Skandali i infektimit të dy fëmijëve me HIV-AIDS gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale në spitale.
Ministria e Shëndetësisë hedh poshtë pretendimet mbi skandalin e infektimit të dy fëmijëve me HIV-AIDS gjatë kohës që i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalet publike. Drejtori i Politikave shëndetësore, Pëllumb Pipero, konfirmoi dje se asnjëri nga rastet e deklaruara nuk e ka marrë virusin gjatë operacioneve, duke pretenduar se transmetimi është kaluar nga nëna mbartëse.
Pipero siguron se asnjë nga dy pacientët e vegjël nuk ka marrë gjak gjatë zhvillimit të ndërhyrjeve kirurgjikale në pediatrinë e QSUT-së apo dhe në Spitalin Ushtarak, duke minimizuar mundësitë e kalimit të virusit nëpërmjet gjakut të pasigurtë.
“Kjo rrugë përjashtohet madje dua të theksoj se gjaku ynë është po aq i sigurt sa gjaku që ofrohet në vendet fqinje dhe Evropë. Ministria e Shëndetësisë ka investuar dhe do të vazhdojë të investojë për të rritur dhe më tej sigurinë e gjakut. Ne kemi disa vjet që nuk kemi asnjë rast të infektuar përmes gjakut të transfuzionuar dhe pse sikundër e dini ne kemi shumë pacientë të politransfuzionuar ( fëmijë me talasemi)”, shprehet Piperio.
Sipas tij të dy rastet kanë transmetim vertikal, nga nëna tek fëmija duke e cilësuar këtë ecuri si pozitive pasi është mbajtur në nivele shumë të ulëta, duke shkuar drejt nivelit zero. “Të dy rastet janë trajtuar dhe referuar nga klinika e pediatrisë e kemi ritheksuar se rastet tek ne vijnë përgjithësisht vonë, ndaj po punojmë fort t’i afrojmë qytetarët me sistemin, pasi këshillimi, diagnostikimi dhe mjekimi është falas për ta, ritheksoj 100 për qind falas, për t’i diagnostikuar më shpejt, pasi kështu mjekohen më mirë. Ju siguroj se të gjitha procedurat kirurgjikale dhe mikrokirurgjikale në spitalet tona janë të sigurta dhe mundësia për të marrë HIV përmes tyre është hipotetikisht afër zeros dhe paraprakisht ju siguroj zero”, shprehet Pipero.
Më tej ai ka sqaruar se të dy rastet janë ende në hetim epidemiologjik, i cili për shkak të natyrës së problemit zgjat. Aktualisht, ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo ka urdhëruar që të dalin përgjegjësitë, nëse i përkasin sistemit shëndetësor dhe do të jetë raporti përfundimtar i hetimeve që po kryhen që do të konfirmojë se ka pasur gabime spitalore në infektimin e këtyre rasteve apo vërtet janë transmetuar nga nëna tek fëmija sikundër edhe pretendohet.
Shëndeti riprodhues
Kundrejt situatës alarmuese të shtimit të nivelit të komplikacioneve shëndetësore, specialistët e shëndetit publik apelojnë për sensibilizimin e popullatës, duke u ndalur veçanërisht tek të rinjtë për mbrojtjen e shëndetit riprodhues. Së fundmi, vëzhgimet e kryera në terren konstatojnë se ka një rritje të infeksioneve seksualisht të transmetueshme, për të cilat nëse nuk ndërhyhet, do të mbartin pasoja të rënda. Specialistët e Institutit të Shëndetit publik thonë se shqetësues është rritja e rasteve me sifiliz dhe klamidia. Kështu, të dhënat tregojnë se deri në nëntor 2012-s janë regjistruar 97 raste me sifiliz (19 femra), nga 41 që ishin në vitin 2011. Ndërkohë sa i takon klamidias, të dhënat tregojnë se prania e infeksionit është në prevalencën 5.6 për qind. Këto të dhëna janë evidentuar gjatë një studimi të kryer tek femrat e moshës riprodhuese.
Prania e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe sidomos klamidias lehtëson transmetimin e mëtejshëm seksual të virusit HIV. Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga ISHP-ja, përdorimi i metodave bashkëkohore kontraceptive është në nivele të ulëta, vetëm në 11 për qind, çka e shton rrezikun e përhapjes masive të këtyre sëmundjeve.
Somario: Vëzhgimet e kryera në terren konstatojnë se ka një rritje të infeksioneve seksualisht të transmetueshme, për të cilat nëse nuk ndërhyhet, do të mbartin pasoja të rënda