Në Shqipëri, kombinimi i pijeve energjetike me ato alkolike, mbetet nga më të preferuarat. Por pasi të lexoni rezultatet e studimit australian, do të nisni të mendoni seriozisht të gjeni një tjetër pije të preferuar.
Sipas të dhënave ka rezultuar se, konsumimi i këtyre koktejeve shton dëshirën për të konsumuar më tepër alkol. Rebecca McKetin, një nga partneret e “festës-ekperiment” të organizuar në “National University’s Centre for Research on Ageing, Health and Well-being”, në Australi , është shprehur se këto pije duken më pak të kontrolluara se të tjerat, dhe kjo ka qenë arsyeja e eksperimentit të kryer.
Studjuesit kanë rekrutuar rreth 75 pjesëmarrës, kryesisht mes moshës 18 dhe 30 vjeç, me një testim të dyfishtë, para dhe pas konsumimit. Pjesëmarrësit provuan kokteje me përzjerje 60 ml vodka dhe pije energjetike, vodka dhe ujë tonik, duke u shtuar secilit 200 ml lëng frutash. Asnjëri prej të përzgjedhurve nuk ishte në dieni të ndryshimit mes koktejeve. Pasi iu nënshtruan më pas edhe testimeve fizike dhe shëndetësore, studiuesit nxorrën përfundime surprizuese.
Pika më e rëndësishme e rezultateve kishte të bënte me dëshirën e shtuar për të konsumuar sërish alkol, kryesisht e evidentuar tek pjesëmarrësit që kishin konsumuar A+EDs (koktejet energjitike). “Kjo do të thotë se dikush që konsumon A+EDs ka më shumë mundësi të vazhdojë të konsumojë alkol, ndryshe nga shokët e tij”- citohet në rezultatet përfundimtare.
Nga ana tjetër, Peter G. Miller, profesor i psikologjisë në Universitetin Deakin, Geelong Waterfront Campus në Australi, ka theksuar rrezikun e shtimit të kësaj dëshire. “Natyrisht, sa më shumë të dehesh, aq më shumë ka të ngjarë të rrezikoni jetën në aksidente automobilistike, apo të ktheheni në viktimën e ndonjë dhunimi fizik nga persona me qëllime negative”- është shprehur ai.
