Mihal Kalia
Faik Konica, më tepër sesa i dha ngjyrën e vet buqetës rilindase dhe atdhetarisë, me kontrastet e tij të theksuara, bëri që të spikatin drita, hijeshia, aroma dhe adhurimi për këta martirë, fryma e të cilëve u dha jetë mushkërive të kombit.
Kombi asnjëherë nuk velet nga vlerat e veta, ndaj nuk ka asnjë arsye t’u bishtnojë kur ato biskojnë dhe, nëse nuk janë të tilla , ato i mpak koha, pavarësisht “kujdesit” e interesit për ta pajtuar e bashkërenduar me të.
F. Konica ka shkruar për N. Frashërin në vitin 1901, 1906 dhe në vitin 1937. Në vitin 1901, një vit pas vdekjes së Naim Frashërit, F. Konica shkruan për të: “Gjuhëtar i shëndoshë, i ditur, i mbaruar në greqishtë të vjetër e në persishte e në shumë gjuhë të tjera, mendjelëruar e ndjesëhollë…Jo se nuk ndodhen në libra të Naimit faqe të hieshme e të mbaruara; janë, përkundrë,të dëndura…” (F. Konica “Naim Bej Frashëri”). Në vitin 1906 , te “Kohëtore e letrave shqipe” Konica shkruan: “Kam besuar e thënë se Naim beu ish mendjengushtë, kish një karakter vulgar, ish një zero e shkëlqyer në fushë të letrave (nuk la njëzet vjersha që një njeri me shije të hollë të jetë i zoti t’i këndojë pa mërzi); ish atdhetar shumë i nxehtë”. Në kategorizimin që “një shkronjës mund të ketë edhe atdhesi edhe talent, a mund të mos ketë as këtë, as atë, a mund të ketë njërën pa tjetrën”, F. Konica e radhit N. Frashërin ndër shkronjësit pa asnjë fije talenti, por atdhetar i flaktë. Në pesë vitet, nga njëri shkrim te tjetri, vite këto pas vdekjes së N. Frashërit, Konicës i rrjedh prej trurit lëngu poetik i rilindasit të shquar, shija, hijeshia dhe përsosmëria e letrave të tij, duke krijuar një boshllëk në zgavrën e vet, që do ta linte çyryk gjatë gjithë jetës, të paekuilibruar. Në shkrimin “Ai që është gati të vdesë për Shqipërinë”, Konica thotë: “Palla (arma M.K.) ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut”. Atëhere, ku qëndron atdhesia e flaktë e N. Frashërit , për të cilën Konica e lëvdon, kur edhe N. Frashëri nuk luftoi me pallë, por me pendë, e cila , sipas tij (Konicës), nuk shkroi gjë në letrat, veçse një zero të shkëlqyer?
Mungesa e koherencës në mendime, veprime, vlerësime, e fshehur nën erudicionin dhe kulturën e gjerë të F. Konicës, megjthatë, spikat ndjeshëm dhe, më tepër sesa bindje, se nuk ka mendje, sado e çoroditur të jetë, që të pranojë se N. Frashëri, në vitet kur nuk jetonte, të ketë vepruar kaq intensivisht për të shpërbërë atë çka ai e thuri me aq mundim, dëshirë e përkushtim gjatë gjithë jetës, është veçori e karakterit të tij për t’iu përshtatur kushteve e rrethanave, edhe kur ato janë të disfavorshme për vendin e popullin, për të siguruar një qoshe të ngrohtë, që nuk ia cënon interesat.
Faik Konica e cilëson N. Frashërin “mendjelëruar” (1901) dhe mundohet ta argumentojë, kur thotë se “me gjithë zemër shkruajti gjithë ata libra të nevojshëm që u përndanë me mijëra nëpër gjithë Toskëri… E mësoi, e ngjalli, e rriti pakë kombin shqiptar, – e gatiti udhën për propaganda kombëtare më përparimtare”. Në vitin 1906 Konica e cilëson N. Frashërin mendjengushtë dhe këtë “e argumenton” se “Nuk duhet pritur prej meje, sepse një vetë qenka atdhetar i mirë, të kasnecojë, ipso fackto, paska edhe vlerë mendore, a një pendë të bukur”. Edhe në këtë konkluzion nuk ka kontradiktë, por nuk ka, gjithashtu, edhe argument, ndaj dhe mbetet brenda kuadrit përgjithësues, edhe pse është fare e qartë që bën fjalë për N. Frashërin, gjë që e përjashton kontradiksionin si dukuri të paaftësisë argumentuese, e cila nuk na shkon nëpër mend për një erudit të tillë si Konica, por që dëshmon qartë mungesën e konsekuencës së mendimit e veprimit, si tipar i qëndrueshëm i formimit të tij, që nuk është se e nderon, aq më tepër e ushtruar kjo në marrëdhënie me atdheun, popullin, me patriotët e shquar dhe ngjarjet e mëdha historike. Naim Frashëri, në të njëjtën kohë nuk mund të jetë edhe “mendjelëruar”, edhe “mendjengushtë”, por në kohë të ndryshme F. Konica, për të njëjtin problem, shfaqet mendjeshprishur.
Do të ishte lajthitje mohimi i rolit të madh të veprave të N. Frashërit dhe rilindasve të tjerë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të popullit tonë. Kjo është një e vërtetë që Konicës i duhet ta pranojë, por që të kenë “pallavrat” dhe “tatatatë” një forcë të tillë për shpërthimin e hoveve të luftës për liri dhe pavarësi kombëtare, kjo s’është gjë tjetër veçse fyerje e përqeshje e ndërgjegjes së një populli të tërë, duke vulosur kështu distancimin dhe ndarjen përfundimtare me aspiraratat e rilindasve për çështjen kombëtare. Është rast unik në historitë e lëvizjeve popullore që një individ, sado i pajisur me kulturë e patriotizëm, të mund të realizojë atë çka me aq mundim e përkushtim përpiqet të arrijë një plejadë e tërë atdhetarësh nëpërmjet angazhimeve sa diturore, aq edhe luftarake. Guximi i Konicës për t’iu kundërvënë kësaj lëvizjeje ideologjike, politike e kulturore, si një prej ngjarjeve historike më të rëndësishme në historinë e kombit dhe të popullit shqiptar, mund të marrë çdo emër tjetër, veçse jo meritë apo vlerë e tij, sikundër sot, disa të tjerë, kanë guximin që ta cilësojnë atë si patriot dhe shkrimtar i madh.
