Pickimet e mushkonjave rikthejnë frikën nga malaria

anazapta

Pas verifikimit të rasteve të paraqitura pranë institucioneve shëndetësore, ekspertët e shëndetit publik ngrenë alarmin për rikthimin e sëmundjes së malaries në vendin tonë. Insekti përgjegjës (mushkonja anafale) që transmeton këtë sëmundje tek njerëzit është vënë re në disa qytete të vendit, përkatësisht në Vlorë, Fier dhe në një nga fshatrat e Tiranës (Çekrez).

Ndërkohë që afrimi i sezonit turistik e shton edhe më tej frikën e përhapjes së sëmundjeve që shkaktohen nga pickimet e insekteve, e veçanërisht mushkonjave. Pickimet e tyre çojnë në shfaqjen e alergjisë, infeksioneve serioze të lëkurës, teksa në rastet më të rënduara mbartin dhe pasoja fatale për jetën.

Sipas të dhënave të detajuara, specialistët e ISHP-së vënë në dukje se vetëm gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar mbi 13 raste të identifikuara me malarje, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve sëmundjen e kanë sjellë në vend nga jashtë. Duke qenë se rritja e temperaturave shton qarkullimin e insekteve, ekspertët e shëndetit public kanë kërkuar nga strukturat përgjegjëse që të ndërhyjnë në dezinfektimin e zonave që janë më të riskuara.

“Duke qenë se vektori është prezent në Shqipëri në transmetimin e kësaj sëmundje dhe ky vlerësim është bërë dhe nga laboratori i entomologjisë, në disa zona të vendit tonë, kryesisht në zonat e Vlorës, të Fierit dhe në zonën e Çekrezit të Tiranës. Vektori është prezent dhe sëmundja është e importuar, detyrimisht dhe sistemi alert duhet ngritur akoma më shumë për një bashkëpunim më adekuat në lidhje me sistemin e dezinfektimit dhe deratizimit”, deklaroi dje mjekja infeksioniste në ISHP, Eugena Erindi.

Ajo ka theksuar se strukturat e pushtetit vendor, veçanërisht ato në zonat bregdetare dhe lagunore duhet të ndërhyjnë me kryerjen e dezinfektime të territoreve të tyre gjatë kësaj periudhe.

Por nuk janë vetëm mushkonjat ato nga të cilat duhet të ruhemi gjatë këtij sezoni. Në sezonin veror në zonat bregdetare qarkullojnë dhe insekte të tjera të cilat përhapin sëmundje infektive. Kështu  veç mushkonjave, edhe merimanga e zezë është një insekt i rrezikshëm, pasi helmi i saj nuk kursen jetën e atyre që pickohen. Kyesisht personat që pickohen nga merimanga e zezë nuk arrijnë dot deri në spitale, pasi vdesin menjëherë. Ekspertët e shëndetit publik pohojnë se më të rrezikuar në këto raste janë banorët që jetojnë në zonat pranë lagunave, duke u ndalur konkretisht tek zona e Lezhës, Vlorës, Fierit, Laçit dhe Lushnjës, të cilat konsiderohen edhe si vatra të mushkonjave, prej të cilave vetëm vitin e kaluar u pickuan qindra banorë.

 

Simptomat që shoqërojnë sëmundjen

 

Sa i takon simptomave dalluese të malaries bluzat e bardha rekomandojnë që të tregohet kujdes në rastet e pickimeve të mushkonjave apo insekteve të tjera të cilat shoqërohen me temperaturë, dhimbje të forta koke, ethe, problem me muskujt dhe kryesisht ato të qafës. Rastet e ekzaminuara konstatojnë se sëmundja e malaries ka ndryshuar formën e saj klinike dhe nëse pacientët e prekur nuk shkojnë në kohë tek mjekët, mund t’u rrezikohet jeta.

“Shenjat klinike të parat është temperatura që shfaq debuluesën, dhimbjen e muskujve, dhimbjet artikulare, më pas alternohet dhe sisteme të tjera të organizimit dhe detyrimisht që sjell këtë problematikë në lidhje me menaxhimin, nëse nuk bëhet evidentimi në kohë, dhe diagnoza laboratorike, në rastin kur dyshohet për malarie”, shton Erindi.

Mbrojtja nga “pickimet e dëmshme”,

Duke qenë se mushkonjat qëndrojnë në ambiente të ndotura, mund të përhapin shumë lehtë infeksione nëse bien në kontakt me lëkurën e njerëzve dhe sidomos të fëmijëve, të cilët mbeten më të rrezikuar prej tyre. Për të parandaluar përballjen me komplikacionet serioze, mjekët rekomandojnë që të tregohet kujdes me higjienën personale, por dhe të ambienteve ku qëndrojmë, të cilat, nëse nuk janë të pastra, mund të bëhen vend grumbullimi për insektet, duke shtuar rrezikun nga pickimet. Për fëmijët e vegjël rekomandohet përdorimi i kremrave mbrojtes apo preparateve të tjera që mbajnë larg insektet.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *