të kaluarën e tij… Doja që ti thoja propozuesit se ishte e tepërt që ti prishnim qetësinë Petro Markos në atë vend, por ai nuk priti më. Tha një “e njoh prej vitesh” dhe u shkëput prej meje. Unë bëra sikur kërkoja diçka nëpër xhepa dhe qëndrova prapa. Kur hodha sytë për atje i pashë që romancieri ishte ngritur në këmbë dhe po përqafoheshin si dy të njohur të vjetër. Pastaj im kushëri ma bëri me dorë që të afrohesha e të mos rrija si një “çupë e turpshme” aq larg.
– Eja dhe mirruni vesh se të letrave jeni që të dy – tha e qeshi që atje tej si pa faj.
Mu duk sikur i gjithë qielli më ra në atë çast mbi kokë. Duhej që të isha bërë si një lulëkuqe vere…
Kishim folur më shumë për romanin “Stina e armëve” ku shumica e ngjarjeve zhvilloheshin në Gjormë, se ato i interesonin më shumë kusheririt tim fjalaman, e shkrimtari na tregoi se cilave ngjarje e njerëz u ishte drejtuar në krijimin e tij. Doli se shkrimtari i njihte edhe babain e një kushëri tjetër të prindërve tanë. Pastaj na tha se po shkruante disa “gjëra të vogla” si dhe po i rrikthehej poezive të dikurshme të botuar më parë në shtypin e kohës.
Pas nesh erdhi e u shfaq një djal i ri flokëverdhë që i kërkoi falje Petros për vonesën që atje tej tek bordura e betontë. Tha që ”ishte qethur tek Dhimua”. Dukej që bregasi e priste prej kohësh.
– Është njeriu im nga konomasit që banon në “Ujin e ftohtë”, pranë kampit të puntorëve – tha shkrimtari dhe i thirri në emër. – Atje po qëndroj ca ditë.
Kur nuk i kishim mbaruar ende përshëndetjet me të sapoardhurin mes nesh, atje lart në rrugë u dëgjua boria e një mjeti. Ishte i yni dhe po na priste për udhë. .
* * *
Por takimi i Cërrikut më kishte mbetur në mëndje për shumë kohë. Madje e kujtoj edhe sot shpesh me një lloj nostalgjie që naftëtarët e qytetarë e mij të mirë e të thjeshtë u treguan vërtetë lexues klasi. Njohës të mirë të letërsisë e arteve në përgjithësi. Këtë e dëshmuan pyetjet dhe interesi i tyre tepër i lartë për të mësuar nga bota e letrave. Oratoria e Petro Markos shkëlqeu në atë salle si askush. Foli pas të tjerëve por fjala e tij ngjiti aq shumë sa që nuk rreshtën pyetjet për të kur u ul në tavolinë mes Dhimitër Shuteriqit dhe Dritëro Agollit. Mbajti ca çaste shënime e në fund u ngrit e tha gjithë humor,
– E po përgatituni ta gdhijmë sonte këtu në Cërrik, e qytetin ta lemë së bashku pa gjumë.
Ne që ishim në sallë qeshëm. Qeshën edhe gratë e duhanit që na kishin kaluar para xhamave të mëdha tek ”Bufe Ylli”, ndërsa pinim për tu freskuar dhallë që e përgatiste Hajredin Tana, një guzhinier i mrekullueshëm por edhe njeri i apasionuar pas teatrit ku shpesh merrte rrole që cërikasit i kujtojnë ende. Më bëri përshtypje që edhe pse kishin kaluar më shumë se dy orë në atë takim me shkrimtarë në kinemanë e qytetit nuk kishin lëvizur nga vendi edhe pse që të gjitha i prisnin detyrimet shtëpiake, burrat që vinin nga puna dhe uzina, fëmijët…
Disa vite më vonë, në një tjetër kohë, pas më shumë se tridhjetepesë vitesh, at’here kur bëja gazetarin e reporterin e terenit në Elbasan, u ndodha me Hiqmet Bedhinë, një ish saldator që punonte në repartin mekanik të uzinës, e që shumëkush e njihte në Cërrik si të apasionuar e të çmendur pas librave, edhe pse nuk kishte bërë shumë shkollë at’here. Ai tani bënte pensionistin edhe pse nuk ta jep shumë moshën në fytyrë. Pinim kafen e mbasdites në ”Bufe Artisti” që është edhe qendra e qytetit. Ishte viti i mbrapsht kur kishin shpërthyer depot e armatimit e shumëkush largohej menjëherë sapo kalonte mesdita për tu mbyllur në shtëpi. Si dy cërrikas të vjetër kujtuam gjithçkah nga ajo periudhë, por kryetema ishte dhe mbeti Petro Markua në atë takim.