Tentativat për zhveshjen e lëkostrave prej Konicës, ndoshta do të duhej të vazhdonin me këtë spastrim deri në mos mbetjen gjë, ndaj studiuesit ndiejnë nevojën t’ia shpluhurosin gjuhën “pa lëvizur vendit kumtin”, kur në përballjen e Konicës me gjigantët e Rilindjes kërkojnë t’i faturojnë atij vlera pikërisht në ato përqasje, lufta kundër të cilave përbën një nga vlerat më të mëdha të rilindasve. Konica ka të përbashkët me rilindasit pakënaqësinë ndaj gjendjes së atdheut, por dallohet sepse, ndërsa ata iu përkushtuan krijimit të kushteve për përparimin kulturor, shoqëror e politik të vendit, duke ngacmuar dhe sedrën e shqiptarëve me lajtmotivin “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar !”(N. Frashëri), ai, duke e ndier pafuqishmërinë e tij për të ndikuar, kjo edhe për shkak të mospërkimit të koncepteve për të ardhmen, fyen sedrën e shqiptarëve me motivin se “shqiptarët janë armiqtë më të këqinj të Shqipërisë”.
Prof. Nasho Jorgaqi e përcakton mjaft qartë dallimin e Konicës nga rilindasit, kur thekson se:….rilindasit, duke pohuar e lartësuar virtytet dhe meritat e shqiptarëve , do të bëheshin edukatorë dhe mësues të tyre”. Kjo i nderon ata, ndaj dhe populli u është mirënjohës dhe i ka qëndisur, si emblemë e përjetshme e patriotizmit të flaktë, në gjoksin e kombit shqiptar. Faik Konica “nuk u vu në rolin e mësuesit dhe edukatorit të kombit, siç ndodhi me Naimin e të tjerë” (Nasho Jorgaqi), sepse “bota shqiptare s’kishte nevojë për shigjetarë, por për edukatorë, mësues, e kështu ai s’u bë dot”. Eshtë e mjaftueshme për të kuptuar se Konica nuk ishte gjymtyrë e Rilindjes dhe kjo nuk është arsye për ta përgojuar, aq më tepër nuk është arsye për t’i thurur ditirambe. Pra, F. Konica nuk iu përgjigj nevojave që kishte atdheu, edhe pse ai zotëronte potencialet që do të mundësonin fuqizimin e mushkërive të kombit. Konica, jo vetëm që nuk iu bashkua këtij zëri, por u përpoq ta ngjirë atë, jo vetëm që s’u bë gjymtyrë e Rilindjes, por u përpoq t’i sakatojë ato. Dhe kjo është arsye për ta qortuar, kritikuar ashpër këtë “kryqtar të vetmuar”, pa qenë nevoja për t’i zbutur e përligjur këto qëndrime, “temperamentin e tij egocentrik dhe natyrën e tij të vështirë për të bashkëpunuar me të tjerët”. Të mos bashkëpunosh me të tjerët, dhe këta të tjerë dihet mirë se cilët janë, nuk do të thotë të jesh kundër tyre, aq më tepër t’i luftosh ata. Si është e mundur të mos errësohet figura e Konicës para rilindasve, kur ai është kundër Lidhjes së Prizrenit, kur ai si shkronjëtor i shpall luftë çdo shqiptari që kundërshton mbretin e Turqisë e të Shqipërisë, kur shpëtimin e Shqipërisë ai e sheh në bashkimin me Turqinë, kur në flirtet me Austrinë, Italinë etj. nuk merr parasysh interesat e mëdha të vendit, por ato personale, kur ai përçmon N. Frashërin, M.Gramenon, L. Gurakuqin, I. Qemalin, të cilin e quan armik të popullit shqiptar, kur mospërfill Kongresin e Manastirit, kur mohoi Qeverinë e Lushnjes, kur nuk shfaqi asnjë interes për Luftën e Vlorës, apo kur thoshte se “A e dini se ç’kam për të bërë? Kam niet të vete të shes mut njeriu, se të shkruaj për Shqipërinë” ?!. A mos vallë të gjitha këto janë për shkak “të natyrës së tij të vështirë për të bashkëpunuar me të tjerë”? Si ka mundësi që figura e Konicës të mos jetë e errët, kur ajo u ka qëndruar larg, u është shmangur proceseve ndriçuese të ngjarjeve të mëdha historike që i dhanë dritë dhe shpëtuan vendin nga errësira dhe rreziku i copëtimit përfundimtar prej fuqive të huaja?! A mos vallë këto qëndrime janë të tilla që nuk ndikojnë në prishjen e balancës dhe raporteve me atdheun, duke mbetur, megjithatë, “atdhetar i flaktë”?! Të jesh kundër proceseve të krijimit të shtetit dhe atyre që luftuan për të e që sot janë krenaria e kombit dhe të pretendosh se je pjesë e kësaj krenarie, do të thotë që ligësia e hipokrizia kanë mbirë si barëra të këqia që, në vend që t’i shkulim, kujdesemi për mirërritjen e tyre. Konfliktet e Konicës nuk janë thjesht për arsye temperamentesh të ndryshme me N. Frashërin, M. Gramenon, I. Qemalin, L. Gurakuqin etj., por “temperamentesh” të ndryshme me Rilindjen Kombëtare, me Kongresin e Manastirit, me Pavarësinë e vendit dhe krijimin e shtetit shqiptar, me Qeverinë e Lushnjes, etj. Atdheu vendos në gjoksin e vet ata që luftojnë për përparimin e Kombit, ndërsa Konica rreh që të vendosë Atdheun si dekoratë në gjoksin e tij, si shumë të tjera prej të huajsh në vende të huaja, se “patriotizmi” ia do që Atdheu t’i stolisë atij gjoksin e jo ai atdheut, për të ruajtur, së paku, marrëdhëniet honorifike, se ato shpirtërore ishin vakur prej kohësh.
***
Faik Konica nuk pati guximin që tronditi mitin e poetit kombëtar, por ai pati “guximin” të fyejë poetin tonë kombëtar, N. Frashërin, ndaj dhe nuk na habit fakti i gjuhës së përdorur, që është shumë larg dhe as që të kujton “princin e gjuhës shqipe”: “Pasqyra “e stilit” të tij ishin këngët e lipësve malëshovitë, me gjuhën e tyre të çqepur dhe xvarranike që duket si të folurit e një çilimiu të dehur” (F. Konica “N. Frashëri” 1937). Nëse ky është ligjërimi i një “kryelëronjësi” të gjuhës në analizën kritike të veprës së poetit më të shquar të Rilindjes Kombëtare, fyerja shkon akoma më larg, përshkon gjithë Rilindjen dhe princi vazhdon të princërojë.
Naim Frashëri ishte i padijshëm për vjershërimin, sipas Konicës, dhe qortohet prej tij për një sërë çështjesh, të cilat në fakt janë elemente të vjershërimit, qortim që e vë Konicën në pozitë jo të këndshme si “princ”. Ai thekson: “Që të bashkëtingëllojë bishti i dy vargjeve, s’vë re as gjuhën, as arsyen. Për të thënë “Ish një ditë që pellazgët”, ish-in e bën ishte”. Folja “jam” në vetën e tretë njëjës të së pakryerës përdoret aktualisht në të dy format “ish” dhe “ishte”, gjë që bën fjalë për atë që forma “ishte”, jo vetëm që nuk është e gabuar, por, përkundrazi, tregon epërsinë e N. Frashërit në përpjekjet për krijimin e gjuhës letrare kombëtare, si prijës i këtij misioni kombëtar tepër të rëndësishëm. Kjo, përsa i përket aspektit gjuhësor, ndërsa në atë letrar, do të thonim që forma “ishte” është përdorur për ruajtjen e numrit të njëjtë të rrokjeve në çdo varg, sikurse edhe me fjalën “pellazgët”, që përdoret në formën “pellazgjitë”. Konica e qorton Naimin për pakujdesi, jo vetëm në gjuhë por edhe në arsye, duke pasur parasysh për këtë të fundit fjalën “pellazgjitë”, por, duke mos pasur parasysh, në të njëjtën kohë, liritë poetike dhe , në rastin konkret, atë të paragogës.
Konica e kritikon N. Frashërin edhe në rrafshin kuptimor të fjalëve a në simbolikën e përdorimit të tyre. Te vargjet: “Ebuxhehli dhe Lehepi / Të patundurë si plepi”, krahasimin “si plepi” e quan të pavend me arsyetimin se plepi nuk përfaqëson qëndrueshmërinë, por lëkundshmërinë, ngaqë merr parasysh gjethet e degët dhe jo trungun e plepit. Për vargjet “ Vdiq e vate në skëterrë / e kallë në dhet si derrë”, Konica gjen përsëri rast për të kritikuar Naimin, kur thotë se “ derri nuk varroset gjëkundi, veç në ca fe aziatike të çdukura, ku derri adhurohej si perëndi” . “Princi” i gjuhës shqipe nuk është në gjendje të kuptojë se ato vargje nuk shprehin mënyrën e varrosjes, por qëndrimin ndaj atij që varroset.
Në vazhdën e kritikave të Konicës është edhe “Parajsa” (N. Frashëri), ku ironizon e tallet, kur thotë se “Ata që duan të zbaviten duke hyrë në një shtëpi të marrësh, ku mendimet dhe fjalët s’kanë as lidhje, as kuptim, duhet të këndojnë një vjershë të gjatë të quajtur “Parajsa”.
Si është e mundur që një njeri i letrave , siç është Konica, që gjithë jetën ka notuar në oqeanin e kulturës botërore(orientit dhe oksidentit), që është sqimatar në shijet artistike, që këshillon për realizime dinjitoze në krijimtarinë letrare, që e përbuz vulgaritetin, ky pararendës i kritikës letrare me mendimin e vënies së saj në baza shkencore, vlerë kjo që studiues e kritikë nxitojnë ta evidentojnë e ta shkundin, sipas tyre, nga pluhuri i harresës, të arrijë në banalitete të tilla dhe të mos jetë në gjendje të kuptojë nyjen artistike të lidhjes së idesë dhe mesazhit që përcjell shkrimtari?! Për një njeri vlerash, siç është Konica, është e pahijshme, burracakëri dhe ligësi e skajshme që figurës nga më të shquarat e kombit t’i drejtohet me një cinizëm, fjalor të rëndomtë që jo vetëm s’të kujton princin e gjuhës, por thjesht shpërdoruesin e saj. Vizat e hequra nga Konica “magjistar” për të konturuar “mediokritetin” e shkrimtarit të madh, në përfytyrimin e lexuesve ato transformohen në shëmbëllimin e imazhit të një meskini zemërak.
Studiuesi dhe zhbiruesi deri në detaje i veprës së N. Frashërit, Rexhep Qosja, me një seriozitet e skrupulozitet të rrallë e për t’u pasur zili, do të thoshte se “Vlerësimi negativ që kritiku letrar F. Konica, i bën jetës morale dhe krijimtarisë poetike të N. Frashërit nuk do t’ua mbushë mendjen lexuesve dhe nuk do të mbesë historikisht i qëndrueshëm para së gjithash, për arsye se, në njërën anë ishte i nxitur prej shkaqesh jashtëletrare, kurse, në anën tjetër, nuk mund të ishte i dëshmuar”. ( R.Qosja “Porosia e madhe” fq.422)
***
Faik Konica nuk është aspak kontradiktor. Ai është konsekuent në qëndrimet e tij, por është madhështia e N. Frashërit dhe e çështjes që ai përfaqëson, para së cilës Konicës i duhet hera-herës të tërhiqet dhe aspak me takt e profesionalizëm, jo për paaftësi, por për rrethanat që nuk e favorizojnë dhe , sado “magjistar” i fjalës, magjia i prishet apo nuk ngjit, kur përballet me forcën e magjisë së popullit e të Atdheut. Eshtë kjo magji, që Konica “nuk e kupton”, në vargjet e poezisë “Parajsa”, prej të cilave ai prêt lajme dhe nuk ndien idenë e krenarisë për atdheun. Eshtë ky vështrim i veprës së N. Frashërit që e bën atë “pa lidhje, pa kuptim” (F.Konica), vështrim ku nuk spikat as arti, as shpirti i poetit dhe, zhveshur prej këtyre, Konica, në analizën e vjershës gjen lajmin “qesharak” se shqiptarët janë më të hershëm se Adami…dhe se Hëna. Konica “ka të drejtë” kur bën fjalë për të hyrë në një shtëpi të marrësh, por, ngaqë lexuesi nuk e gjen atë te “Parajsa” , ai ia hap portën e kritikës së vet që ta zbavisë me çuditë dhe “magjitë” që stis.
Të tilla analiza nuk mund t’i sigurojnë Konicës vendin dhe rolin e pararendësit të kritikës në letërsinë shqiptare dhe, nëse qëndron në analizën konkrete që i bën disa vargjeve të “Parajsës”, shumë thjesht konstaton se njohuritë për gjuhën, stilin, stilistikën, vargun, metrikën, rimën etj. janë aq të cunguara, saqë nuk e lejojnë të kuptojë funksionet e përdorimit të tyre dhe ironia është se me cinizëm e fodullëk e qorton N. Frashërin për mosdije. Do t’u kujtonim Konicës dhe të tjerëve që kërkojnë të ridimensionojnë me përmasa që nuk i nxë formati, thënien e tij shumë të bukur (se të tilla janë ato që mbështeten në filozofinë popullore) te shkrimi “Lutja e shkrimtarit”: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqi të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë!”. Siç duket, Ati nuk ia dëgjoi lutjen, ndaj dhe i mbeti goja hapur.
