Pezullohen hetimet për vrasjen e Gaz Çollakut, nuk ka prova

Saimir Lleshi

Dhjetë ditë pas rrëmbimit në Durrës dhe vrasjes së Gazmend Çollakut në Krujë, grupi i hetimit nuk ka asnjë të dyshuar në lidhje me ngjarjen. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila filloi hetimet për heqje të paligjshme të lirisë (rrëmbim personi) me pasojë vdekjen, është drejt pezullimit të hetimeve për t’ia kaluar dosjen policisë.

Shkak për këtë veprim, sipas burimeve të akuzës, është bërë fakti se dosja penale nuk përmban prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzave në lidhje me autorësinë dhe motivin e ngjarjes.

“Deri në këtë fazë ka shumë pista e dyshime, por asnjë provë konkrete për autorë të mundshëm të dyshuar”, kanë thënë burimet. Për këtë arsye, dosja i është deleguar policisë me detyra konkrete për mbledhje informacioni në lidhje me autorët e krimit.

Pas ngjarjes së ndodhur më 6 janar 2016, në lokalin ku ndodhej në kafe Gazmend Çollaku, Policia dhe Krimet e Rënda kryen një numër të madh veprimesh hetimore. Dosja u pasurua me përgjime telefonike dhe ambientale, si dhe me dëshmitë e më shumë se 75 personave, nga rreth 150 veta të shoqëruar.

Edhe pas këtyre veprimeve që u shoqëruan me këqyrjen e telefonit të viktimës, verifikimin e vendngjarjes ku ndodhi rrëmbimi e më pas vrasja, përsëri grupi i hetimit nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë thënë për gazetën “Panorama” se numri i pistave në hetim është i madh.

Hetimi është përqendruar në disa ngjarje të fundit që kanë ndodhur në Durrës, por edhe tek aktiviteti problematik i të dëmtuarit nga ngjarja”, citon “Panorama” burimet e hetimit.

Sipas tyre, vitet e fundit Gazmend Çollaku ka pasur implikime të thella në aktivitete që shtrihen nga Durrësi deri në Itali dhe anasjellas. Një nga pistat e hetuara ka qenë një lidhje e mundshme mes vrasjes e rrëmbimit të Çollakut me atentatin ku u vranë shtetasit Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, më 20 dhjetor 2015.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *