Qindra profesionistë të strukturave shëndetësore, mjekë, stomatologë e farmacistë gjatë ditës së djeshme kanë marrë paralajmërimin e fundit për humbjen e vendit të punës, në rast se do të vijojnë të refuzojnë procesin e marrjes së kreditove, të cilat konfirmojnë rifreskimin e njohurive rreth specialitetit që ushtrojnë. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka mbledhur në një tryezë drejtuesit e të gjitha strukturave spitalore të vendit, si dhe atyre të poliklinikave ku dhe u ka komunikuar masat që do të ndërmerren ndaj personelit mjekësor që ka mbetur në vend numëro me dijet profesionale. Gjatë këtij takimi, ministri Beqaj ka theksuar se duke nisur nga janari i 2015 do të humbasin vendin e punës të gjithë ata mjekë, farmacistë e stomatologë që rezultojnë me zero kredite dhe vendet e tyre do të shpallen të litra për konkurrime të reja. Ndërsa pjesa tjetër e profesionistëve që ka fituar kredite, por jo në nivelin e kërkuar duhet që brenda 6 muajsh të hyjë në provimin e shtetit dhe nëse nuk e merr atë do ti pezullohet licenca e profesionit. Duke shprehur shqetësimin për gjendjen e edukimit në vazhdim të profesionistëve të kujdesit shëndetësor në vend, ministri Beqaj, theksoi se të dhënat më të fundit nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, që i përkasin qershorit 2014, tregojnë se ka ende një numër të konsiderueshëm profesionistësh pa asnjë kredit të edukimit të vazhdueshëm, apo me një numër të pamjaftueshëm e jo-premtues kreditosh, për të mbyllur me sukses programin e riçertifikimit deri në fund të vitit 2014. Pikërisht për këtë arsye Bordi i Riçertifikimit dhe Akreditimit rikonfirmoi kriteret dhe sanksionet që do të zbatohen duke nisur nga 1 janari i 2015-s. “Jemi përpara një realiteti që, në vite janë akumuluar boshllëqe në trupën mjekësore të vendit, boshllëqe qoftë në sasi, pra kemi specialitete ku na mungojnë në mënyrë absolute mjekët, po kështu, edhe në cilësi dhe në vijimësi lidhur me mbajtjen gjallë, përditësimin, avancimin e dijeve dhe të njohurive. Ju e dini që sistemi i edukimi në vazhdim është tashmë një institucion për shëndetësinë shqiptare. Është filluar në mënyrë të plotë që nga viti 2010, por sot që po flasim, që jemi pothuaj në mbyllje të ciklit të parë 5-vjeçar, me keqardhje konstatojmë se kemi ende profesionistë pa asnjë kredit, pra kemi ende profesionistë më 0 kredite, apo me shumë të pamjaftueshme kreditosh, sipas atyre standardeve që janë përcaktua”, ka deklaruar Beqaj duke komunikuar më tej edhe sanksionet që do të ndërmerren nga Bordi i ricertifikimit. Më tej, zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj ka theksuar se brenda muajit gusht do të nisë trajnimin e stafit mjekësor parësor sa i takon praktikave të kontrollit të popullatës që do të kryejnë për zbulimin e një sërë sëmundjeve.
Urdhri për spitalet
Beqaj ka kërkuar më shumë kujdes nga drejtuesit e spitaleve. Sipas tij : “Spitalet duhet të bëjnë jashtëzakonisht shumë kujdes. Duhet të programoni, meqë jemi në fazë buxhetimi për vitin e ardhshëm, brenda buxheteve tuaja, fonde për trajnimin, minimalisht fonde për t’u siguruar shpenzimet minimale të udhëtimit apo të qëndrimit mjekëve kur ata e bëjnë jashtë vendbanimit aktivitetin formues”. Më tej ai ka theksuar se gjatë viteve të fundit janë evidentuar raste të ndryshme shqetësimesh, edhe me pasoja në kujdesin shëndetësor, nganjëherë edhe me fatalitete, vijnë edhe nga mungesa e edukimit të vazhdueshëm. “Të mos mendojë ndonjë mjek, pse është në ndonjë spital rajonal apo rrethi i vetëm, do të mund, të themi, të na shantazhojë duke thënë: “S’keni ç’bëni përveç meje, dua apo s’dua të edukohem, unë do të vazhdoj të jem këtu”. Ne vërtet jemi të vetëdijshëm që kemi boshllëqe në trupën mjekësore, por sigurisht, më mirë të vetëdijshëm për një shërbim më pak në një institucion të caktuar, se sa një shërbim, i cili gjithmonë na rrezikon për cilësinë e kujdesit”, ka përfunduar ministri Beqaj.
Sanksionet që do zbatohen nga 1 janari 2015
- Nisur nga situata e raportuar Bordi i Riçertifikimit dhe i Akreditimit, në një mbledhje të para pak ditëve ka dalë me disa përfundime, të cilat do të çojnë drejt largimit nga puna të gjithë ata profsionistë që në mbyllje të vitit do jenë sërish në listën e zero kreditove.
- Kështu që, nuk do të lejohen të vazhdojnë të punojnë si mjekë, ata që nuk arrijnë të provojnë se po bëjnë përpjekje për rifreskimin dhe përditësimin e dijeve dhe aftësive të tyre në poliklinikat apo spitalet ku ata punojnë.
- Pra, për këdo mjek që e shpërfill tërësisht këtë lloj kërkese, që do të thotë, deri në fund të vitit do të rezultojë me 0 kredite, masat do të jenë të menjëhershme, efektive që nga fillimi i vitit 2015. Vendet e tyre të punës do të shpallen vakante nga drejtuesit e institucioneve, qoftë të spitaleve apo qendrave shëndetësore.
- Paralelisht, urdhrat profesionale do t’ua pezullojnë licencën e ushtrimit të profesionit. Këta profesionistë e rifitojnë të drejtën vetëm pas dhënies së provimit të shtetit.
- Njëkohësisht edhe të gjithë ata profesionistë që kanë kredite, por jo sa niveli i mjaftueshëm, brenda 6 muajve të mbarimit të afatit 5-vjeçar, do të duhet të rihyjnë në provimin e shtetit.
- Nëse pas 6 muajsh, përsëri, nëse nuk do të kenë marrë provimin e shtetit, apo nuk do të kenë pranuar të hyjnë në provimin e shtetit, jemi në të njëjtat kushte, vendi i tyre i punës del vakant dhe u pezullohet licenca.
