Pas homazheve në nder të komisar Musa Skurës, kryesocialisti Rama është shprehur në një prononcim për mediat se dita kur policia do të rimarrë terrenin e vet dhe krimi të zmbrapset nuk është e largët.
“Fatkeqësisht pasi erdhëm këtu para pak kohësh për t’i dhënë lamtumirën një komisari kurajoz, sot jemi prapë këtu për një tjetër komisar kurajoz. Janë dëshmorë në një lufte ndaj krimit që ka fituar një epërsi të frikshme në kushtet kur policia është tradhtuar, braktisur dhe po rrënohet dita ditës. Duke ngushëlluar këto familje, këto gra, këta fëmijë, dëshiroj që në nderim të kujtimit të këtij komisari dhe të tjerëve të angazhohem solemnisht për ditën e një përballje kur policia të marrë terrenin e vet dhe krimi të zmbrapset”, tha Rama
Berisha: Drejtësia do të veprojë forcërisht ndaj vrasësve të komisarëve të policisë
“Drejtësia do të veprojë forcërisht mbi dorën që vrau Musa Skurën dhe Adem Tahirajn”. Kështu u shpreh kryeministri Berisha sot, gjatë homazheve në nder të shefit të krimeve të qytetit Burrel.
“Erdha të shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin e qeverisë familjes së komisarit Musa Skura që ra në krye të detyrës, në përballje me falangat e krimit, të shpreh ngushëllimet për efektivat e policisë së shtetit për këtë humbje të madhe. Ishte një nga komisarët më të shkëlqyer, më trima, më të vendosur, qytetar shembullor e prind i shkëlqyer. Shembull do të mbetet sakrifica sublime e komisar Skurës, burrëria e tij do jenë frymëzim për të garantuar sigurinë e jetës. Do merret çdo lloj hapi ligjor brenda kuadrit demokratik kushtetues, qeveria e gatshme ta marrë, por nga ana tjetër në të dyja rastet drejtësia po vepron dhe do veprojë forcërisht”, shtoi Berisha duke iu referuar edhe rastit të komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, i cili ashtu si Skuraj humbi jetën në krye të detyrës.
Mbërrin në portin e Durrësit trupi i Musa Skurës
Musa Skura, ish-shefi i krimeve të Burrelit, i cili ndërroi jetë tre ditë më parë në Itali, pritet të kthehet sot në Shqipëri. Trupi i pajetë i Skurës, i cili u shpall dje Dëshmor i Atdheut, ka mbërritur në Durrës rreth orës 10:00. Mbërritja e trupit në portin e Durrësit ishte parashikuar për në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm, por ky orar është shtyrë për shkak të kushteve të këqija të motit.
Familjarët dhe kolegët e Skurës kanë pritur mbërritjen e tragetit me trupin e Skurës, i cili më pas do të vendoset në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë, ku edhe do të zhvillohet ceremonia e homazheve e parashikuar në orën (11:00-12:30). Pas ceremonisë komisar Musa Skura do të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve, që do jetë edhe banesa e tij e fundit.
Mësohet se qeveria ka miratuar dje për familjen e Skurës një ndihmë financiare prej 5 milionë lekësh të vjetra.
Skura u qëllua gjatë një operacioni policie për kapjen e disa trafikantëve të municioneve, në fshatin Suç të Matit. Ai u plagos rëndë dhe u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak. Por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e tij mbeti e rëndë, për shkak të dëmtimit të organeve të brendshme nga plumbat. Skura u dërgua drejt Italisë dy javë më parë, për një mjekim më të specializuar. Ai ndërroi jetë mbrëmjen e së dielës, në orën 22:30.
Ndërron jetë në Itali Musa Skura
22 janar – Ndërron jetë në spitalin “Padre Pio” të Foxhias në Itali, shefi i krimeve të Burrelit Musa Skura.
Skura nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra disa ditë më parë gjatë një operacioni policie në Mat. Vdekja e Skurës është konfirmuar nga familjarët e tij, të cilët bënë të ditur se ai ka ndërruar jetë mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22:30.
Skura u transportua për në Itali një javë më parë, për mjekim më të specializuar. Gjendja e tij ka qenë e rëndë për shkak të të dëmtimit të 5 organeve dhe hemorragjisë së brendshme.
Musa Skura u plagos mbrëmjen e 13 janarit gjatë një operacioni për arrestimin e disa personave që merreshin me trafik municionesh. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, 57-vjeçari Musa Skura u plagos me një plumb në gjoks dhe dy të tjerë në trup. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën nacionale Burrel-Klos, në afërsi të fshatit Suç të rrethit të Matit.
* * *
Plagosja e Musa Skurës, i akuzuari Alla: Kisha pirë, nuk e mbaj mend ç’ndodhi
Tre të akuzuarit për plagosjen e rëndë të shefit të krimeve të Burrelit, Musa Skura, kanë dalë sot para trupit gjykues për masën e sigurisë.
Ndaj Fitim Allës dhe Edison Lleshit dhe Vilson Milkurit, gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjatë seancës, Alla, i cili është i akuzuari kryesor për vrasjen e Musa Skurës, u shpreh se në momentin e krimit ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe nuk e mbante mend se çfarë kishte bërë.
Ndaj tre të arrestuarve: Fitim Alla, 19 vjeç; Vilson Milkurti, 18 vjeç; dhe Edison Lleshi, 17 vjeç, rëndojnë akuzat për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”, si dhe “Shitje dhe mbajtje pa leje të armeve dhe municioneve luftarake”.
Plagosja e Musa Skurës, familjarët dyshojnë se e shitën kolegët
Familjarët e Musa Skurës hedhin dyshime në lidhje me mënyrën se si u plagos ai. Ata dyshojnë se shefin e krimit të Burrelit e kanë shitur kolegët e vet.
“Ndoshta kanë qenë spiunët brenda policisë, ata që e kanë shtyrë Musain të shkojë atë ditë në aksion”, thonë ata.
Elez Shoshaj, një prej të afërmeve të Musa Skurës, thotë se ai sapo ishte kthyer nga festimet e 100-vjetorit të Policisë së Shtetit, kur është lajmëruar për ngjarjen në fshatin Suç.
“Musai ka qenë deri në orën 3:00 në festën e organizuar për 100 vjetorin e krijimit të policisë. Pastaj e kanë lajmëruar se në fshatin Suç ndodheshin autorët dhe ai bashkë me katër policë është nisur drejt tyre, pa jelek antiplumb. Është e pafalshme që të nisesh në aksion pa jelek, se tani nuk do kishte këto probleme”, deklaron Shoshaj për Gazetën Shqiptare.
Më tej, Shoshaj hedh dyshimet mbi kolegët e Skurës: “Ne si familjarë nuk e përjashtojmë mundësinë që atë e kanë shitur policët dhe e kanë çuar në pritën e të rinjve. Musai ka qenë ai që pak ditë më parë ka kapur autorët e grabitjes me maska në Burrel dhe ndoshta kanë filluar zilitë në radhët e policëve. Ne dyshojmë se ka edhe spiunë në radhët e policisë, të cilët duke parë se Musai punonte shumë, kanë menduar që ta shtyjnë drejt këtij aksioni, duke ditur që nga dita në ditë pritej konfirmimi për ta kaluar Musain tek Policia e Durrësit. Këtë e themi pasi nuk ka mundësi që Musai të nisej në aksion pa jelek, e aq më tepër në një ditë kur të gjithë ishin në festën e policisë. Prandaj dyshojmë se ka qenë dikush që e ka marrë në telefon dhe I ka thënë të shkojë atje, dikush që e ka pasur zili”.
Musa Skura u plagos rëndë gjatë një operacioni për kapjen e disa personave që po transportonin armë, në fshatin Suç të Matit.
Skura transportohet drejt Rinasit
15 janar – Musa Skura është transportuar drejt Rinasit 90 minuta më vonë nga ç’ishte parashikuar. Shkak për vonesën është bërë gjendja e rëndë shëndetësore në të cilën ndodhet shefi i krimit të Burrelit.
Rreth orës 11:30, Skura është transportuar me ambulancë drejt Rinasit, ku e priste një avion sanitar, që do ta dërgojë drejt Foxhas, në Itali, për një mjekim më të specializuar.
Shefi i krimeve të Burrelit do të dërgohet për mjekim në Itali
14 janar – Musa Skura do të transportohet me një helikopter të Ministrisë së Shëndetësisë drejt Italisë, për një mjekim më të specializuar. Shefi i krimeve të Burrelit do të ndiqet nga mjekët e një klinike të specializuar në Foxhia. Lajmin e konfirmoi ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në një prononcim për mediat.
Mbetet e rëndë gjendja shëndetësore e shefit të krimeve të Burrelit, Musa Skura, i cili u plagos mbrëmjen e së dielës, gjatë një operacion për arrestimin e disa personave të dyshuar si trafikantë armësh.
Mjekët që po e mbajnë nën mbikëqyrje z. Skura, në Spitalin Ushtarak, thonë se duhet të kalojnë të paktën 48 orë që të mund të flitet për rrezik të tejkaluar.
Babai i tre djemve u qëllua me armë zjarri, çka i shkaktoi dëmtimin e pesë organeve. Për plagosjen e tij janë arrestuar dy persona: Fitim Alla, 19 vjeç, Vilson Milkurti, 18 vjeç, dhe Rigers Lifja, 22 vjeç.
Detajet e operacionit
Burime të policisë së Matit i kanë thënë gazetës “Panorama” se “prej ditësh ky kontingjent kriminal këqyrej nga policia e Matit, pasi informacionet e grumbulluara tregonin se ata merreshin me vjedhje të ndryshme dhe dyshoheshin se shisnin armë të llojeve të ndryshme, kryesisht automatikë dhe pistoleta”.
Operacioni drejtohej nga shefi i komisariatit, Gazmend Lika. Sipas informacioneve, Skura ka qenë duke u kthyer nga festimet e 100-vjetorit të policisë në Tiranë, kur është hasur me dy persona të cilët kishin dalë të armatosur dhe të maskuar në këtë aks. Teksa ka kërkuar dorëzimin e tyre, shefi i krimeve është qëlluar nga një person i tretë, i cili ishte fshehur rreth 10 metra në anë të rrugës.
Dyshohet se Fitim Alla, 19 vjeç, është personi që ka qëlluar ndaj shefit të policisë dhe është kapur menjëherë, pasi ka mbetur i plagosur në këmbë. Pak metra më tutje është arrestuar edhe Vilson Milkurti, 18 vjeç. Ndërsa pas ndërhyrjes së policisë së qarkut Dibër, është vënë në pranga edhe 22-vjeçari Rigers Lifja.