Zbulimi i plantacioneve të drogës në malësinë e Dukagjinit në Shkodër, në Kurbin dhe Patos, ka çuar dje në pranga 3 kryepleqtë e fshatrave Plan, Skuraj dhe Rrërës, për akuzat shpërdorim detyre dhe moskallëzim për drogën e mbjellë nga banorët, apo trafikantët. Në bazë të ligjit për qeverisjen vendore, të zgjedhurit vendorë, komunarë, këshilltarë apo kryepleq, janë të detyruar të kontrollojnë territorin që administrojnë dhe të raportojnë në polici të gjitha rastet e kultivimit të tokave me hashash, private apo shtetërore. Burime zyrtare të policisë thanë se të ndaluarit janë Gjon Bungu, 52 vjeç, banues në fshatin Plan, Marjan Gega, 41 vjeç, banues në Skuraj dhe Gjergji Hoxhaj, 47 vjeç, kryeplak i fshatit Rrërës. Të zgjedhurit vendorë mohuan akuzat, duke thënë se nuk kishin dijeni për lëndën narkotike, pasi ishte mbjellë në një zonë ku ishte e vështirë ta monitoroje nga terreni.
Shkodër
Policia e Shtetit kishte paralajmëruar edhe më herët se për të zgjedhurit vendorë ku do konstatohej përgjegjësi për kultivimin e lëndëve narkotike, do zbatohej ligji i pushtetit vendor. Kryepolici Artan Didi tha në fundjavë se po hetohej për rastet e parcelave të asgjësuara dhe dje ka ardhur arrestimi i parë i një të zgjedhuri vendor për aksionin në Dukagjin. Gjon Bungu, 52 vjeç, banues në fshatin Plan, i komunës Pult, akuzohet se duke qenë me detyrën e kryeplakut nuk ka zbatuar ligjin për të njoftuar organet e policisë për kultivimin e bimëve narkotike në fshatin e tij. Ndaj tij janë ngritur akuzat shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi. Policia tha se parcelat e zbuluara me drogë ishin shumë afër fshatit dhe lehtësisht të dallueshme për t’u raportuar nga Bungu.
Lezhë
Por Gjon Bungu nuk ka qenë i vetmi. Policia e Lezhës prangosi dje edhe kryeplakun e fshatit Skuraj në Kurbin, nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. Sipas informacioneve zyrtare, i arrestuari është Marjan Gega, 41 vjeç. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për mosraportim, por droga e asgjësuar dy ditë më parë rezultoi se ishte e mbjellë në tokën shumë pranë banesës së kryeplakut. U bë e ditur se në parcelën me lëndë narkotike ishin mbjellë 1837 rrënjë kanabis. Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe Artur Kola, 41 vjeç, i cili dyshohet të jetë kultivuesi i lëndës narkotike.
Patos
Po dje u arrestua Besnik Karemanaj, 47 vjeç, banues në Patos dhe u shpall në kërkim vëllai i tij Myzafer Karemanaj, 49 vjeç, pasi iu gjetën të kultivuara në banesa 58 bimë e dyshuar kanabis sativa. Për këtë rast u bë edhe arrestimi në flagrancë i Gjergji Hoxhaj, 47 vjeç, banues po në Patos, me detyrë kryeplak i fshatit Rrërës, për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”, pasi ka qenë në dijeni të kësaj vepre penale dhe nuk e ka denoncuar te organet përkatëse. Për të dyshuarit u ngritën akuzat e kultivimit të narkotikëve dhe moskallëzim krimi.
