Megjithse jam në muzg të jetës, më vijnë e më “trokasin” në vetdijen time, shokë, shoqe, miq, mikesha, profesorë, mësues. Më troket Milua, Jorgua, Rexhepi, Ulua, Nikua, Kiçua, Llazua, Stefani, Hajrina, Heratulla, Njovi, Hedua. Më shumë më vijnë profesorët e mij të nderuar, zotërinjtë Petro Papapano, Luigj, Arta, Mikel, Muntaz, Kristaq, Maria, pastaj më “trokasin” Minella Karajani, Kol Popa, Lame Zekua, Aleko Minga, Fatmir Karagjozi, Kristian Bukuroshi e plot të tjerë, sidomos ma gjallojnë vetdijen time profesorët e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, të cilët më lënë mbresa e kujtime të pashlueshme. I quaj profesorë sepse një pjesë e tyre dhe pse kanë dhënë mësim në shkollën e mesme në atë kohë (fjala është për vitet ’50 të shekullit që lamë pas), kanë kryer studimet e larta në Itali, në vendet perëndimore me reultate shumë të mira, që mund të qenë emëruar pa mëdyshje në institutet e në universitetin tonë.
Ndërsa pjesa tjetër : Petrua, Muntazi, Kristaqi, Vangjeli, Maria, që kishin mbaruar institutet tona mund të krahasohen me pedagogët e profesorët që mbaruan jashtë për nga etja për kulturë e dije. Ata kanë qënë shumë të etur për dije e për kulturë, ndaj, mësuan shumë nga kolegët e tyre që kanë mbaruar studimet jashtë shtetit.
Më kanë lënë kujtime, shumë prej tyre, ishin mësues e profesorë të thjeshtë e të ndershëm, njerëz që donin e dinin të mësonin nga të tjerët, ashtu siç ishte Petrua ynë. Ata bënë përpjekje të merrnin dije e kulturë sidomos nga ata që ishin të shkolluar jashtë, pavarësisht nga pikpamje të ndryshme politike që kishin .
Por, në këto radhë desha të them se ato/ata, mësues apo profesorë, nuk e njohën korrupsionin dhe krimin e organizuar, nuk dinin ç’është paraja e fituar pa djersë me të cilin ndeshemi edhe në ditët tona. Më ka bërë përshtypje, që megjithëse një pjesë e mirë nga ne mbaruam shkolla e institucione të larta, nën shëmbullin e pedagogëve tanë si Petrua, nuk e njohëm paranë « qyl », veç rrogës që merrnin dy herë në muaj.
Me këtë rast më kujtohet një mësues flokëkaçurel dhe i shkathtë, Ron Bogdon, kur pyetën në një festë në shkollën e mesme në Delvinë se cilat janë ditët më të shënuara për ty, ai nuk iu përgjegj : as 28-29 Nëndori apo 8 Nëndori e Viti i Ri, (për festat fetare nuk bëhet fjalë pasi të tërë ne u bëmë me një të rënë të shkopit « atistë » e sot jemi bërë të tërë « teistë »!!!), por datat 03 dhe 18 të çdo muaji. Kjo se ne në ato ditë merrnim rogat !!! E vlerësoj edhe sot këtë thënie të këtij mësuesi për mesazhet që ka lënë
Atë vit (ishin vitet ’50 të shekullit që lame pas) mua m’u dha e drejta e studimit për të vazhduar shkollën e mesme, gjimnazin « Asim Zeneli » në Gjirokastër . Natyrisht në ato ditë kish gëzim në familjen time, sidomos për nënën. Kjo se zagoritja/zagoriti, megjithëse një krahinë e thellë malore, gjithnjë kanë qënë dhe janë të etur për dije e për kulturë. Kujtohuni pak në ato vite, duhet të harxhoje « qimet e kokës » me ato pak të ardhura që kishin familjet tona (duhet të shlyeje detyrimet shtetit dhe ç’të mbetej do t’i përdorje për bukën e gojës. Një dukuri e tillë, por më pak raste, vërehet edhe në ditët tona) që t’i jepje shkollë një fëmije. Ç’është e drejta u hapen kurse për nevojat e vendit (duhet thënë se në ekonominë tonë deri në vitet 70 u kryen ndryshime sasiore që nuk mundën të ktheheshin në ndryshime cilësore) institute e shkolla, të mesme e të larta e kurse të ulta profesionale. Ne ishim 13-14 vjeçarë dhe na dukej gjë e madhe të kishim njeri të kujdesesh për ne në Gjirokastër. Fëmijëve të fshatarëve u dukej gjë e madhe të mbaroje gjimnazin, pale të të mbaroje shkollën e lartë, sidomos zagoritëve që ishin njerëz që kishin parë botën .
Në gjimnaz na jepte matematikë Profesor Petro Zheji, Kristaq Suli (profesor i rusishtes në atë kohë) dhe profesorë të tjerë . Petron dhe Kristaqin i kishim për fat të mirë të dy zagoritë, që veç sjelljes së tyre korrekte, na ngjallnim dije e kulturë edhe me shëmbullin e tyre. Ndaj e shumoi me shëmbullin e tij sjelljen e çdo gjë tjetër sidomos Petrua. Ai na mësoi se rruga e shkencës, e dijes, e kulturës nuk është e lehtë, por jo e pakapërcyeshme. Rrugët plot zikzake, të dhimbshme, por të sukseshme, i kuptoj edhe sot që jam i moshuar. I kuptoj se profesori im Petrua nuk e kishte të lehtë të bashkonte llogjikisht në një të vetme matematikën me gjuhësinë dhe të ishte përkthyes me emër të shkëlqyer në Shqipëri e më tej. Shëmbullin e tij me punë këmbëngulëse e ndoqën në ato vite Kristiani, Mevlani, Alekua, Jorgua e dhjetra të tjerë.
