Ngjarja më e fundit në Kumanovë të Maqedonisë është një sinjal i qartë se stabiliteti në Ballkan, me gjithë përpjekjet e kancelarive të BE e më gjerë, është ende i brishtë. 16 vite pas luftës së fundit në rajon, ajo për çlirimin e Kosovës në vitin 1999, situatat ndërmjet fqinjëve dhe shteteve të tyre respektive janë të pastabilizuara. Paaftësi e BE-së për të “rregulluar” fiset e mbrapshta të Ballkanit?! Apo vërtet ballkanasit, sidomos këta të pjesës perëndimore janë kaq nopranë sa nuk hanë pyka as për qetësim midis vetes, e as për integrimin në qytetërimin që u afrohet?! Në një shkrim pata përdorur si titull shprehjen: “Pleqtë e Europës si pleqtë e fshatit tim”. Mbase krahasimi im duket i pavend, por fakt është se metodologjia e “pleqve” të Europës në zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, mua më ngjan identike me atë të pleqve të katundit tim. Kancelaritë europiane, të cilat kanë ende nëpër sirtarë rudimente të kohës së Bismarkut, e kanë të pamundur që në rol të “pleqve të katundit”, të rregullojnë si duhet e plotësisht marrëdhëniet e fiseve të “egjër” ballkanase. Ndaj zgjidhja e vetme u mbetet t’i përfshijnë këto fise në konakun e tyre me emrin BE, dhe aty pastaj t’u diktojë mënyrën e vet të sjelljes e të jetesës. Mirëpo kjo rrugë, siç po duket nuk po i jep frytet e duhura. Jo vetëm serbët, maqedonët, e shqiptarët, por edhe grekët që kanë mbi tri dekada në familjen zyrtare europiane, kanë mbetur në parametrat e një shekulli e gjysmë më parë. “Naçertanija” e sllavëve dhe “Megalidhea” e grekëve janë tashmë të njohura nga e gjithë Europa për përmbajtjen e tyre shovinste antishqiptare. Ashtu siç është e njohur botërisht e drejta legjitime e shqiptarëve për të bashkuar trojet e tyre amtare në një shtet të vetëm me sloganin real “Një komb, Një shtet”! Por kjo e fundit anashkalohet nga kancelaritë europiane, sepse miqësia me sllavët është më e leverdisshme se me shqiptarët, ndonëse këta të fundit janë banorët më të parë të kontinentit.
Letër e nënshkruar,
nga Gjon Bruçi