– E di ti se ç’reng kishte bërë atë ditë ai Rustem Disha, drejtori i kinemasë sonë? – më pyeti e më pa drejt e në sy. – Kishte shkuar një ditë më parë tek punishtja e duhanit ku punonin shumica e grave tona dhe kish vënë atje një njoftim. ”Nesër në orën 15.00 në kinemanë e qytetit organizohet një takim me mjekun gjinekolog të Elbasanit, Mexhit Kruja. Lutemi të merrni pjesë e të flisni për problemet tuaj shëndetësore” Kaq u desh pastaj, që salla të mbushej dingas sa që erdh një çast ku nuk mund që hidhje as edhe kokrën e mollës aty. Por kur foli Petrua me shokë, mbetën që të gjitha aty edhe pse kishin nxituar për të takuar doktorin.
I tregova, se shkrimtarëve atë mbrëmje, por Petros në veçanti, ndërsa po i përcillnim me mësues Hyjniun, u kishte mbetur në mëndje ajo shprehja e tij, kur sapo i kish mbyllur përgjigjet shkrimtari që kishte shkruar romanin ”Hasta la Vista”, i cili u kishte pushtuar mëndjen dhe zemrat në atë kohë gjithë shqiptarëve, ”Na kënaqët o njerëz të mirë. Sot na dhatë më shumë shpresë, na e bëtë jetën më të bukur. Ju lutem që të vini mes nesh më shpesh, sepse nuk dimë më çtë bëjmë, shkojmë në punë e bëjmë fëmijë. Kjo është e gjithë jeta jonë”…
I kishte vënë që të gjithë të ardhurit nga kryeqyteti në mendime.
Nuk i a kishin marrë saldatorit me të keq. As për prpogandë. Po për një lloj zymtie e jete krejtësisht boshe që bëhej atëkohë jo vetëm në qytezat tona periferike. Madje Dhimitër Shuteriqi që ishte edhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë tha, se mund që edhe ta diskutonin në kryesi që të planifikonin në bashkpunim edhe me shtëpitë e kulturës në rrethe e qytete, që çdo muaj të shkonin e të zbrisnin grupe shkrimtarësh nga Tirana por edhe ato të rretheve duke i çuar tek njëri – tjetri. Pastaj tha shprehjen: “Shkrimtarët janë inxhinjerë të shpirtrave njerëzorë” që ishte e një klasiku, portretin e të cilit ne e mbanim kudo, ndonëse atje në vendin e tij trupin e ballsamosur i a kishin zbuar me kohë nga mauzoleu.
– Nuk ndreqim gjë moreeee. Dashi e cjapi kapen nga brinjët. Duhet që të tjerë ta bëjnë e të mendojnë seriozisht për jetën e njerëzve të provincës, por edhe të qyteteve, se dhe në ato nuk është më mire se sa këtu – tha Petro Marko, e fiku cigaren e pambaruar mirë me dy gishta duke i a shtypur kokën pa e patur mëndjen aty.
Në çast e pashë që u drodh, e dorën e hoqi menjëherë. Mbase i dhëmbi e i dogji.
* * *
Duhet që të ketë qenë vitet tetëdhjetë. Mbase nga fillimi apo andej nga mezi. Nuk e kujtoj mirë. Isha tek ime motër në Fier që banonte atje prej vitesh e së bashku me kunatin që më shoqëronte për të më përcjellë, shkuam tek stacioni i trenit që do të më kthente në Elbasan. Mes turmës së njerëzve që prisnin të udhëtonin dallova edhe Petro Markon me të shoqen e tij Safon, që e kisha parë në Shtëpinë Botuese tek redaksia e librit për fëmijë, kur shkoja për librat e mij. Ishte i tjetërsuar, dhe mu duk i lodhur e tepër i plakur këtë herë, por shkëlqimi i syve nuk i ishte venitur në fytyrë. I a pashë në një moment kur u ul e mori një çantë që e kishte lënë tek këmbët e së bashku pastaj me turmën lëvizi nga dera e sapo hapur e stacionit që të nxirte në platformën e betontë, përballë trenit që po na priste që të gjithë. Isha disa metro larg dhe në sheshin e hapur gjeta rastin që ti afrohem, ndërsa ai e Safua ende nuk kishin vendosur se në ç’vagon do të hypnin.
– Petro, si je? – e pyeta.
Tjetri qëndroi një çast e më pa drejt e në sy.
– Mos je i Cërrikut ti? Mësuesi?
– Po – i thashë. – Ai i takimit.
Vuri buzën në gaz e pastaj qeshi. Fytyra i u çel e shkëlqeu si nga një dritë..
– Moreee, ai saldatori si është? – pyeti, dhe unë ndjeva se kishte një shqetësim të mbrendshëm shkrimtari.
– Mirë është vazhdon që të lexojë.
– Bën edhe kalamaqër – tha e nënqeshi duke më shkelur syun. Pastaj ktheu kokën në drejtim të Safos që ishte shkëputur disa hapa larg nesh, e që me sa dukej kishte vendosur edhe për vagonin me të cilin do të udhëtonin drejt kryeqytetit.
– Ka qene tek i biri. E ka këtu të burgosur në kampin e Ballshit – më tha im kunat. – Vjen përherë.
Ndërsa zura vend në kabinë e kur treni çante mespërmes fushave të myzeqesë dhe pejsazhet rrendin njëri pas tjetrit në ekranin e madh të dritares, mendova sërish Petron. Nuk mu duk pa kuptim ajo pyetje për saldatorin e Cërrikut.
Shkrimtari, idealisti, revolucionari, publicisti e intelektuali kishte kohë i viktimizuar.
I zhgënjyer mendonte ëndërën e humbur të tij.
I a kishin vrarë…
Një KOMENT shkrimi shkelqyer i nderuari Aleko Likaj, Sa autorin e shkrimit ,që e përgëzova..,.Me shkrimin sa komentin tuaj,po kaloj kete natë mes Torontos,*VELLO debore*si VELLO NUSERIJE.Ju faleminderit, une 83 vjecari që,mëndia me rri në Atdhe,në keto dite te dhimbëshme. Solidariteti mbarëkombëtar na qetëson. Kurajo Bashkatdhetarë te nderuar,C,e ka zënë njeriun e s,e kalon,
Guri naimit D.(Dh.XH)
Shkruar shume bukur Z. Liko! E lexova me nje fryme, aq me terhoqi! Pene shkrimtari! Rralle lexon kujtime te tilla shkruar me nje natyralitet mbreselenes. U çudita se si nje shkrim i tille u shfaq si koment dhe jo ne editor. Flm shume!
Nje jete me dhimje dhe krijimtari te spikatur te nje fenomeni te letrave shqiptare.
Bardhosh, ne bashkepunim me Zenepen gjejani rrugen Nobelit per Petron, e meriton plotesisht.
Gabim: “Romani “Hasta la vista“, është një nga romanet më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare,”?! Jo eshte i nivelit europian dhe boteror.