Kur ka kaluar thuajse një muaj nga lënia në burg nga Apeli i Krimeve të Rënda, piloti italian Giorgo Riformato kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë. Njeriu që uli avionin në rërën e plazhit të Divjakës, që gjithnjë ka pretenduar se kishte mbërritur në Shqipëri për një xhiro turistike, tashmë i kërkon drejtësisë shqiptare, përmes avokatit të tij Ramazan Topuzi, që ta lërë të lirë, sepse nuk ka pasur ndonjëherë lidhje me trafik droge. Në të dyja senacat e mëparshme, Krimet e Rënda dhe Apeli i kësaj gjykate, e lanë në arrest me burg, ashtu si Saimir Bajramin, pasi u kapën të dy më 10 maj, njëri në avion, tjetri me 460 kg drogë.
Rekursi në Gjykatë
Kërkesa për rekurs, mbërriti pardje në Gjykatën e Lartë, me nr akti 61004-00992-00-2014, me tipin e çështjes “Fazën e Hetimit Paraprak/Kërkesë për Vleftësimin Arrestimi dhe Caktim Masë Sigurie (Neni 258 i Kodit të Procedurës Penale). Piloti vazhdon të mbajë qëndrim mohues për akuzën duke këmbëngulur se në Shqipëri ndodhej për turizëm, por Prokuroria e Krimeve të Rënda bën me dije se ka prova të arsyeshme për përfshirjen e Riformatos dhe një grupi kriminal në trafik droge.
Riformato dhe trafiku në tentativë
Giorgio Riformato u arrestua më 10 maj të këtij viti në plazhin e Divjakës, kur gjatë uljes me avionin e tij pësoi një defekt teknik duke u shkëputur njëra rrotë. Menjëherë pas uljes së avionit në plazh policia nisi një operacion ku zbulua 460 kg hashash të cilat nga hetimet rezultuan se do transportoheshin me avion në një linjë trafiku nga shqipëria drejt italisë.Pas arrestimit të Giorgo Riformatos policia arrestoi dhe Sajmir Bajramin të cilësuar si organizator të trafikut dhe bashkëpunëtor të Riformatos, e më pas dhe Aurel Pupën dhe Kleviol Ahmetajn persona të dyshuar si paketues të drogës. Prokuroria e Krimeve të Rënda theksoi se kishte prova filmike që shfaqnin Bajramin dhe Riformaton në ambientet e hotel “C”, pak metra larg Prokurorisë së Përgjithshme. Bajrami ka pretenduar se e njeh Riformaton dhe kishin vendosur që ta ulnin avionin në plazhin e Divjakës, për shkak se pista e Gjadrit ishte bllokuar me blloqe betoni, ndërsa vetë Riformato e ka mohuar njohjen me shqiptarin.
Leave a Comment
