Avokati i Popullit, ndodhet në një vizitë zyrtare në Poloni, në konferencën ”Sfidat kryesore të Ombudsmanit në shekullin e XXI” organizuar nga Grupi i Vishegradit me Ombudsmanët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë fjalës së mbajtur në konferencë zoti Totozani ka prekur çështjen e nacionalizmit, por dhe të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri.
“Ndër sfidat e sotme për Shqipërinë ndër të tjera, janë edhe të drejtat e komunitetit LGBT, ndër të cilat martesa mes personave të së njëjtës gjini.
Të drejtat e komunitetit LGBT janë të drejta të njeriut, ky komunitet nuk kërkon më shumë se kaq, por të drejtat dhe liritë e shumicës së qytetarëve duhet të zbatohen njësoj edhe për këtë komunitet.
Është e qartë se në një demokraci nuk mund të kemi në të njëjtën kohë qytetarë, të cilët gëzojnë të gjitha të drejtat dhe në qytetarë, të cilëve u ndalohet një pjesë e tyre.
Në këtë kuptim, Avokati i Popullit mbështet e do të vazhdojë të mbështesë përmirësimet legjislative që do të bëjnë të mundur kërkesat e komunitetit LGBT.
Një sfidë tjetër për t’u përballur është edhe nacionalizmi dhe fryma nacionaliste, e cila pavarësisht dëmeve dhe pasojave të tmerrshme në 10 vitet e fundit në Ballkan, duket se ende ka, ose kërkon të ketë terren.
Kjo frymë rrezikon bashkekzistencën paqësore midis qytetarëve dhe rrezikon të krijojë një atmosferë jo të përshtatshme ndaj minoriteteve kombëtare dhe të drejtave të tyre.
Sfida më e madhe sot mbetet padyshim integrimi europian dhe Shqipëria duhet të bëjë të gjitha sakrificat e nevojshme, në mënyrë që sa më shpejtë ta gjejë veten, në të mirë të qytetarëve të saj, pjesë të familjes europiane”, u shpreh Totozani.
Avokati i Popullit, z.Igli Totozani zhvilloi një takim dy palësh me Ombudsmanen e Polonisë, znj Irena Lipoëicz.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e ndryshme të bashkëpunimit, sicc është rasti i specializimit afatgjatë të ekspertëve të institucionit të Avokatit të Popullit, pranë institucionit të Ombudsmanit në Poloni.
U ra dakord që në vjeshtën e këtij viti, Ombudsmania e Polonisë, znj. Irena Lipoëicz të zhvillojë një vizitë zyrtare në institucionin e Avokatit të Popullit në Tiranë