Kërkesa historike që shtronte Rilindja Shqiptare ishte lufta për çlirim kombëtar dhe mbrojtja e tërësisë tokësore të vendit. Sa mishërohet kjo kërkesë te F. Konica, kur ai thirrjen për luftë nuk e bën kundër Turqisë, as në vitin 1899 dhe as në vitin 1901, vite këto që përfshihen, sipas N.Jorgaqit, në baticën letrare të Konicës?! Dhe studiuesit e anashkalojnë çështjen se kundër kujt bëhet thirrja për të mprehur kordhat dhe mjaftohen vetëm me thirrjen për luftë, për t’i dhënë Konicës vend nderi në Rilindjen Shqiptare, edhe pse ai nuk pajtohej me rilindasit e shquar, për më tepër, që pikërisht tek ata ai shihte armiqtë.
Faik Konica nuk hezitonte të tregonte se cilët ishin armiqtë, por na duket pa kuptim pse studiues seriozë nuk e pohojnë ose edhe ta sqarojnë për të arritur pastaj në “atdhetarinë, humanizmin dhe adhurimin” (N.J) e tij. Në kërkim të armiqve të F. Konicës mbërrijmë në shkrimin e tij “Abetari shqip”, ku na informon se: “Në atë mot (1879), Sulltani, për të ndezur në Shqipëri një ziar kundrë sllavërisë, çpoi disa “meëmurë” shqiptarë të mblidhen të bëjnë një abetar shqip”. Eshtë fjala për “Alfabetaren e gjuhës shqipe”, përgatitur nga J. Vreto, s. Frashëri. K.Hoxhi, P. Vasa etj., botuar nga “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” në vitin 1879, si pjesë përbërëse e programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Konica bën shtrëmbërimin më të madh të historisë, kur patriotët e shquar të lëvizjes kombëtare i konsideron si vegla të Turqisë që, për interesa të saj, me nxitjen e Sulltanit, përgatitën dhe botuan Alfabetaren e Gjuhës Shqipe që, sipas tij, s’meriton tjetër emër, veç “ Abetari i egër i harbutëve”, të cilëve “u bë nevojë t’u thyejmë njëherë hundën”. Këta janë armiqtë kundër të cilëve Konica i bën thirrje popullit shqiptar të ngrihet në luftë të armatosur. Nëse ky qëndrim është shprehës i kërkesave historike të Rilindjes Shqiptare, do të thotë që historisë së Shqipërisë t’i grisësh një nga faqet më të lavdishme, epike, vendimtare për fatet e Atdheut e të popullit shqiptar, sikurse vepron Konica kur thotë; “E, megjithatë, jashtë vendit u themeluan shoqëri dhe shumë libra të mirë e gjetën rrugën për në Shqipëri. Por, në pjesën më të madhe ato ishin gjepura patriotike në një prozë të pagjak dhe në bejte të pafund”. Veçon Konica, kur flet për zhvillimet gjuhësore e letrare në shek. XIX, K.Kristoforidhin dhe Th. Mitkon, kontributi i të cilëve nuk vihet aspak në dyshim, por, duke mohuar titanët e tjerë të Rilindjes, duket se atë që nuk bëri populli duke mos iu përgjigjur thirrjes së tij, ta bëjë ai vetë duke “e zbrazur” shekullin XIX nga ngjarjet epokale që i dhanë emër, liri dhe pavarësi atdheut aq shumë të vuajtur dhe aq gjatë të robëruar.
Duke qenë kështu, pa i dhënë vetes të drejtën e poseduesit të së vërtetës, duke ia rezervuar këtë referencës në veprën e F. Konicës, na duket se korrente absurditetesh përshkojnë dhe karakterizojnë gjykimet dhe vlerësimet për këtë figurë kontraverse, si : “Duke u frymëzuar nga idealet e lëvizjes patriotike, ai (Faik Konica) do t’i thurte himn flamurit kombëtar” (N.J). A mund të pranojmë që thirrja për të mos u ngritur kundër pushtuesit : “Jo luftë kundër Turqisë” (F.K. “Flamuri”1899) është ideal i lëvizjes patriotike dhe frymëzim për himnizimin e flamurit kombëtar? Dhe, si të mos mjaftojë kaq, por për të qenë më bindës në patriotizmin e tij, Konica thotë:
“Sot kanë dalë ca zuzarë
Që ulëritnë shqiptarë,
……………………………………
E punojnë nat’e ditë
Që të mbetemi pa dritë”.
Konica dëshmon mjeshtëri në përdorimin e fjalës, koncizitet që, në atë ngushtësi përmasash, të strehojë një gjerësi shprehësie që përfshin mllef, zemërim, shtirje, hipokrizi, sharje, ironi deri në grotesk, intensitet mendimi e veprimi, ambiguitete, kapërcime gjendjesh e situatash, gurgullimë ndjenjash e emocionesh, pranëvënie idesh e kundërshtimesh dhe, të gjitha këto, nëpërmjet opozicionit stilemor të dy vargjeve të fundit, si një sinjal stilistik që të ndërmend vargjet e Naim Frashërit: “Punë, punë nat’e ditë / Që të shohim pakëz dritë” si dhe rilindasit e tjerë, zërin e fuqishëm të të cilëve Konica e përjeton si ulërimë, ndaj kërkon ta shuajë, paçka se ka zënë vend në ndërgjegjen e shqiptarëve, si kushtrim për liri. A janë vargje të tilla këto që mbartin idetë e mëdha të lëvizjes kombëtare, të cilat do ta ngrinin Konicën në lartësinë e militantit të Rilindjes Shqiptare, kur ai i përgojon, i përbuz, i fyen, duke shpallur pa drojë dhe me zë të lartë, në ideologji dhe në art, distancimin përfundimtar me ta? Këtë përkujdesje për ta vendosur Konicën aty ku ai vetë nuk ka dashur, kemi të drejtë ta shohim e ta kuptojmë si manipulim, i cili, për sa kohë që zë vend dhe është pjesë e opinioneve individuale, kjo është e drejtë e tyre, por, kur shtrihet në studime që ndikojnë e kanë peshë në mendimin shkencor-akademik që, sigurisht, përfshin edhe tekstet shkollore, atëhere manipulimi është veprues dhe shqetësues, dezinformues, pështjellon qëndrimin kontradiktor me atë kontravers, komplikon dhe vështirëson analizën deri në pakuptimësi, duke i shërbyer kaosit të përgjithshëm të këtij mëse çerekshekulli të fundit. Ja, pra, pse nuk na “ndihmojnë” studiuesit t’i gjejmë armiqtë e Shqipërisë në periudhën e parë të baticës letrare të Konicës (Rilindjes), ndërkohë që për periudhën e dytë, lëvizjen demokratike shqiptare, shtrohet pyetja: “Po cilët janë për Konicën armiqtë e Shqipërisë, të cilët e pengojnë seriozisht atë të ecë përpara?” (N.J) dhe jep përgjigjen, duke analizuar në veçanti secilin grup (armiqësor) : a) ekspertët, b) aparati burokratik i mbretërisë shqiptare dhe c) levantinët. Këta janë tre tipat shoqërorë që pengojnë ecjen përpara të Shqipërisë, këta janë tipat “të cilët qeverisin dhe drejtojnë fatet e vendit”(N. J).
