Përfundon testimi i punonjësve të shëndetësisë që garojnë për vendet e lira të punës në poliklinikat, spitalet, si dhe qendrat e tjera mjekësore publike të vendit. Ditën e djeshme ka përfunduar testimi i qindra profesionistëve të shkencave mjekësore teknike në qarqet e Elbasanit, Fierit, Vlorës, Korçës, Beratit, Gjirokastrës.
Ndërkohë që po gjatë ditës së djeshme janë zbardhur edhe pikët e fituara në testimin me shkrim të datës 16 shkurt nga profesionistët e shkencave mjekësore teknike të këtyre profileve, për qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Kukës dhe Dibër. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara rezultatet për rreth 400 kandidatët që iu nënshtruan provimit me shkrim në këto profile.
Ndërkohë që më herët për secilin prej këtyre kandidatëve janë detajuar edhe pikët e fituara nga faza e parë e konkurrimit me anë të dosjes. Sipas rregullores së përcaktuar nga dikasteri i shëndetësisë, testi përbëhej nga dy pjesë. Pjesa e parë që përmbante pyetjet rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërisë dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri, fizioterapi dhe shkenca të tjera teknike mjekësore.
Ndërsa pjesa e dytë e testit përmbante pyetjet rreth kujdesit infermieror bazë dhe në specialitete. Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 70 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e pjesës së parë të testit (20 pikë) dhe nga pikët e pjesës së dytë të testit (50 pikë).
Po sipas rregullores, shpallja e fituesve për vendet e lira të punës në spitalet dhe poliklinikat e këtyre qarqeve përcaktohet nga rezultati final që secili kandidat ka siguruar nga testimi me shkrim dhe konkurrimi me dosje.
Në këto kushte, të drejtën për të fituar kontratat e lira të punës në institucionet mjekësore publike e kanë të gjithë kandidatët që kanë siguruar nivelin më të lartë të pikëve në të dyja fazat e vlerësimit. Këta kandidatë do të ftohen të parët në zgjedhjen e vendeve të punës.
Kandidati me nunin më të madh të pikëve ftohet nga Komisioni i Vlerësimit dhe zgjedh një nga vendet e lira të punës sipas kategorisë që aplikuar në institucionet shëndetësore të qarkut përkatës. “Kandidati ka të drejtë që të refuzojë deri në tre vende pune në bazë të rezultatit final.
Në rast të mosplotësimit të vendeve vakante në një qark të caktuar, ky vend vakant i ofrohet kandidatëve të qarqeve të tjerë duke filluar nga kandidati që ka më shumë pikë, pavarësisht qarkut ku ka konkurruar, por duke ju përmbajtur kategorisë së aplikuar.
Sipas rregullores, kandidati emërohet nga drejtori i institucionit shëndetësor me kontratë individuale pune me afat tre muaj provë.
Në përfundim të kontratës së provës, kreu i institucionit shëndetësor, duke u bazuar në punën e bërë gjatë periudhës së provës vendos nëse kandidati fiton të drejtën e lidhjes së kontratës së punësimit me afat të pacaktuar”, saktësohet në udhëzimin e shpallur nga dikasteri i shëndetësisë për plotësimin e vendeve të lira të punës në profilet mjekësore.
Kliko KETU për të parë pikët