Por, në këto radhë desha të them se vetëm njerëz të veçantë, shkencëtarë, dinë t’u japin zë e të përdorin të dhënat e dy shkencave. Këtë gjë e bëri Petrua ynë. Vepra e tij me shumë vlera për sot dhe për ditët që do të vinë « Sankrinishtja dhe Shqipja », është një vepër që mund ta vësh pa frikë ndër veprat më të mira të gjuhës shqipe e më tej, bashkë me veprat e gjuhëtarëve më me zë si të Joklit, të Çabejit. Kjo se veç të tjerash, kjo vepër bën fjalë për lashtësinë e gjuhës sonë të bukur shqipe, që në ditët tona e njohim pak .Dhe këtë mund ta bëjë vetëm një patriot i madh si Petrua, që me të drejtë, për veprat që i ka lënë kombit , është quajtur « Rilindas i fundit ».
Unë e kam patur profesor të matematikës Petro Zhejin. Në ato vite në gjimnazin « Asim Zeneli » të Gjirokastrës jepte matematikë edhe znj.Arta Franja që kish kryer studimet e larta me rezultate shumë të mira dhe që kish një kujtesë fenomenale bashkë me të shoqin e saj, Luigjin, në Itali. Mbaj mënd nga pozitat e nxënësit që Petrua e pyeste vzhdimisht Artën. Nga njerëz me mend si Arta ke seç të marrësh thoshte vazhdimisht ai. Dhe ne nxënësit e tij mësuam shumë nga kjo sjellje. Të pyesësh nuk është turp por nder për njerëzit e zgjuar, na thoshte Petrua.
Petrua kish një humor të hollë, që është karakteristikë për njerëzit e zgjuar. Ai me ne nxënësit bënte shumë humor. Zakonisht kur nxirrnim vlerën e x-it, ai na thoshte : « Hajde të hedhim një top tani që dolli x-si ! Me këtë donte të na thoshte se vlera e x-it është detyrë e zakonshme, ndërsa juve ju presin vepra më të vështira për të zgjidhur ». Me Arta Franjën i kishte punët mirë e këshillohej vazhdimisht. Bënte shumë shaka me të.
Një herë i shoqi i zonjës Arta, Luigji ,u sëmur rëndë. Petrua i tha se Luigji do ta marrë veten dhe së shpejti do bëhet mire dhe shyqyr që nuk është në Amerikë. Kështu shkonte edhe me kolegët e tjerë sidomos me Kristaqin që ishte një djalë i bukur e llavrak, një zagorit i mirë që shpesh merrnin udhën për në Zagorie bashkë.
Petrua e donte krahinën e tij, Zagorien dhe me të drejtë mori edhe emrin e fshatit.Zheji,(fshat)që nderoi veten që i dha birit të tij emrin dhe me këtë rast më kujtoj Molierin : « Kish mall për zagoritët e mënçur sidomos për gjyshin e tij, Kolo Ballon, që kishte një aktivitet të çmuar patriotik në krahinë e më tej. Më kujtohet që fliste vazhdimisht për gjyshin e tij të urtë e të mënçur. Çmallej me pllajën e bukur të Çajupit. Shihte me mall lulet shumë ngjyrëshe që lulëzonin në pllajë sikur t’i kish ujitur njeri në ditët e nxehta të gushtit. Atje bënte shumë freskët. Çajupi i bukur shumëngjyrësh donte fare pak mund të kthehej në zonë turistike. Natyra i kish falur bukuri të rrallë, ujë dhe cicërrimat e zogjve.
Petrua dinte e fliste siç thotë populli « gjuhën e zogjve ».Çdo gjuhë tek ai nuk ishte stoli, por mjet për të vepruar. Mësoi spanjishten se përktheu Servantesin, mësoi gjermanishten përktheu nga Niçja, Don Kishoti i Servantesit që shkulesh së qeshuri , por të bën edhe për të qarë me lot, e kemi nga dy mëndje të ndritura nga Fan Noli dhe nga Petro Zheji. E kemi për nder që një zagorit e ka emrin krahas Nolit të Madh.
Ai u mat me kollosë dhe dijti të jetë kollos. Në përshkrimin e Don Kishotit pjesa e dytë (pjesën e parë e kish përkthyer Noli) ai përdori edhe gjuhën që flasin zagotitet/zagoritët. Me këtë rast desha të theksoj se gjuha që flasin zagoritet/zagoritët është jo vetëm gjuha që përdorën Andon Zakua e Petro Zheji në veprat e tyre, por është gjuhë e bukur që e merr vesh me çdo shqiptar.
.

Njeri dhe shkencetar i madh ka qene. Me te padrejte e kane akuzuar se punonte per Sigurimin e Shtetit ne rolin e nje dijetari mistik qe mblidhte konfidenca, por Petrua ishte burre i mire e s’bente nga keto gjera.
Ju flm Zoti kleanthi qe na sollet keto kujtime. Megjithese experiencat jane te ndryshme, esht ee cuditeshme se si rruget e njerezve piqent tangjecialisht. Une kam patur fatin qe te kem Profesor Kristaq Sulin mesues ne gjimanzin Halim Xhelo ne Vlore, dhe ishte pikerisht sic a pershkruani ju, mjaft profesional, dhe nje njeri qe donte qe nxenesit e tij te shkelqenin kudo qe te shkonin.
Falenderime per autorin dhe drite iu befte se lavderon vepren e ndritur te profesoreve te tij. Sakte ka qene i bekuar autori qe ka pase mesues te Madhin Petro Zheji!