Pianoja e verdhë dhe përkthyesi karagjoz

time
   

Nga Ilir Mborja  

Momën time gjithnjë e mbaj mend me barkun e fryrë si kacek, se gjithmonë ishte me barrë. Kisha krijuar idenë se e vetmja punë që i takonte, ishte të bënte kalamaj dhe ajo prandaj bëri shumë. U ndal e nuk bëri më kur nxori nga barku të katërmbëdhjetin. E ndaloi vdekja dua të them, se vdiq edhe ajo, edhe çuni i sapolindur. Tmerr i vërtetë! Atëherë unë isha 6 vjeç e kalamani i gjashtë nga fundi. Ishte hera e parë që shikoja të vdekur. Dhe dy përnjëherë. Ime ëmë dhe një foshnje, të mbështjella me të njëjtën batanije të vjetër që, pas varrimit, e sollën përsëri në shtëpi. Trembëdhjetë jetimë mbetëm vetëm me Lalën. Pra, katërmbëdhjetë frymë në një barakë as katërmbëdhjetë metra katrorë. Katër mure teneqeje, mbërthyer me gozhda pas katër purtekash të trasha, mbanin çatinë po prej ca tabakë teneqesh të valëzuara. Trembëdhjetë gojë që prisnin bukë nga Lala. Vetëm ai punonte.

Trashëgonte si gjyshi zanatin e tij. Pra, ishte pastrues i atyre që sot, me fjalë të mëdha si flasin gaxhitët, u thonë “gropa septike”. Ndonjë të shtunë a të dielë, kur e bëzanin në ndonjë dasmë a zijafet synetllëku, Lala, bashkë me Diun e Kijes, Ruzhdi Gajden e Teli Qemanexhiun shkonte e bënte aheng. Lala nuk i binte asnjë vegle, por këndonte. Të parë grupi kishin Diun. Lala thoshte se kur e vinte gërnetën në buzë i biri i Kijes, ajo nuk këndonte, por qante. Vetëm qante. Prej kësaj, shumë herë Lalës i ndodhte të mallëngjehej. Bëj hesap! Aq shumë prekej, sa lotët e qyrat i mblidheshin kutullaç e i bllokonin gurmazin. Atëherë Lala ndalonte se nuk këndonte dot. Fshinte lotët e i kthehej gotës së rakisë. Hante dhe pak meze. Pastaj fshinte buzët me shpinën e dorës, ngrinte kokën e, pasi ia ngulte sytë tavanit, fillonte prapë këngën aty ku e kishte lënë…     

Lala, siç mallëngjehej e përlotej, po aq kollaj e kishte të qeshte. Dhe ngaqë bënte shumë shaka, njerëzit shpesh e merrnin sikur nuk çante kokë, por në të vërtetë ishte një tip shumë i ndjeshëm. Unë që e njihja: Ishte i drejtë e i ndershëm te Zoti. Edhe dinjitet kishte. Bënte humor, por nuk ishte karagjoz e rrenacak.  

Kjo që do t’ju tregoj tani ndodhi më 1955, atë vit kur, afër me barakën tonë, mbaroi ndërtimi i një fabrike konservimi frutash. Muratorët e bojaxhinjtë ishin të gjithë nga qyteti ynë, madje, disa që punonin aty i kishim edhe kushërinj… Por mua më bënin shumë habi disa burra me pamje të çuditshme, të veshur ndryshe. Vinin nga Jashtë. Për mua ishte hera e parë që shikoja të huaj. Ishin katër të tillë. Tre ishin pak si kuqo, ndërsa njëri ezmer si ne. Lala për atë thoshte se ishte i dorës tonë. Tani nuk e kujtoj dot mirë, a ishin hungarezë apo rumunë, por të huaj qenë. Flisnin një gjuhë që mua më ngjante me atë të arixhinjve.

Me ta rrinte edhe Bukuroshi. Të huajt e mbanin gjithnjë pranë, se qe përkthyesi i tyre. Kur ishte vetëm, ecte pa u ngutur. Gjithnjë me kokën lart e trupin drejt sikur kishte kollofitur petësin. Flokët e zinj i shkëlqenin si të Lalës kur i leu njëherë me vaj kikiriku që të na bënte për të qeshur. Vëllai i vogël, Luli, mbushte tre vjeç dhe Lala, që ta gëzonte atë dhe ne, u bë si karagjoz atë mbrëmje. Po le të kthehemi te përkthyesi, Bukuroshi. Siç kishte emrin, bukurosh ishte, por unë nuk e honepsja fare. Sa herë ne kalamajtë u afroheshim të huajve për t’i parë nga afër, Bukuroshi na gërmushej gjithë tërsëllëm: “Ikni! Largohuni! Largohuni! Do t’ju padis në polici!..”…      

Pastaj, inat për vdekje e mora kur një ditë e dëgjova që i foli Lalës me një ton kërcënues: “Po mblidhi një çik e u thuaj të largohen kaçulat që ke pjellë! Ç ‘është kjo punë?! Nuk bëjmë dot një hap me të huajt se na ngatërrohen nëpër këmbë zbatharakët e tu duke lypur!.. Mbylli në atë dreq barake! Mos më detyro të njoftoj organet kompetente e ta shkulin që tani atë plehrë! Të lutem shumë!”.    

Pashë nga Lala dhe u tmerrova. Fytyra ezmere e tij fillimisht u zverdh, pastaj, pas pak, u zbardh sikur t’ia kishin lyer me gëlqere. Uli kokën e nuk foli fare, por unë e di dhe jam shumë i sigurt se me vete Lala e shau: “Karagjoz!”…   

As ne fëmijëve nuk na tha asnjë fjalë. As Lulit, vëllait të vogël trevjeçar, që në fakt, e kish zgjatur njëherë dorën dhe i kishte marrë dy karamele dhe një çamçakëz nga inxhinieri ezmer.   

