Gjiret e vegjël me rërë të pastër, uji i kthjellët si kristali, kurora malore me pisha që u qëndron mbi krye, lagunat aty pranë i bëjnë plazhet e Shëngjinit ndër më të veçantët dhe më të frekuentuarit në Shqipëri
Për rreth 25 km nga bregu perëndimor i komunës së Taljes deri në kufi me Shkodrën janë vendosur disa plazhe si ai i Vainit, i Shëngjinit, i zonës së Rencit dhe Rërës së Hedhur. Kohët e fundit kanë filluar të shfrytëzohen edhe plazhet e Rrencit e të Rërës së Hedhur që janë nga më të bukurat në Shqipëri. Gjiret e vogla me rërë të pastër, uji i kthjellët si kristali, kurora malore me pisha që u qëndron mbi krye, i bëjnë këto plazhe nga më atraktivet për pushuesit. Në këtë zonë rëra ngjitet lart në mal mbi 60 metra duke u bërë kështu duna ranore më e madhe në Ballkan e Europë. Pra kjo është një nga gjërat më të veçanta që e ka vetëm Shëngjini. Bien në sy në këto zona toponimet e ndryshme si Guri i Çamë, Shkalla e Ujk Kolës dhe shpella pranë saj, Guri i Peshkatarit ose Guri i Marka Nikës, Shkëmbi i Laçit, etj., të cilat ja shtojnë kureshtjen dhe kënaqësinë vizitorit. Këto i kanë shërbyer popullsisë së kësaj zone dhe secili toponim ka një histori më vete. Kështu bie fjala: Guri i Marka Nikës e ka marrë këtë emër pasi Marka Nika ka qenë një nga peshkatarët më të vjetër të kësaj zone. Ai vëzhgonte detin nga maja e gurit dhe prej aty orientonte shokët e tij peshkatarë që të dilnin me shpejtësi në det e të hidhnin rrjetat, nga kalonin masat e peshkut.
Shëngjini përbën plazhin kryesor të kësaj zone. Ai është i futur në brendësi të tokës, çfarë e bën të mbrojtur nga erërat. Shëngjini është një prej plazheve më të përmendur të Veriut të Shqipërisë, i njohur veçanërisht për kualitetin e rërës. Gjendet 8 km larg qytetit të Lezhës. Ndikim të rëndësishëm për përmirësimin e klimës dhe ruajtjen e pastër të plazhit kanë dhënë edhe skalierat që janë ndërtuar kohët e fundit të cilat e ruajnë atë veçanërisht nga mbeturinat që krijon Porti. Këtu ka 200-300 ditë me diell në vit.
Shëngjini, për vetë kushtet që ka, ofron si të veçantë edhe gjuetinë në rezerva të posaçme, si dhe peshkimin me natyrë sportive, por edhe për biznes, kryesisht në det, si dhe në ujërat e lagunave të Kenalles, Kunes, Merxhanit e Vainit. Shoqata e Gjuetarëve të Lezhes ka krijuar marrëdhënie të rregullta me shoqata gjuetarësh të vendeve fqinje, të cilët frekuentojnë gjithnjë e me shpesh Shëngjinin, gjë që tregon se kjo formë e turizmit është një mundësi tjetër për zhvillimin e kësaj zone me tradita në këtë fushë.
Plazhi i Shëngjinit, ku fluksi ditor i pushuesve varjon nga 40 000 (në ditë të zakonshme) deri në 90 000 (në fundjavë). Pushuesit janë kryesisht nga tre rrethet e Qarkut Lezhë, por edhe nga Shkodra, Kruja dhe kryeqyteti. Rruga e Kombit, Durrës-Kukës-Morinë, ka rritur me 30 % numrin e pushuesve kosovarë dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Në plazhin ranor, që ofron Shëngjini me shëtitoren e re dhe një varg investimesh në gjithë infrastrukturën e bregut, turizmi sa vjen dhe njeh zhvillim të vrullshëm. Pastërtia e detit, ajri i pastër si dhe qetësia që ofron ky plazh përthith çdo vit e më shumë turistë të huaj dhe vendas, të cilët shprehen të kënaqur nga shërbimet e ofruara. Njësitë akomoduese, të cilat ofrojnë një shërbim cilësor, shtrihen në një pjesë të madhe të gjatësisë së plazhit. Këto janë ndërtime të viteve të fundit dhe nuk mungojnë baret, restorantet, diskot etj, të cilat plotësojnë më së miri kënaqësitë e turistëve. Plazhi i Shëngjinit me disa pika pothuajse të virgjëra është një premisë për ndërtimin e fshatrave turistikë, të cilat kanë nisur të ndërtohen me iniciativa private.
