NATO-ja pritet të nisë në tre muajt në vijim misionin për patrullimin detar në brigjet e Libisë, në përpjekje për të ulur fluksin e migrantëve në Itali, njoftoi ministrja italiane e Mbrojtjes, Roberta Pinotti në një intervistë të publikuar sot.
Në një intervistë dhënë për “La Stampa”-n, ministrja u shpreh besimplotë se Aleanca e Atlantikut do ta miratojë këtë plan gjatë samitit të Varshavës, më 7 korrik.
Ky mision është pjesë e një plani më të zgjeruar duke përfshirë Italinë dhe parashikon mbylljen e korridorit detar perëndimor drejt Evropës dhe kthimin drejt vendeve të origjinës të gjithë kontigjentit të migrantëve ekonomikë.
“Në kuadër të NATO-s, ne kemi kërkuar që operacioni ‘Active Endeavour’ të ndryshojë kursin nga një operacion anti-terrorist në Mesdheun Lindor, në një operacion që përfshin brigjet libiane”, deklaroi Pinotti.
