Duke qenë se verifikimet në terren për dëmet e shkaktuara nga tërmeti vijojnë ende, mësimi në shkollat e Tiranës, Durrësit, Vorës, dhe Kurbinit do të nisë javën e ardhshme, në datën 9 dhjetor, ndërsa në shkollat e tjera përgjatë ditës së sotme.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme shtyrjen e mësimit edhe me 5 ditë të tjera për zonat më të prekura nga tërmeti, për shkak se ende nuk kanë përfunduar inspektimet dhe riparimet në disa shkolla që mbeten të dëmtuara nga tërmeti i përgjakshëm i 26 nëntorit.
Plani i veprimit për shkollat
Sipas ekspertëve të arsimit, duke qenë se tërmetet nuk japin asnjë paralajmërim, madje edhe pas një tronditjeje të parë, nuk mund të dimë nëse do të ketë të tjerë, apo në çfarë magnitude do të jenë, ndaj kjo e bën edhe më të rëndësishme dhe të domosdoshme njohjen e procedurave emergjente dhe evakuimit. Shkollat kanë marrë tashmë edhe planin e veprimit të detajuar deri në nivel klase për menaxhimin e tërmeteve.
Çdo mësues duhet të ketë një plan të mbrojtjes fillestare të nxënësve në klasa dhe planin e daljes emergjente. Është udhëzuar që këto plane në nivel klase duhet të rakordohen me drejtorin për plan dalje emergjente në nivel shkolle. Pasi të rakordohet, plani duhet të printohet dhe postohet në një vend të dukshëm ku postohen njoftimet e tjera të shkollës. Autoritetet e arsimit sqarojnë se në ditën e parë të rifillimit të mësimit, ky plan duhet të diskutohet dhe ushtrohet me nxënësit, pra të bëhet një simulim mbrojtjeje dhe daljeje emergjente në rast tërmeti.
Pas kësaj, duhet të mbahen leksione për fenomenin natyror që shkakton tërmetin dhe fatkeqësitë e tjera natyrore. Mësuesve u sugjerohet që ditën e parë të mos behën vlerësime të nxënësve dhe të jeni fleksibël në zbatimin e planit mësimor. “Lejoni nxënësit të diskutojnë në mënyrë të strukturuar për përjetimin e tyre individual të tërmetit.
Procedurat që drejtuesit e shkollave duhet të ndjekin varen nga struktura e ndërtesës, karakteristikat e saj teknike, numri i kateve mbi tokë ose nëntokë dhe veçanërisht nga vendi ku jeni në kohën e lëkundjeve të tërmetit, si dhe nga struktura e emergjencës që ka ndërtesa (për shembull nëse ka ose jo shkallë të jashtme vetë-mbështetëse të arratisjes nga zjarri). Sidoqoftë, mund të përcaktohen disa udhëzime, të cilat megjithëse të përgjithshme mund të jenë të vlefshme për të shpëtuar veten dhe nxënësit përreth jush”, saktësohet në planin udhëzues të shpërndarë tek mësuesit.
Si duhet të veprohet?
Sipas udhëzimeve, rreziku kryesor përfaqësohet nga shembja e strukturës si dhe njëkohësisht nga rënia e mobilieve brenda klasës ku ju ndodheni. Është e rëndësishme që të përcaktohen hapësirat (pikat) që mund të jenë më “të ngurta” se vetë struktura (në përgjithësi pjesët që mbajnë, arkitrarët, portat e hyrjes dhe qoshet në përgjithësi) dhe drejtoni nxënësit afër tyre.
Në të njëjtën kohë mësuesit duhet të përpiqen që të largojnë nxënësit nga orenditë që mund të bien duke ju thënë të strehohen nën tavolina, ose në rast pamundësie duke u mbështetur në murin mbajtës, mjaftueshëm larg nga dritaret të cilat mund të dëmtohen dhe të shkaktojnë plagë.
Që në momentin e parë të lëkundjes, mësuesi apo kushdo tjetër i rritur, udhëzon me zë të lartë: “Shpejt në pozicion për tërmet: Përkulu, Mbulohu dhe Prit!”. Në planin e shpërndarë tregohen hapat që duhet të bëhen gjatë tërmetit, pas përfundimit të lëkundjeve, gjatë evakuimit, si dhe grumbullimit në një vend më të sigurtë. Në mënyrë të detajuar këto udhëzime i gjeni të plota në vijim të shkrimit.
Duhet të dimë se: “Nuk vrapohet dhe qëndrohet në heshtje, në mënyrë që urdhrat e dhënë të kuptohen qartë nga të gjithë. Vetëm në rast se verifikohen situata të paparashikuara që kanë nevojë për një rishikim të menjëhershëm të procedurave. Me të mbaruar lëkundjet e tërmetit, mësuesit dhe personeli i shkollës duhet të kujdesen të përhapin urdhrin e evakuimit për të gjithë ndërtesën, siç parashikohet nga plani i emergjencave, përmes pajisjeve që ndodhen në shkollë (për shembull: zilja e shkollës, kundra zjarrit, bilbili, altoparlanti ose komunikimi derë me derë)”, bëjnë me dije ekspertët e arsimit në udhëzuesin e përgatitur”, detajohet më tej në plan veprimin e hartuar për shkollat.
7 këshillat si duhet të veproni në klasë gjatë tërmetit
- Personi që është më afër derës duhet ta hapë atë plotësisht.
- Përkuluni në gjunjë dhe mblidhuni sa më shumë të jetë e mundur.
- Mbuloni kokën, qafën dhe fytyrën.
- Futuni poshtë një tavoline nëse keni afër një të tillë.
- Mbahuni fort tek tavolina ose mbulesa në të cilën jeni futur.
- Qëndroni larg mobilieve të rënda.
- Kini kujdes në përdorimin e shkallëve. Shpeshherë shkallët janë më pak të qëndrueshme dhe mund të dëmtohen.
Në laborator:
- Largoni të gjitha materialet e rrezikshme ose që mund të marrin zjarr para se të futeni poshtë tavolinës.
Jashtë në sipërfaqe të hapur:
- Nëse gjatë tërmetit gjendeni jashtë, qëndroni larg mureve që mund të shemben, pemëve dhe shtyllave elektrike.
- Përkuluni, mbulohuni dhe prisni, duke mbrojtur me krahët tuaj kokën dhe qafën.
- Në rast se ndodheni në autobus ose në fugonin e shkollës, shoferi duhet të ndalojë mjetin larg zonës së rrezikut.
Me t’u dhënë sinjali i evakuimit, personi përgjegjës:
- Duhet të aktivizojë menjëherë procedurat e evakuimit.
- Aty ku kushtet e lejojnë, të kujdeset për ndërprerjen e energjisë elektrike, ujit dhe kaldajave.
- Të kontrollojë që rrugëdaljet të jenë të sigurta dhe të aksesueshme (për shembull: të verifikojë nëse ka pjesë muri të rrëzuara ose çarje në dysheme të krijuara përgjatë shkallëve).
Me t’u dhënë sinjali i evakuimit, mësuesit duhet të:
- Përgatisin klasën për evakuim duke i organizuar nxënësit në rresht.
- Marrin regjistrin e klasës (regjistri duhet të jetë gjithmonë i pajisur me një “Procedurë Evakuimi”).
- Verifikojnë që nuk kanë mbetur më nxënës në klasë, të mbyllin derën e klasës dhe të vihen në krye të nxënësve të klasës (në rast se zbulohet menjëherë mungesa e një nxënësi pasi keni dalë nga klasa, mësuesi përgjegjës i klasës ia komunikon drejtuesit të shkollës).
- Procedojnë me evakuimin duke respektuar çfarë është përcaktuar në planin e emergjencave, duke lëvizur me shumë kujdes por kurrë duke vrapuar apo folur me zë të lartë.
- Gjatë evakuimit duhet të lëvizet me kujdes ekstrem, duke hapur me qetësi dyert, ecur me kujdes mbi dysheme, shkallë dhe shesh-pushime, apo gjatë lëvizjes anash mureve të perimetrit gjatë zbritjes së shkallëve.
- Nëse nuk është e mundur dalja nga shkolla, mësuesit të përgatiten dhe marrin masa për lëkundje të tjera. Të spostojnë afër mureve anësorë tavolinat më të forta dhe të strehohen poshtë tyre.
- Duhet kujtuar që nuk duhet humbur kohë për të marrë objektet personale (xhaketat, çantat, objekte të tjera me vlerë).
Gjatë tërmetit duhet të ndiqni këto udhëzime :
- Nuk vrapohet dhe qëndrohet në heshtje, në mënyrë që urdhrat e dhënë të kuptohen qartë nga të gjithë. Vetëm në rast se verifikohen situata të paparashikuara që kanë nevojë për një rishikim të menjëhershëm të procedurave.
- Duhet qëndruar gjithmonë larg dritareve ose dyerve me xham gjatë daljes nga shkolla.
- Mos ndalo nëpër shkallë.
- Përgjatë shkallëve qëndro ngjitur me murin.
- Mos përdorni kurrë ashensorin.
- Evitoni sa më shumë të ecni në qendër të klasave dhe nëpër korridore për shkak të dëmtimeve të mundshme të strukturës.
- Në rastet kur në klasë ka nxënës me aftësi të kufizuara, mësuesit ndihmës duhet të kujdesen për evakuimin e tyre, dhe me t’u gjendur jashtë klasës, të mbërrijnë në zonën e sigurtë dhe jo të shoqërojnë sërish nxënësit nëpër klasat.
- Punonjësit që nuk kanë detyra specifike në rast emergjence, nëse nuk kërkohet një ndërhyrje e tyre gjatë evakuimit, duhet të shkojnë menjëherë në vendin e grumbullimit, duke ndjekur rrugëdaljet e emergjencës.
Vendi i sigurtë
- Me të dalë nga shkolla, duhet të shkohet në një vend të sigurtë. Një vend grumbullimi i cili duhet të ndodhet në një distancë nga shkolla, më e madhe se lartësia e shkollës, larg pemëve, shtyllave të linjës elektrike që mund të jenë një rrezik më vete në rast tërmeti. Me të mbërritur në vendin e grumbullimit, mësuesit duhet të verifikojnë që të gjithë nxënësit janë të pranishëm, përmes apelit (ndaj duhet marrë regjistri i klasës kur mësuesi del nga klasa) dhe përpilimit të një liste me prezencat dhe mungesat apo të plagosurit e mundshëm. Menjëherë më pas formulari duhet t’i dorëzohet skuadrës së emergjencës.
- Pasi të jeni grumbulluar në një vend të sigurt duhet të flisni me nxënësit, ti inkurajoni ata të shprehin ndjenjat e frikës, ankthit ose nervozizmit. Shpjegojuni se situata të tilla nuk janë të përhershme. Kujdesu që të mos kenë dëmtime fizike përgjatë kohës që kaloni së bashku dhe shfaq përkujdesje. Nëse do të nevojitet ndihmë e mëtejshme, kontaktoni autoritetet përkatëse që e mundësojnë atë si: Spitalet ose Psikologët.