Lalën e kishte zënë një hall më i madh. Ai i barakës. Përkthyesi ia kishte thënë shqip. Barakën tonë e quante plehrë që kishte mbetur në oborrin e fabrikës dhe, nuk thoshte se fabrika na kishte zënë oborrin tonë. Më i ndyrë e më shpirt katil se ai nuk bëhej. Lala ishte shumë i trembur. Me të drejtë. Karagjozi që e kërcënoi me hedhjen në rrugë të trembëdhjetë jetimëve, dukej njeriu më i rëndësishëm në fabrikë. Ishte nga Tirana dhe Lala thoshte se patjetër kishte të bënte me Enverin, se i ngjante shumë. Kokën i kishte prerë.   

Megjithëse Lala nuk na tha asnjë fjalë, ne kalamajtë bëmë tonën. Asnjë nga ne nuk i afrohej më të huajve. As Luli i vogël, por, tjetër gjë dua t’ju tregoj.  

***  

Më kujtohet si tani që ishte mesi i gushtit dhe duhet të ketë qenë ora një ose dy e drekës. Mbaj mend gjithashtu që atë ditë bënte një vapë e nxehtë dhe të trembëdhjetë kalamajtë, kishim dalë jashtë. Luanim në oborr nën hijen e ca shelgjeve që Lala, kur filluan punimet e fabrikës, më shumë se për fresk, i kishte mbjellë për të fshehur disi pamjen e shëmtuar të barakës. Që tutje pamë që dolën nga fabrika e po kalonin para nesh inxhinierët e huaj që, si gjithnjë, kishin vënë në mes përkthyesin. I pa edhe Lala dhe me shpejtësi u ngjit në një pirg tullash, përplasi dy a tri herë shuplakat për të na tërhequr vëmendjen. Pastaj na u drejtua me zë të lartë: “Fëmijë të dashur! Është ora të futeni brenda në shtëpi. Prandaj, shkoni në sallën e studimit, por mos i bini pianos se zgjohet mamaja!”.   

Shtanga në vend. Edhe vëllezërit e motrat mbetën pa frymë. Ulën kokën e një nga një u futën në barake. Qëndrova në fund dhe po rrija në prag të derës. Isha kureshtar të kuptoja, ç’i kishte Lala ato fjalë?! Vura re nënqeshjen e tij. Fillova të ftillohem. Patjetër e kishte me Bukuroshin. Pashë që kishin ndalur në vend dhe shikonin nga baraka edhe të huajt. Merrej vesh se karagjozi ia kishte përkthyer të gjithë ç’na kishte thënë Lala. Njëri nga inxhinierët e huaj, ai ezmeri, ma bënte me dorë të afrohesha tek ata. “Hajde, hajde pak këtu! Afrohu!” – m’u drejtua edhe përkthyes Bukuroshi. Pashë nga Lala, por ai nuk më dha asnjë shenjë. Si të bëja? Rrija te dera e barakës dhe po mëdyshesha…  

Kur kuptova se ata bënë të vinin drejt barakës, nxitova drejt tyre. Nuk doja që ata t’i afroheshin barakës. Në minutë shkova para tyre dhe po prisja i ndrojtur. Inxhinieri që ma bëri me dorë, ai ezmeri pra, fliste në gjuhë të tij me përkthyesin dhe nuk m’i ndante sytë.  “Inxhinier Zoltan do të dijë çfarë ngjyre ka pianoja juaj. Thuaj një ngjyrë! Futja kot!” – më shtyu të gënjej Bukuroshi.    

“E verdhë” – thashë unë, se m’u kujtua ngjyra që i ra në fytyrë Lalës kur karagjozi që përkthente i përmendi prishjen e barakës. Vrapova dhe ika i frikësuar se mos më pyesnin më tej, e nuk doja të gënjeja më për “sallën e studimit” e “mamanë” që kishte vite që flinte nën dhe…  

Pas dy a tre javësh në barakën tonë erdhën katër policë. Pyetën se ku e kishim çuar pianon. Asnjë nuk foli. Ç’të thoshim?! Pastaj Lalës i lidhën duart me pranga, e hipën në një makinë dhe e çuan në burg. Njëri nga ata na tha se Lala ishte përzierë me ca revizionistë jashtë shtetit. Pas ca ditësh morëm vesh se dikush kish shkruar në një gazetë të huaj një shkrim me titull: “Baraka e verdhë me piano – dëshmi e gjenocidit ndaj artistëve ciganë në Shqipëri”…   

Ja ç’na bëri Bukuroshi! Hajde e mos i thuaj karagjoz përkthyesit tonë!..

  

Share This Article
6 Comments
  • Sikur te perktheje ashtu sic ben shumezimin e dy shtatave me siguri e ka djallosur edhe per shtepine e verdhe ne Burrel.

    • Po me kë tjetër o Demo vëllai?

      Kur ishte vetëm, ecte pa u ngutur. Gjithnjë me kokën lart e trupin drejt sikur kishte kollofitur petësin. Flokët e zinj i shkëlqenin si të Lalës kur i leu njëherë me vaj kikiriku që të na bënte për të qeshur.

      Ishte nga Tirana dhe Lala thoshte se patjetër kishte të bënte me Enverin, se i ngjante shumë. Kokën i kishte prerë.

      • O cun I Lales. Kot s’i hyri dhe ketij perkthyesit Lalai per te plotesuar nr 14, hahahaaaaaa. Ben vaki dhe ju dilte llotoja, hahahaaaaa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *