Shqipëria prodhon 100% të energjisë nga burimet ujore, por kjo sasi nuk plotëson të gjithë nevojën e brendshme për konsum, e cila kompensohet përmes importit.
Në një plan, që parashikon sesi do të zhvillohet energjia e rinovueshme në 5 vitet e ardhshme, qeveria ka planifikuar të mbrojë investimet që do të kryhen për të prodhuar energji nga dielli dhe era, për të zbutur varësinë nga hidroenergjia, e cila sot është e ndikuar nga luhatjet e shpeshta të motit.
“Për herë të parë parashikohen kapacitete të reja me skema mbështetëse për burimet eolike dhe fotovoltaike, përfshirë projektet e reja për të cilat ka pasur shumë interes. Duke qenë se jemi vend autoprodhues, pra konsumatorë që duan ta prodhojnë vet energjinë, do të garantohet blerja për kapacitetin 50 megavat nga fotovoltaikët dhe 30 megavat nga eolikët, burime me erë”, tha Entela Çipa, këshilltare për Energjinë, MEI.
