Për të mos rrezikuar përjashtimin nga gara e pranimeve në universitete, maturantët duhet të sigurojnë nga provimet e detyruara minimalisht 10 pikë, nga 50 të mundshmet, si dhe 8 pikë nga 40 të përcaktuara në total për secilën nga dy lëndët që do të japin si provime me zgjedhje. Vetëm në këtë formë maturantët dhe kandidatët e tjerë, mund të vijojnë më tej garën për të siguruar një të drejtë studimi në një nga universitetet publike apo private, gjatë vitit të ri akademik 2015-2016. Dikasteri i arsimi ka miratuar ditën e djeshme udhëzimin me datat konkrete në të cilat do të zhvillohen 5 provimet e maturës së këtij viti, (2 lëndët me zgjedhje dhe 3 provimet e detyruara). Sipas kalendarit të përcaktuar maturantët do të çelin sezonin e provimeve me 23 maj, me provimin e detyruar të gjuhës së huaj, i cili është vendimtar për mbylljen me sukses të studimeve të shkollës së mesme, por pikët e tij nuk do të përfshihen në procesin final të llogaritjes së rezultatit të pikëve që duhen për të shkuar në universitet. Gjashtë ditë më pas maturantët do testohen në provimin e detyruar të gjuhës shqipe dhe letërsisë, ndërsa në datën 9 qershor është planifikuar të zhvillohet provimi i tretë i detyruar, në lëndën e matematikës. Dhjetë ditë më vonë, maturantët do të kalojnë provën e fundit që janë provimet me zgjedhje, që do të zhvillohen brenda të njëjtës ditë për të dy lëndët e përzgjedhura nga vetë maturanti. Ndryshe nga sa ndodh me maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme, apo atyre profesionale, për seksionet dygjuhëshe testi i provimit të detyruar në lëndën e gjuhës së huaj, nuk do të hartohet nga ekspertët e AKP-së apo drejtorive arsimore. Në udhëzim përcaktohet se teza e provimit gjuhë dhe letërsi italiane për seksionet dy gjuheshe shqiptaro-italiane, do të përgatitet nga Ministria e Arsimit e Italisë, teksa provimi zhvillohet më datën 19 maj pranë shkollave përkatëse. Teza e provimit të gjuhës frënge për seksionet dy gjuheshe do hartohet nga Ambasada Franceze dhe provimi zhvillohet po në datën 19 maj në shkollat e këtij profili. Më 25 maj çdo shkollë përcakton listën e maturantëve mbetës, që përjashtohen nga sezoni i parë i provimeve të maturës, të cilat pasqyrohen në sistemin online të maturës. Provimet e detyruara të matematikës, gjuhës dhe letërsisë do të zhvillohen në mjedise të përcaktuara, ndërsa ai i gjuhës së huaj do administrohet në shkolla nga drejtoria arsimore. Drejtoria e Arsimit Parauniversitar dhe Agjencia Kombëtare e Provimeve, brenda muajit prill 2015, të përcaktojnë llojin e testeve që nevojiten për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore (të detyruara dhe me zgjedhje). Përfaqësuesit e Postës Shqiptare tërheqin në AKP, një ditë para provimit, të gjitha materialet e provimit. Materialet e provimit do të jenë të paketuara për çdo mjedis më vete, teksa do të monitorohen nën forca të rrepta sigurie për të mos lejuar rrjedhje të informacionit.
Lëndët dhe datat e provimeve të maturës 2015
Gjuhë e huaj 23 Maj
Gjuhë shqipe dhe letërsi 29 Maj
Matematikë 9 qershor
Provime me zgjedhje 19 qershor
Si do jetë përmbajtja e testeve dhe pikët për 5 provimet
- Provimet e Maturës Shtetërore 2015, të detyruara dhe me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00.
- Procedurat e hartimit të testeve të provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje përcaktohen në “Rregulloren për procesin e Maturës Shtetërore”.
- Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë.
- Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (10 pike gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë.
- Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila.
- Provimet me zgjedhje do të zgjasin 3 orë. Maturantët/kandidatët që do të japin provim të maturës shtetërore njërën nga lëndët me zgjedhje, do të fillojnë provimin në orën 10:30 dhe do ta përfundojnë atë në orën 13.00. Ata do ta zhvillojnë provimin në mjedise të veçanta.
- Maturantët dhe kandidatët mbetës në provimet e Maturës Shtetërore kanë të drejtën e riprovimit në sezonin e vjeshtës.
Kalendari i konsultimeve
Në udhëzimin e saj, MAS detajon se drejtoritë arsimore në të gjithë vendin duhet të dërgojnë brenda datës 25 maj në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) emrat e maturantëve që janë mbetës në përfundim të këtij viti shkollor, të cilët do të hiqen më pas nga lista zyrtare e nxënësve që përmbushin kushtet për të vijuar dhënien e provimeve të maturës. Provimet e maturës do të zhvillohen në mjediset e shkollave, të cilat do të monitorohen edhe nga pajisje të veçanta për të mos lejuar rrjedhjen e informacionit, por edhe për të shmangur tentativat e kopjimeve me anë të telefonave apo mjeteve të tjera të komunikimit. Një javë para datës kur do të zhvillohet secili provim i maturës, mësuesit e lëndëve do të zhvillojnë me nxënësit e tyre orë të veçanta konsultimesh. Organizmi i konsultimeve me maturantët do të kryhet sipas procedurave të përcaktuara në Urdhrin e Ministrit të Arsimit përgjatë gjithë javës para ditës së zhvillimit të provimit. Këto konsultime do t’u vijnë në ndihmë maturantëve që të sqarojnë paqartësitë që mund të kenë në lidhje me temat dhe kapitujt që janë pjesë e programit mësimor që do të japin si provim. Ndërkohë që në një pjesë të gjimnazeve kanë nisur që të zhvillohen konsultime që në këtë fazë për temat e paqarta apo mangësitë e informacioneve që mund të kenë maturantët.
Datat e provimeve të lirimit për nxënësit e klasave të 9-ta
Provimet e Lirimit për nxënësit e klasave të 9-ta do të zhvillohen në të njëjtin format sigurie, sikundër veprohet me provimet e Maturës Shtetërore. Po gjatë ditës së djeshme, MAS ka zbardhur datat se kur do të zhvillohen provimet e lirimit, të cilave u nënshtrohen çdo vit rreth 50 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në të gjithë vendin. Nxënësit do të testohen në tre lëndë, përkatësisht në gjuhën e huaj që do të zhvillohet më 6 qershor, provimin e gjuhës shqipe, i cili është planifikuar të jepet në datën 11 qershor, si dhe provimi i fundit në lëndën e matematikës që do zhvillohet më datën 16 qershor.
Provimet e Lirimit jepen vetëm me shkrim. Nxënësi që nuk arrin të marrë këto dy provime gjatë sezonit të qershorit ka të drejtë t’i rijapë sërish në sezonin e vjeshtës. Vetëm më pas do të mund të ndjekë procedurat vijuese të regjistrimit për ndjekjen e studimeve të shkollës së mesme. Nxënësit e pakicave kombëtare (greke dhe maqedonase) zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën gjuhë amtare. Provimi kombëtar i arsimit bazë në këtë lëndë do zhvillohet me datën 18 qershor. Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhen, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar, në nivelin gjuhësor A2. Lista e gjuhëve të huaja, që do të jepen si provim i detyruar janë: anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Nxënësit e klasave të IX-ta parapërgatitore për seksionet dy gjuheshe italiane, gjermane dhe franceze janë të lirë të zgjedhin midis gjuhës së huaj të parë që kanë filluar në klasën tretë dhe gjuhës së huaj të seksionit përkatës të filluar në klasën e gjashtë. Materialet e provimit tërhiqen në AKP, një ditë para provimit, nga përfaqësuesi i autorizuar me shkrim nga kryetari i Komisionit të Provimit të Lirimit, në prani edhe të përfaqësuesit të Institutit të Zhvillimit të Arsimit. Në rast se ndodh rrjedhja e informacionit, këta persona do të mbajnë përgjegjësi. Çdo test do të vlerësohet nga dy mësues korrigjues të përzgjedhur. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar.
Datat për provimet e lirimit
Gjuhë e huaj 6 qershor
Gjuhë shqipe 11 qershor
Matematikë 16 qershor
Udhëzimi me datat e provimeve të lirimit
Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 6 qershor
- Provimi i gjuhës shqipe do të zhvillohet më datën 11 qershor.
- Provimi i Matematikës do të zhvillohet më datën 26 qershor.
- Nxënësit e pakicave kombëtare (greke dhe maqedonase) krahas dy provimeve të mësipërme zhvillojnë edhe provimin e lirimit në lëndën gjuhës amtare, i cili do të zhvillohet më datën 18 qershor.
- Provimet e lirimit do të nisin në orën 10:00 e do të zgjasin rreth dy orë e gjysmë.
- Për shkollat e pakicës kombëtare greke, teza për provimin në lëndën e gjuhës amtare, përgatitet nga Drejtoria Rajonale e Arsimit në Gjirokastër.
- Për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase, teza për provimin në lëndën gjuhës amtare, përgatitet nga Drejtoria e Arsimit në Korçë.
- Nxënësit me aftësi të kufizuara zhvillojnë provimet kombëtare në përshtatje me veçoritë e tyre.
- Për institutin e nxënësve që nuk shikojnë, testi do të tërhiqet në AKP nga drejtoria e institutit, një ditë para zhvillimit të provimit dhe e kthen atë në sistemin e shkrimit brail.
- Nxënësi mbetës në provimet e lirimit ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.

Faleminderit për njoftimet!