Presidenti i UEFA-s, Michel Platini deklaron se FIFA duhet të rivotojë vendimin për të zhvilluar Kupën e Botës në Katar në vitin 2022. Sipas numrit një të organizmit më të lartë të qeverisë Europiane të futbollit, nëse vërtetohet që fitimi i të drejtës së organizimit të këtij turneu nga ana e Katarit vjen me korrupsion, atëherë e vetmja zgjidhje është rivotimi.
“Katari ishte zgjidhja e duhur për FIFA-n dhe për botën e futbollit. Por nëse provohet korrupsioni i votës atëherë duhet një votim i ri dhe sanksione”, tha francezi.
Disa media europiane gjatë ditëve të fundit e kanë lidhur emrin e Platini me atë të Mohamed bin Hammam, duke hedhur hipotezat për një korrupsion në nivel të lartë. Por platini ka deklaruar se ai ishte thjesht në një drekë me një kolegun e tij dhe anëtar i bordit të FIFA-s.
“Kam lexuar tek të gjitha gazetat për korrupsionin e Platini. Sinqerisht që kjo më dhemb. Këtë njeri e kam takuar 10 mijë herë në 15 vite. Pse dueht të kem një takim sekret me të? Tani po mësoj prapa gjithë kësaj është dikush, apo ndonjë organizatë. E ndjej. Për më shumë se një vit kërkojnë të më diskriminojnë mua. Por për të zbuluar të vërtetën ka njerëz dhe kompani të specializuara”, theksoi Platini.
Ish-Topi i Artë, tashmë në rolin e drejtuesit bën të ditur se gjithçka po ndodh nuk do të influencojë në vendimin e tij për të sfiduar në zgjedhjet e ardhshme Sepp Blatter, për të marrë kreun e FIFA-s. Platini bëri të ditur se vendimin e tij për të kandiduar në zgjedhjet e majit 2015 për president të FIFA-s do ta bëjë publik në muajin gusht pas përfundimit të kampionatit botëror të Brazilit.
