Një luftë e brendshme duket se po vlon në gjirin e Borussia Dortmund dhe situata mund të jetë tepër serioze, duke e vendosur në vështirësi Jurgen Klopp para fillimit të sezonit të ri.
Nga Gjermania është e përditshmja më e madhe “Bild” që jep lajmin bombastik se Marco Reus ka refuzuar rinovimin me eksodin e të mëdhenjve që duket i pandalshëm te verdhezinjtë. U largua Mario Gotze gjatë verës së kaluar në drejtim të rivalëve bavarezë dhe të njëjtin itinerar pas tij ndoqi këtë vit edhe Robert Lewandowski. S
ipas “Bild”, negociatat për kontratën e re mes Reus dhe drejtuesve të Dortmundit kanë rënë në kolaps dhe në këto kushte 25-vjeçari është i lirë të largohet në 2015-ën, nëse plotësohet klauzola prej 35 milionë eurosh. Sulmuesi i cili ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2017, prej kohësh ndodhet në radarin e Bayernit, Manchester United dhe Barcelonës, por nga kampi verdhezi ka patur vetëm përgënjeshtrime.
Pasi e ka pagëzuar me emrin “Mario Gotze 2”, “Bild” shkruan për Marco Reus se ai insiston me çdo kusht të largohet dhe ky lajm vjen vetëm pak ditë pas garancisë që dha Jurgen Klopp. “Reus dhe Hummels do të jenë me ne edhe sezonin tjetër dhe ju siguroj se nuk ka asnjë të dhënë se ndonjëri prej tyre dëshiron të largohet”.
Kështu u shpreh trajneri i Dortmundit, por mesa duket situata në brendësi është krejt ndryshe nga ajo që reklamohet. E njëjta gjë vlen edhe në aspektin financiar. Për të ngushtuar sadopak diferencën e madhe që ekziston me Bayernin, klubi verdhezi ka deklaruar se do të shesë 5 % të aseteve, në tentativë për të afruar investitorë të fuqishëm.
