Planifikimi i territorit, kërkohen hapësira publike

redaktor

Ka mbërritur në Kuvend një shtesë për ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Edhe pse në relacionin shoqërues të ndryshimeve të kërkuara ligjore saktësohet përcaktimi i ndarjes së kompetencave nga x institucion në y institucion, ajo që realisht të bie në sy dhe duhet vlerësuar është ideja për krijimin e hapësirave të përbashkëta publike dhe marrja e përgjegjësive nga institucionet publike në partneritet me privatin.

Por sa lexon fjalën park, trotuar, lulishte mbetesh në një ndryshim ligjor por në pamundësinë për ta bërë praktik në realitet. Në shtesën e nenit 4 të ligjit aktual, qartësohet së pari kush është hapësira publike dhe pastaj kërkohet të jetë ajo. “Hapësira publike është hapësira e jashtme, si trotuari, rruga, sheshi, lulishtja, parku e të tjera të ngjashme, në shërbim të komunitetit, ku menaxhimi mund të jetë publik dhe/ose privat.

Hapësira publike përfshin rrugëkalime publike dhe mjedise që janë të hapura për publikun ose në shërbim të përdorimit publik, pavarësisht nga regjimi juridik i tokës dhe përtej përcaktimeve të pronës publike, sipas ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit””, qartësohet në projektin e kërkuar për shtesë ligji.

Por a do të jetë i mundur krijimi i një hapësire të tillë, fjala vjen në Tiranë, ku jo vetëm park apo lulishte nuk të kap syri gjëkundi, por dhe rrugët apo trotuaret mbeten një hapësirë përplasëse mes njerëzish?

“Autoritetet publike, kryesisht ose në partneritet me sektorin privat, krijojnë hapësirë publike përmes ndërtimit të infrastrukturave publike të përcaktuara në nenin 3, për gjelbërimin, transportin, aktivitetet sociale, edukativo-sportive, çlodhëse dhe/ose rekreative, sipas rregullave, kushteve dhe standardeve të posaçme”.

Shtesa në ligj përcakton kritere dhe bashkëpunëtorë për të krijuar këto hapësira, por ku dhe si mund të krijohen ato?

A ka mbetur vend për shtesën e ligjit në krijimin e hapësirave të përbashkëta e për të shpëtuar apo rregulluar diçka nga ajo që është ndërtuar pa kriter prej shumë vitesh? “Autoritetet vendore të planifikimit kanë detyrimin të sigurojnë mbrojtjen, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e hapësirave publike, me shpenzimet e veta, përfshirë në pronë private, pa cenuar të drejtën e pronarëve për zhvillimin e tyre deri në momentin e kryerjes së zhvillimit”, saktësohet në projekt, por duket se për autoritetet vendore pak ka mbetur për të bërë apo mirëmbajtur.

Reforma territoriale, ndarje kompetencash

Por në relacionin e propozuar të ndryshimeve i mëshohet më së shumti ndarjes së funksioneve dhe reformimit të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT). Kjo sipas relacionit shpejgues synohet përmes ndarjes dhe kalimit të funksioneve të sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Territorit (funksione që aktualisht i ka AKPT-ja) dhe procesit të kontrollit të përputhshmërisë në një strukturë të re të tipit “Customer Care”.

Me këto ndryshime ligjore të propozuara, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të ketë të njëjtat kompetenca planifikuese dhe bashkërenduese, të parashikuara në ligjin nr.107/2014, datë 31.7.2014. AKPT-ja do të vazhdojë të mbetet agjenci dhe do të përqendrohet në kompetencat e dhëna me ligj, të përcaktuara në nenin 9, të ligjit nr.107/2014, datë 31.7.2014.

Funksionet e sekretarisë teknike të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe kontrolli i përputhshmërisë së lejeve do të bëhen nga një strukturë tjetër, e cila do të krijohet, do të organizohet dhe do të funksionojë në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili ngarkohet për ngritjen e kësaj strukture. Pra, është propozuar një shkëputje e funksioneve planifikuese të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit me funksionet teknike, kontrolluese e monitoruese të zhvillimit të territorit, si sekretari teknike e KKT-së.

Me këto ndryshime ligjore synohet fuqizimi i strukturës së AKPT-së, në kuadrin e përqendrimit dhe forcimit të procesit të planifikimit të territorit, si proces mjaft i rëndësishëm në fushën e zhvillimit urban. Këto fuqizime strukturash do t’i japin më shumë mundësi një planifikimi territorial të qëndrueshëm, apo forcim kompetencash të një institucioni të caktuar, dhe harresës së shtesave të tjera të ligjit për krijimin e një hapësire të përbashkët?

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *