Konsumimi i pijeve të gazuara rrit rrezikun e shfaqjes së depresionit. Sipas një studimi të fundit, pijet me gaz, veçanërisht ato në versionin dietik, e rrisin mundësinë e prekjes nga depresioni nga 30 deri në 38 për qind. Studimi ka përfshirë të paktën 250 mijë persona, ndërsa rezultatet e tij do të pasqyrohen në kongresin e përvitshëm të Akademisë Amerikane të Neurologjisë, në mars. Por për ata që pëlqejnë ekspresin, vjen një lajm i mirë: ndryshe nga pijet e gazuara, konsumimi i kafes e redukton me 10 për qind mundësinë e shfaqjes së depresionit.
“Pijet me bazë sode, kafeja dhe çaji, të cilat konsumohen gjerësisht në botë kanë efekte të rëndësishme në shëndetin fizik dhe nuk përjashtohen edhe pasojat që sjellin në shëndetin mendor”, thuhet në studimin e kryer nga ekspertët e Research Triangle Park në Karolinën e Veriut.
Në studim janë përfshirë saktësisht 263.925 persona të moshës 50-71, të cilët janë mbajtur nën vëzhgim për dhjetë vite me radhë. Për studimin është monitoruar konsumi i përditshëm i pijeve të gazuara, të ëmbla, çajit dhe kafesë nga personat e testuar, 11 mijë prej të cilëve brenda kohës së monitorimit janë diagnostikuar me depresion. Krahasimi i të dhënave nxori në pah se personat që ranë në depresion ishin konsumatorët më të mëdhenj të pijeve të gazuara.