Veprimtaria e Faik Konicës është e lidhur ngushtë me revistën “Albania” (1896-1909), e drejtuar nga vetë ai, në faqet e së cilës nëpërmjet shkrimeve, shpalosi pikëpamjet e veta për çështjen kombëtare që, edhe pse përbënte indin më të ndjeshëm të nervit atdhesor, nuk arriti dot ta ndërthurte plotësisht me ndjeshmërinë dhe patosin e lirisë së vegjëlisë, duke e konsideruar atë të plotësuar e të arrirë me përmbushjen e pretendimeve të veta dhe të grupit që përfaqëson, pa mundur t’i shtrijë ato në hapësirën ku frymon kombi.
Motoja e Konicës dhe revistës së tij “Albania” ishte: “Të shuhen luftërat, të mos derdhet më gjak në Shqipëri, po të ketë paqe dhe bashkim, e me urdhërim të Lartmadhësisë Tij Sulltanit, edhe me ndihmën e Zotit Math të bëhen shkolla shqipe dhe kombi shqipëtar të vejë përpara në dituri dhe mirësi…” (Revista “Albania”1898). Këtë platformë F. Konica e ka bërë të vetën dhe kërkon ta propagandojë e ta përgjithësojë, sepse më së fundi ka kuptuar dhe është ndërgjegjësuar se rruga e luftës “qenka e ligë për qëllimin e shëntmë” (Revista “Albania”1897).Ky është program i përçarjes, i shkëputjes nga programi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, është program i nënshtrimit, ku Konica gjen të realizuara interesat e veta, të cilat përpiqet t’i garantojë e t’i deklarojë si interesa të të gjithë popullit, i cili realisht është jashtë dhe shumë larg programit konician. Ndaj kujtdo që nuk u pajtua me këtë platformë, Konica mbajti qëndrim të ashpër deri armiqësor, duke përcaktuar përfundimisht pozicionin e tij në raport me popullin, atdheun, lirinë dhe pavarësinë e tij, raport ky shumë i qartë, pa asnjë ekuivok dhe të habit fakti që sot, nën dritën e zhvillimit të ngjarjeve, zgjidhja dhe suksesi i të cilave nuk i dha të drejtë këtij programi, por programit të atyre që Konica i quante “zuzarë”, jo vetëm që nuk ia kthejnë zuzarinë, por ia shndërrojnë atë në vlerë kombëtare që “lufton me pasion për idetë e veta dhe nuk përshtatet me të keqen, sado masive të jetë ajo” ( A. Gjata, E.Dodona “Për ju gjimnazistë”).
Si do ta kuptojmë faktin që, “kur bota turke pa se biri i shquar i Vlorës mendonte si shqiptar e kurrë nuk do t’i përulej vullnetit tiranik të një sulltani”, Konica ndezi një luftë edhe më të ashpër se turqit kundër I. Qemalit: “Shqiptarët ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve dhe ana e zuzarëve. Smail Qemali tradhtoi se është nga ana e zuzarëve” (F.Konica). Mos vallë, duhet kuptuar se ai njeri, që u bë simboli i kurorëzimit të përpjekjeve pesëqindvjeçare të popullit shqiptar me ngritjen e Flamurit në Vlorë dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, me këtë akt sublim që i dha atij pavdekësinë, nderimin dhe respektin më të madh të popullit shqiptar, nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka kryer kështu aktin e “tradhtisë” ndaj atdheut dhe popullit shqiptar? Dy figurat që shënojnë kulme në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, ajo e N. Frashërit dhe I. Qemalit, figura të skalitura në memorien e kombit dhe ndërgjegjen e popullit, qëndrimi ndaj të cilëve përbën kriterin e padiskutueshëm të vlerësimit si atdhetar apo renegat, janë figurat më të sulmuara, deri në fyerje dhe poshtërim, prej Konicës dhe jo vetëm si zuzarë, por edhe për “zuzarëritë” , një prej të cilave “është” edhe akti i shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë. Luftëtarët e lirisë, Bajo Topulli, Çerçiz Topulli, Mihal Grameno etj., janë të tillë që nuk i shkojnë midesë së F. Konicës, konceptit të tij për trimërinë e shqiptarit dhe luftën çlirimtare. Ai i konsideron banditë, hajdutë, kriminelë, plaçkitës, të pashpirt, të pabesë, që të vrasin pas shpine, të mjaftueshme këto të arrijë në përfundimin: “Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqenjtë. Në të tjera fjalë, trimëria e shqiptarit, sado e madhe në vete, është e vogël në shkaket që e ndezin” (“Albania” 1901).
Për të shmangur subjektivizmin dhe për të qenë më pranë atmosferës së kohës, njëkohësisht edhe më pranë së vërtetës, citojmë njërin nga veprimtarët e Rilindjes Kombëtare, publicistin dhe propagandistin e shquar të ideve kombëtare, Shahin Kolonja, i cili në një letër drejtuar F. Konicës, thekson: “Zotëria jote nuk merr mundimnë të çquash armiqtë e tu nga të kombit shqiptar; po çdo njeri që s’të pëlqen e quan armik dhe kuxon të përdorsh kundrë tij një gjuhë brumbulli; shumë herë ke mbrojtur dhe lëvduarë njerëz të dobët e pa nonjë vleftë dhe ke sharë njerëz, të cilëve vleftën dhe nderë ja u njeh i tërë kombi: të liqtë janë miqtë e tu, të mirët i ke armiq dhe ata që s’njohin programin tënd…”. Në përgjigje të letrës Konica shkruan se: “Gazetën “Drita” do ta goditë pa pushuar!”). Gazeta “Drita” (1901-1908) drejtohej nga Shahin Kolonja dhe ishte një nga organet më të rëndësishme të shtypit shqiptar gjatë periudhës së luftës për shpalljen e Pavarësisë. Duke iu kundërvënë kësaj gazete, nga ana tjetër Konica “sqaron”: “ Sulltani, sido qi t’jen, asht mreti i jonë, e kena detyrë me e nerue e jo me folë kundra n’at mënyrë që folni ju” (F.K).
Nuk është e vërtetë që “moskuptimi” i marrëdhënieve me N. Frashërin ishte shkaku i qëndrimit përjashtues ndaj Konicës. Pse nuk përmenden “moskuptimet” e tjera që janë aq të shumta, qoftë me përfaqësues të shquar të Rilindjes, qoftë edhe për ngjarjet e rëndësishme të vendit? Cila është arsyeja që nuk bëhet fjalë për “zuzarët dhe armiqtë e Shqipërisë”, të cilët vetë Konica nuk lë rast pa i përmendur dhe pa bërë thirrje për t’i luftuar dhe shkatërruar? Ky është “moskuptimi” që duhet të sqarojnë studiuesit dhe tekstbërësit, sepse nuk është thjesht personal, por më i përgjithshëm. Moskuptimi është me atdheun, me fatin e tij, para të cilit, dhe aq më tepër në dëm të tij, interesat personale janë shprehje e egoizmit, cinizmit, fodullëkut e kapadaillëkut, dukuri këto që e shpjegojnë “moskuptimin” e F. Konicës.
. Në këtë kuadër, të vlerësosh F. Konicën si atdhetar ,nuk është lajthitje aq e madhe sa ajo e F.Konicës, kur thotë për I. Qemalin : “Ai tradhtoi se është nga ana e zuzarëve”. Kjo është thënie që konfirmon pozicionin e kundërt, armiqësor të Konicës ndaj lëvizjes kombëtare shqiptare, nëse “është e vërtetë” që I. Qemali me patriotët e tjerë, që Konica i quan zuzarë, finalizuan këtë lëvizje me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe themelimin e shtetit shqiptar dhe, nëse “është e vërtetë” që I. Qemali, pas Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, nëse është e vërtetë edhe kjo, është figura më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, i vlerësuar me titullin e lartë të Heroit të Kombit e të popullit shqiptar. Të jesh armiqësor ndaj një figure të tillë si ajo e I. Qemalit, nuk ma merr mendja se kjo bëhet për hir të interesave të kombit, gjë që do të shënonte atdhetarizmin e F. Konicës.
* * *
Konica, as në jetë dhe as në letërsi nuk arriti të bëhet udhërrëfyes. I ndërgjegjshëm për atë që në vendin e tij prapambetja dhe padija kanë gjetur një strehë, ku zor se kush mund t’ua prishë këtë rehati, Konica, armik i përbetuar i padijes, i kthen kurrizin në papajtueshmëri të plotë, duke e lënë në fatin e vet të mbretërimit në strehën e ngritur. Nuk ka dyshim se tregimi “Një ambasadë e Zulluve në Paris” aludon për Shqipërinë e shqiptarët. Aq e vërtetë kjo, sa është i tillë edhe fakti që protagonisti i tregimit aludon për vetë shkrimtarin, i cili nuk mundi dot ta shpuplojë prej lëkurës së vet, për të bërë kështu hapin e madh të kapërcimit të kufijve të tij botëkuptimorë, për të marrë udhën e nderit, të shpëtimit e të lirisë që “nuk është e shtruar me lule, po me ferra; ai që arrin në kulm, arrin i grisur, i përgjakur, i dërsitur, i lodhur; dhe trëndafilat, dafinat, ujët e ftohtë, lëndina ku është mirë dhe ëmbël të shtrihet, të gjitha këto i gjen në kulm vetëm, dhe atje shumë herë as që i gëzon dot, se bie i vdekur nga të lodhurit, po me vetëdijen që i hap një udhë të re popullit” (F.Konica “Një ambasadë e zulluve në Paris”.) Këtë kapërcim që predikon, Konica nuk arriti ta bëjë, sepse do t’i duhej të kalonte hendekun që e ndante nga njerëzit e thjeshtë, të varfër e të padijshëm, gjë që ia vështirësonte raporti jo i favorshëm që pati krijuar me ta. Brenda rreshtave të së njëjtës fletë të tregimit, gjithë ajo patetikë, sakrificë, lodhje, mundim e vetëmohim, gjithë ai shpërthim e dinamizëm, ngushtohen e kufizohen në këshillën: “ Dhe përmi të gjitha, heshtni! Jo fjalë, jo mbledhje, jo misione! Rrëmbeni kazmat!” (F.Konica “ Një ambasadë e zulluve në Paris”). Kundërvënia e punës me trimërinë dhe e kazmës me pallën është e pavend, sepse nuk janë mjete që përdoren për të njëjtin funksion, por janë mjete që u përgjigjen realiteteve të ndryshme: palla – armë për të luftuar e fituar lirinë dhe kazma – “armë” për të punuar në liri. Dhe për të mos krijuar idenë e moskuptimit nga ana jonë të thënies së mësipërme, se fjala është për të mos ngritur armët kundër njëri-tjetrit, për të shmangur vëllavrasjen, verbërinë dhe barbarizmin, mendimi del më i qartë në thënien e heroit të tregimit drejtuar njerëzve; “Doni indipendencën që të mundni të mbeteni zullunj; po duhet të mos mbeteni zullunj, në daçi të fitoni indipendencën!”. Sepse, edhe zullunj, edhe independencë, është koncept përjashtues në vizionin e shkrimtarit për lirinë dhe prosperitetin e vendit. Këtu qëndron “kontradikta” e Konicës me rilindasit tanë, me gjeniun e Rilindjes N. Frashërin, për të cilin studiuesi dhe shkrimtari M. Zeqo thekson : “Vepra naimiane është laborator i formulave konceptuale bazë të kodit shqiptar, që nuk e kanë humbur e nuk do ta humbin kurrë forcën jetike, mbijetuese dhe rikrijuese të tyre”.
Nga një koncept revolucionar që ka për heroin dhe heroizmin, gradualisht, Konica e çliron atë nga patetizmi; nga një i revoltuar shpërthyes, e shndërron atë në nje të heshtur kokulur, nga një luftëtar i vetëdijshëm për misionin e vet, e tjetërson në një të arratisur që, në vrap e sipër, i rrëshqasin prej mendjes e zemrës, nëpër rrugët plot gurë e ferra, idetë , kërkesat, ndezullitë dhe, mbetur në zbrazëti dhe angështi, orvatet të hapë një udhë tjetër, tashmë për vete. Ky është grafiku i deheroizimit të heroit të F. Konicës, i cili e merr nga realiteti të formuar, në përqasje të një profili përmbushës të parapëlqimeve të tij, por që në përpunimin e laboratorit botëkuptimor të shkrimtarit, për shkak të pajisjeve që s’i përgjigjeshin realitetit shqiptar, qoftë edhe për avancueshmërinë e tyre, shformohej deri në degradim : “Jeta ime, tha përsëri, është një faliment. Asnjë nga qëllimet që kam pasur nuk e kam arritur… Ndofta fajin e kam pasur vetë, se desh të bëj të pamundurën: desha të liroj shkëmbin. Afër mendsh, në vend që të shpoj gurin,thyejta dhëmbët, dhe m’u bë mirë” (F.Konica “Një ambasadë e zulluve në Paris”). Pendohet për çka ka bërë dhe thotë: “Ç’të bëj dhe ku të vete? Të iki nga ky kontinent, të iki përjetë, dhe jo nesër, por që sonte, që tani. Të shkund këmbët mirë, që të mos më mbetet as pluhur nga dheu i Afrikës”. Nuk ia hapi dot rrugën popullit, por çau vetë për të zënë ndonjë vapor për Amerikë a Australi. Populli le të gërryhet e zhgërryhet në injorancë dhe robëri! Ky është kumti i F.Konicës dhe, nëse ndokush e quan këtë patriotizëm apo atdhetari, atëhere duhet kuptuar se, që të jesh atdhetar, duhet të mohosh atdheun, duhet të tallësh e të përbuzësh popullin tënd, duhet të frenosh luftën kundër pushtuesit dhe atëhere ndjehesh luftëtar i çështjes kombëtare.
Për shkrimin e Konicës “Shqipëria si m’u duk”, studiuesi N. Jorgaqi konstaton se Konica nuk është njëri i entuziazmit, nuk di të pohojë kollaj. Prandaj vepra e mirëfilltë nis nga kapitulli i tretë, kur Konica merr përsipër të gjykojë për gjendjen në tërësi të shoqërisë shqiptare”. Po përse nuk merren në konsideratë dy kapitujt e parë?! Për këta kapituj studiuesi mjaftohet me një vështrim të shpejtë, se në to “ai (Konica) jep një panorama të udhëtimit, të pritjeve protokollare, të ndryshimeve që sheh në jetën kombëtare të shqiptarëve dhe të atdheut”. Nuk e përmend emrin e A. Zogut, mbretit, për të cilin bëhet fjalë, sidomos në kapitullin e dytë. Dhe kjo, për arsye se nuk do t’i justifikonte pastaj thëniet se “Konica nuk është njëri i entuziazmit, nuk di të pohojë kollaj”. Konica është edhe njeri i entuziazmit, edhe njeri që, në ka gjë më të lehtë për të, është pohimi dhe mohimi dhe që nuk i shkon asnjë nga të dyja. Nuk mund të pranosh se i mungon entuziazmi Konicës në ndjenjat që ushqen dhe shpreh për A. Zogun, mbretin e Shqipërisë, shëndetin e të cilit “e vëzhgojnë perënditë e vjetra t’Ilirisë, shëndetin e atij që vetëm ka qenë i zoti në kohët moderne t’i japë bashkim dhe paqe popullit shqiptar, filizit të fundmë të lisit të madh ilirian, i cili njëherë mbulonte në degët e tij dhjetë herë më tepër vend se Shqipëria e sotme”. Nuk mund të pranosh se Konica nuk di të pohojë kollaj, kur thotë se” Mbreti i shqiptarëve, me një forcë të rrallë të shpirtit që mund të pritej vetëm nga një filozof, është gjith’ay që pata njohur vjete më parë në Vjenë: i dashur në fjalët, i rëndë dhe i matur kur e do puna, buzëqeshur dhe plot me “sense of humor” kur vjen rasti, i shpejtmë në të hyrë në një çështje të re, i zoti në të gjetur anën e mirë dhe anën e dobët të një teme”, pohim të cilin e bën pas një mohimi të mëhershëm të kësaj figure “si njëri që synon të rrëmbejë pushtetin në rrëmujë e sipër” dhe që studiuesi nuk mund të mos e evidentojë, gjë që bën fjalë për përzgjedhje të qëndrimeve të Konicës, të pohimeve e mohimeve të tij, me kujdesin dhe interesimin për ruajtjen e pozitivitetit në trajtimin e tij.
Le të përqëndrohemi pak te dy kapitujt që përjashtohen prej veprës së mirëfilltë, për arsye se pohimet e mohimet e bëra në to nuk i shkojnë shkrimtarit dhe, si të tilla, nuk ka pse të jenë objekt i analizës. Por, së pari, do të shtronim pyetjen: Pse duhet t’i përjashtojmë ne, kur këtë përjashtim nuk e bën vetë autori?! Këto pohime janë: a) Konica nuk e njeh realitetin shqiptar në periudhën menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, përderisa zhgënjehet me ardhjen e tij në Shqipëri: “…shkova në Shqipëri, i bindur se do të gjeja një botë aq të pëlqyer e të hijshme, sa ajo që u kisha përshkruar të huajve. Zgjimi qe i tmerrshëm dhe qesharak”. (F. Konica “Shqipëria si m’u duk”. Kap.I). b) Konica pohon distancimin nga njerëzit e thjeshtë, nëpërmjet sinekdokës, e ngarkuar kjo pejorativisht: “Pas disa muajsh shëtitjeje në mes turinjsh të thartuar e të parruar, një mëngjes të Vjeshtës së Tretë 1913 mora në Durrës një biletë “resmi” të çuditshme”. Eshtë pikërisht kjo largësi shpirtërore dhe, sigurisht, jo niveli kulturor, që e bën Konicën, në kontakt me xhandarët injorantë, të shkëmbejë pranueshëm dhe kënaqshëm bindjen për mospranimin e njëri-tjetrit: “Duke qenë se ata dhe unë rrojmë në dy botë shpirtërore të ndara me milionë male dhe dete, njëra nga tjatra, ç’nevojë mund të kishin ata nga unë, ose unë nga ata?” (F.K “Shqipëria si m’u duk”. Kap.I). Ata kishin nevojë për atdhetarinë e Konicës, sikurse edhe të të gjithë atdhetarëve të tjerë që kurorëzuan Pavarësinë, por që duket se ajo natyrë atdhetarie atij i mungonte, ndaj dhe nuk e mbështeti Qeverinë e I. Qemalit. c) Konica pohon raportet me popullin, duke u pozicionuar qartë në grupimin shoqëror të interesave të ndryshme nga ato të masave popullore: “Në qoftë se në Shqipëri bukuria është e përbuzur dhe e shkelmuar, s’ka dyshim se fisnikëria, një nga virtytet e vjetra të kombit shqiptar, është e gjallë dhe merr një fuqi të re nga shembulli i Atij që duhet të jetë dhe është pasqyra e mirësive të shpirtit e të sjelljeve” (F.K). As real dhe as vizionar është Konica në këtë përcaktim, sepse fisnikëria, nëse bëhet fjalë si virtyt, siç thuhet në citimin e mësipërm, forcën dhe gjallërinë e ka pasur dhe e ka në shpirtin e popullit shqiptar, ndërsa shembulli që sjell Konica, referimi te mbreti i Shqipërisë, ka të bëjë më tepër me “oxhakësinë” e jo me virtytin, koncept për të cilin më herët Asdreni ka replikuar me të (Konicën): “ Kur shkojnë bejlerët udhës edhe gurët hiqen mënj’anë, pa le që njerëzit që dridhen kur u dëgjojnë zënë! Kurrë s’kam dëgjuar-edhe në janë, ata janë fort të rrallë- një bej të zbresë më poshtë e të pyesë një të varfër si shkon, si kundër shohëmë nëpër viset e Botës së qytetëruar”. d)Konica pohon madhështinë e mbretit Zog, pa i kursyer fyerjet ndaj atyre që s’kanë të njëjtin mendim me të, kur thotë se “Vetëm tru të sëmura, të udhëhequra prej ndonjë dordoleci afrikan, s’kanë zotësinë të kuptojnë madhësinë e kësaj figure historike”, duke pohuar kështu pazotësinë e tij të të kuptuarit të kësaj figure, aq më tepër mungesën e vizionit, që disa studiues aq shumë e theksojnë largpamësinë e tij, por “nuk dinë” se ku ta gjejnë e si ta kandisin atë. Krenohet Konica, kur një miku i tij kujton “profecinë” thënë atij, se “Kemi këtu një fytyrë fare të jashtëzakonshme; Ahmet Beu më duket i shënuar nga Fati që të lozë rolin më të madh në histori të Shqipërisë.(F.K.”Shqipëria si m’u duk”. Kap.II “Mbreti”). Dhe koha e “vërtetoi” parashikimin e Konicës: A. Zogu, pikërisht atëhere kur mund të hynte në histori, ai doli prej saj, duke lënë njollën e turpit e të tradhtisë kombëtare. e) Konica pohon paqëndrueshmërinë e bindjeve të tij politike dhe të veprimtarisë në mbështetje të rrjedhave demokratike në vendin tonë. Përkrahu Revolucionin e Qershorit 1924, kundër qeverisë së A.Zogut, sikundër përkrahu kundërrevolucionin e A. Zogut dhe diktaturën e tij monarkiste. A mund të bëhet fjalë për “një optikë të atdhetarit demokrat” (N.J)?! Ai e përdor politikën për interesat personale, ndaj nuk ka bindje të qëndrueshme, dhe jo interesat për politikën, gjë që do t’i siguronte qëndrueshmëri bindjesh, qartësi vizioni dhe karakterin përparimtar a prapësues, kjo ,në vartësi të raportit me masat e gjera popullore. Interesat përjashtojnë idealet. Idealet nuk përjashtojnë interesat.
Konica nuk është as luftëtar, as vizionar. Çlirimin nga Turqia ai e sheh në vetëtretjen e saj, e cila nuk mund të ndodhë të paktën më parë se njëzet vjet të tjera, pra, i takon, sipas profecisë së tij, rreth vitit 1926. Konica nuk sheh gjatë kësaj periudhe ndonjë arsye për ta luftuar Turqinë : “Ç’arsye kemi që t’i kundërshtojmë?… Në zënçim që sot me luftëra, besimi im është se do të lozim prapë lodrën e vjetër: do të derdhet ca gjak, do të bëhen ca syrgjynë, do të jepen ca “ylyfera”, – dhe Kombi Shqiptar do të vdesë pa- pendim të funtmë” (“Udha e çlirimit”).
Në fund të shek. XIX në letërsinë arbëreshe u shfaqën dukuri e prirje të kundërta me ato të drejtimit patriotik, ndikuar kjo nga politika e imperializmit Italian. Kjo frymë, megjithatë, nuk mbizotëroi dhe nuk mundi të zbehë vlerat dhe idetë patriotike të traditës letrare arbëreshe, ndaj është i pajustifikuar tërbimi i Konicës që, sipas tij, merr shkas ngaqë “zuzarët e ndyrë të Italisë” nën moton “Flamuri i Italisë është dëshirë dhe qëllimi i shqiptarëve” i kundërvihen “pa pasur turp kur një mëmëdhetar si unë thotë se vetëm ndihma e Austrisë do të ngrerë Shqipërinë” (“Fjalë dhe gjak”1899). Nuk dimë se sa turp pati Konica kur deklaroi më vonë se miku tek i cili duhet të mbështeten shqiptarët “s’mund të jetë tjatër, veç Italisë”. A nuk është ky një vetëdemaskim, kur në mllefin e vet përfshin gjithë komunitetin arbëresh në gjerësinë e hapësirës dhe thellësinë e kohës? “Ca zuzarë, ca mvaranikë të qelbur, që gjallojnë në fund të çizmes italiane, duke parë se qëllimet e tyre të pshehura s’venë mbarë, ngrihen për të kundërshtuar. E me ç’të drejtë e përse? Se (a ndëgjoni) pesëqint vjet më parë një kope tradhëtorësh shqiptarë, me mos pasur miaft zëmbrë për të mpruar vendin e tyre të shtypur prej Turqve, e lëshuan dhe ikën si dackanjarë, e vatnë të fshehin turpin e frikën e tyre nën thundër të çizmes italiane” (“Fjalë dhe gjak”). Studiuesit tanë, pse nuk kanë marrë në konsideratë faktin që, për herë të parë, dhe i vetmi deri më sot, shpërnguljen e shqiptarëve në Itali, pas pushtimit osman, e quan akt tradhtie. Për të motivuar një marrëzi, kthen përmbys tërë një histori. Ndoshta kjo përbën “hapësirën ku gjen vend atdhedashuria, humanizmi dhe adhurimi” (N.J).
Vlerësimi bërë F. Konicës në klimën e re të këndvështrimit nuk ka arsye dhe as kuptim të shmangë pranëvënien e mospërkimeve, duke davaritur kështu çdo pështjellim rreth figurës së F. Konicës, sidomos këtë, në tekstet e letërsisë të sistemit arsimor në Republikën e Shqipërisë.

Nuk po e kupton o idjot qe Faik beu po e gjykon si poet dhe jo si atdhetar?
Ne nje kohe me Bodlerin,Apolinerin,Poen,Lermontovin,Naim Frasheri shkruan si baba teqeje,vargje didaktike,dhidhaskalike:,me vlera per edukimin e femijeve.Ne ate kohe,kur mungonte krejt kjo lloj letersie,Naimi ishte i vlershem,po s`mund te quhej poet kombetar!Shume me cilesore se poezia Naimit,ishte poezia popullore.Poezia Naimit nuk arrin as mjeshtrat e medhenj te divanit,persian,Saadiun,Furzuliun e jo me Khajamin.Nuk arrin as disa nga bejtexhijte e shekXVIII-XIX,si Hasan Zyko Kamberin dhe Nezim Beratin.
Naimi,Mjeda,Shiroka mbeten ne nivelin e nostalgjikeve didaktike te letersise europiane,qe ne europe ne shek XIX,perfaqesohen nga Edmondo De Amici,Hektor Malo,Carl Dikens.