Email në adresën
Ku qëndron suksesi dhe dështimi i krerëve tanë të politikës në 20 vite?! A kanë vërtetë ata histori suksesi, apo gjithçka kanë prodhuar ka qenë veçse një dështim spektakolar?! Renditen ata ndër të zakonshmit si politikanë, ku edhe kanë bërë ca punë të mira veç prapësive, apo janë specie e rrallë e paaftësisë dhe e papërgjegjshmërisë?! Çdokush prej tyre, sidomos ai më jetëgjati, Berisha, e meritojnë një bilanc; pa lenë mënjanë dhe të tjerët. Por mos merremi me emra konkretë, pasi lehtë merret me mend për kë është fjala. Tre-katër kokrra janë ato. Po, edhe kanë qenë të suksesshëm! Por assesi në raport me vendin, të cilit kanë mëtuar se i shërbejnë. Kanë qenë të suksesshëm me egon e tyre, në garën mes vetes se kush do triumfojë mbi shoqi-shoqin. Në këtë pikë, gjithësekush prej tyre, edhe është mundur, është nëpërkëmbur, është poshtëruar; por dhe ka triumfuar në një moment. E bëj këtë qasje, pas një momenti, kur teksa po dëgjoja një koment të gazetarit Lorenc Vangjeli në Opinion, si pa dashur ai bëri pikërisht këtë ndarje: mes suksesit të tyre në raport me karrierën (në kontekstin e egos), dhe me atë në raport me vendin. Të gjitha energjitë e tyre kanë shkuar pothuajse tek e para e aspak tek e dyta. Ne sot, e kemi krejt të pamundur që t’i atribuojmë ndonjërit prej tyre një reformë, një projekt të dukshëm e të prekshëm zhvillimi. Gjithçka që mund të kenë bërë në këtë drejtim ka qenë episodike, me efekte gjysmake e aspak vizionare. Ka qenë e tipit shtyje ta shtyjmë. Sepse investimi kryesor ka qenë vetëm në një pikë, thënë krejt vulgarçe: si t’ja bëj që të jem në pushtet e të mos iki prej pushteti edhe kur vras e vjedh! Po! Në këtë pikë, janë të paarritshëm!