Në Shëngjin janë ndërtuar shumë hotele, restorante dhe shtëpi banimi, çfarë e ka rritur shumë kapacitetin dhe kanë përmirësuar kushtet e pushuesve.
Në Shëngjin vihet për diellin, për detin e rërën, për bukuritë e rralla, që natyra u ka dhuruar banorëve mikpritës e të shoqërueshëm. Rripi i gjerë i rërës së pastër, nga njëra anë kufizohet me detin dhe nga ana tjetër me pyllin e rrallë me pisha e drurë të tjerë. Një rrip i ngushtë rërë me bimësi, ndan ujërat e cekëta bregdetare me lagunat.
Shëngjini është hapur së tepërmi kohët e fundit qoftë si plazh, por edhe si port me perspektivë. Lidhja e Shëngjinit me Lezhën ka qenë gjithmonë jetike, qoftë si ekonomi dhe zhvillim, qoftë si rrugë lidhje me qytete të tjerë, qoftë si plazh dhe histori.
Larmishmëria e llojeve të peshkut dhe të shpendëve ka bërë që edhe mënyra e gatimit të tyre të ndryshojë dhe të rritet cilësisht. Megjithatë, më i miri ngelet gatimi tradicional, që gjendet në të gjithë lokalet dhe hotelet e zonës.
Plazhi…
Plazhi i Tales, në Komunën e Shënkollit, deri më dje “i virgjër”, pas përfundimit të ndërtimit të rrugës lidhëse me autostradën Lezhë-Tiranë, po popullohet çdo ditë dhe më tepër, dhe çdo sezon po e rrit ofertën turistike . Investimet e vazhdueshme infrastrukturore ,por dhe zgjerimi i rrjetit të hoteleve dhe njësive të shërbimit nga investitorët vendas, po e kthejnë Plazhin e Tales në një destinacion të rëndësishëm të turizmit detar e familjar. Rripi i gjerë i rërës së pastër, nga njëra anë kufizohet me detin dhe nga ana tjetër me pyllin e rrallë me pisha e drurë të tjerë. Një rrip i ngushte rëre me bimësi, ndan ujërat e cekëta bregdetare me lagunat.
…i Ranës së Hedhun
Plazhi i “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, është një nga zonat më të bukura për të kaluar pushimet verore dhe nga vendasit cilësohet si oaz i Adriatikut. Për shkak se ka qenë një zonë ushtarake dhe nuk lejohej kalimi më tej, kjo zonë ka qenë e pazbuluar. Si një zonë e virgjër, ajo po synohet çdo vit e më tepër. Të parët që kanë shkuar aty janë bizneset, por ajo që po e penalizon këtë zonë është infrastruktura rrugore e cila është plotësisht e amortizuar. Megjithëse ishte premtuar, përsëri këtë vit, rruga për në këtë plazh është po ajo, një rrugë e improvizuar e hapur nga operatorët turistikë, por e vështirë për ata që vijnë për qejf.
Ishull-Lezha
Turizmi në këtë zonë është shfaqur që herët me pushtimin turk (fshati ishte si një zonë e qetë dhe frytdhënëse), por që kulmin e arriti me ndërtimin e Hotelit të Gjuetisë gjatë Luftës së II Botërore me një projekt italian. Që në atë kohë nisi shfrytëzimi, por frekuentimin më të madh e ka patur gjatë periudhës së komunizmit. Në vitet 1990-1992 rrënohet për t’iu kthyer turistëve në vitet 2000. Tani është shumë i frekuentuar nga shqiptarët dhe të huajt.
Shërbimi, i shkëlqyer; njerëzit shumë miqësorë
Në plazhin e Shëngjinit dhe të Kunes, pushuesit gjejnë hotele, restorante e mjedise të tjera, të ngritura në përshtatje me kushtet dhe traditat e zonës, por edhe shtëpi tradicionale, me kopshte dhe lulishte te bukura. Kudo ofrohet kuzhina tradicionale, por edhe ajo e huaj, sipas shijes e kërkesës. Mbizotërojnë prodhimet e detit, shpendët e egër dhe mishi i zgarës. E, mbi të gjitha, shërbimi i standardeve bashkëkohore.
Peshk i shijshëm, peshkatarë të zotë
Për banorët e qytetit, të Malit të Rrencit e Malit të Shëngjinit, gjuetia e peshkut në det ka qenë dhe mbetet burimi i rëndësishëm i jetesës së tyre. Tradicionalisht ata njihen si peshkatarë të zot, që me barkat e tyre kanë peshkuar Detin Adriatik dhe Jon, kanë furnizuar me peshk jo vetëm Shëngjinin e zonat përreth, por edhe një pjesë të kryeqytetit tonë. Sot në Shëngjin janë mbi 40 anije peshkimi private. Lagunat janë gjithashtu burim për gjueti peshku dhe shpendësh. Zona e Shëngjinit është e pasur me laguna, në të cilat rritet peshk i shumëllojshëm, rosa dhe shpend të tjerë. Laguna e Merxhanit është më e madhja me prodhim të bollshëm peshku dhe shpendësh. Ajo tradicionalisht iu ka shërbyer banorëve të Ishull- Shëngjinit e veçanërisht atyre të lagjes Stom si burim jetese për të ardhurat që nxjerrin nga peshkimi e gjuetia e shpendëve. Laguna ka zona të thella si Vija Kular, e pasur me ushqim për peshkun. Ajo që është më e rëndësishme, Laguna e Mexhanit lidhet me detin me Grykën e Merxhanit. Komunikimi me detin bën që peshku të jetë më i shumëllojshëm dhe i një cilësie më të mirë. Përbri Lagunës së Merxhanit ndodhet zona e Kunes që është nga më të pasurat për gjuetinë e rosave në Ballkan. Aty janë rritur mbi 42 lloje shpendësh. Mundësitë janë që Kuneja të ruhet e pasurohet me shpendë e të mbetet një burim për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Vlera të madhe për gjueti peshku dhe shpendësh ka edhe zona e Vainit, laguna dhe pyjet përreth saj. Të gjitha këto bëjnë të mundur që territori i Komunës së Shëngjinit të ketë numrin më të madh të gjuetarëve e peshkatarëve, krahasuar me zonat e tjera të rrethit të Lezhës.
Shëngjini – histori
Burimet historike tregojnë se Shëngjini është njohur si qendër banimi që p.e.së re dhe banohej nga fisi ilir i Abrejve. Dikur në lashtësi Shëngjini është quajtur Nimfeu, që do të thotë “vend i nimfave, vend i zanave”. Ai është themeluar si qytet dhe liman rreth 2400 vjet më parë nga kolonët helenë. Për herë të parë në dokumentet historike të periudhës romake, ai përmendet që në shekullin e parë, p.e.vsë re, në luftën e famshme që u zhvillua në Detin Adriatik mes perandorëve romakë Pompeu dhe Cezari. Në veprën e tij “Lufta Civile”, Cezari e përmend Shëngjinin si një liman i mbrojtur mirë nga erërat ku strehohej edhe një pjesë e flotës së tij. Në mesjetën e hershme, Shëngjini njihet me emrin Medua, ndërsa emrin e sotëm e ka marrë nga kisha me të njëjtin emër që ndodhej në Malin e Shëngjinit, e cila njihej që para pushtimit turk. Mbas vdekjes së Skënderbeut, djali i tij, Gjoni erdhi në Shqipëri për të bërë një kuvend si Kuvendi i Lezhës dhe për të bashkuar popullin si në kohën e Skënderbeut. Gjatë viteve 1499- 1505, ai me ushtrinë e tij ka qëndruar në Ishull të Lezhës, 4- 5 kilometra në vijë detare me Shëngjinin. Në shekullin e 19- të, Shëngjini i shërbente për tregti qytetit të Shkodrës dhe ishte pothuajse në varësi të tij. Gjatë periudhës së verës, ai luante rolin e një ure të transportit detar që lidhte Shkodrën me Durrësin. Në gjysmën e dytë të shekullit të 19- të, roli i Shëngjinit filloi të rritet më shumë për këto arsye, së pari: siç dihet, në vitin 1881, Ulqini dhe Tivari i kaluan Malit të Zi, pra nuk ishin më porte shqiptare dhe së dyti, pas përmbytjes së vitit 1885, një pjesë e ujërave të Lumit Drin, kaluan në drejtim të Shkodrës, lundrimi në Lumin Drin ra shumë, pra skela e Lezhës nuk e luante më rolin që e kishte luajtur në Mesjetën e hershme. Kjo bëri që fuqitë e mëdha por edhe tregtarët vendas të shfrytëzonin më shumë skelën e Shëngjinit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Shëngjini u bë përsëri vend i zbarkimit të trupave pushtuese, por siç dihet ato u pritën me armë më 7 Prill 1939. Pas çlirimit të vendit Shëngjini ka marrë zhvillim më të madh, sidomos pas ndërtimit së portit detar. Në socializëm Shëngjini ishte një bazë ushtarake dhe një port i vogël detar.