Plotësimi i formularit A2, gabimet që nuk duhet të bëni!

Bora Basholli

Manuali orientues për maturantët: 10 hapat që duhet të ndiqni gjatë përzgjedhjes së degëve me të cilat do të garoni për universitetin. Kujdes duhet të tregoni me kodin e identifikimit

Maturantët nuk mund të vijojnë me plotësimin e formularit A2, ku do të listojnë 10 preferencat për studimet e larta, nëse më parë nuk kanë shlyer tarifën e aplikimit prej dy mijë lekësh të përcaktuar nga dikasteri i Arsimit. Për të orientuar maturantët në lidhje me procedurat se si duhet të aplikojnë për studimet e larta, Qendra Universitare e Shërbimeve dhe Rrjeti Telematik (RASH) kanë zbardhur manualin se si duhet të plotësohet saktë formulari A2, i preferencave me të cilat do të konkuroni për të fituar universitetin. Fillimisht duhet të hyni në portalin U-Albania dhe të logohuni me ID e maturës dhe ID e kartës. Më pas shkarkoni faturën nga sistemi, kryeni pagesën në postë ose bankë, ruani kodin dhe mandatin e pagesës dorëzojeni te mbikëqyrësi i përzgjedhur i shkollës tuaj. Pasi të dorëzoni faturën, ju do të keni akses për të aplikuar për 10 degët e arsimit të lartë që preferoni më tepër.

Afatet e konkurimit

Përzgjedhja e degëve duhet të bëhet konform kushteve të përcaktuara për mesataren e gjimnazit dhe afateve të aplikimit. Afati i fundit i kryerjes së pagesës është data 25 korrik, ndërsa plotësimi i dhjetë preferencave mund të bëhet vetëm në datat 31 korrik, deri në datën 5 gusht. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar manualin e plotë me veprimet që duhet të bëni për të shmangur gabimet gjatë plotësimit të formularit A2, me të cilin konkuroni për të fituar studimet e larta universitare. Procedura e aplikimit online do të jetë e njëjtë si për programet e studimit në universitetet publike, ashtu dhe në ato private që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë. Duhet të bëni kujdes në procedurat e aplikimit për studimet e larta vetëm sipas afateve të përcaktuara.

Përzgjedhja e 10 degëve

Edhe për këtë vit maturantët do të garojnë me dhjetë preferenca studimi të përzgjedhura nga lista e programeve të shpallura nga secili universitet publik apo privat në vend. Ekspertët e dikasterit të Arsimit bëjnë me dije se portali online në asnjë rast nuk do të pranojë aplikime të kandidatëve të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria. Sipas kushteve të zbardhura në manualin orientues të maturantit, bëhet e ditur se nëse keni mesatare më të ulët se sa nota 6, ju mund të aplikoni vetëm për programet e studimit 2-vjeçare me karakter profesional. Për mesatare mbi 6 dhe nën 7, ju keni të drejtë që të aplikoni në të gjitha degët e tjera duke përjashtuar ato të mësuesi dhe mjekësisë. Për mesatare mbi 7 dhe nën 7,5 ju keni të drejtë të aplikoni në të gjitha programet e studimit me përjashtim të degëve të Universitetit të Mjekësisë. Ndërsa për mesataret ndërmjet notës 7.5 dhe 8.5 ju mund të aplikoni në të gjitha degët duke përjashtuar ato të Fakultetit të Mjekësisë. Ndërsa në rastet e mesatares mbi notën 8.5, ju mund të aplikoni në të gjitha degët që keni dëshirë, si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private. Krahas mesatares një tjetër pikë që duhet të tregoni kujdes maksimal gjatë aplikimit është edhe kodi 6 shifror që do të shërbejë për identifikimin tuaj në sistem. ky kod është pjesë e faturës që do të siguroni në bankë pas shlyerjes së tarifës prej dy mijë lekësh. Në vijim gjeni të detajuar gjithçka duhet të dini rreth ruajtjes së këtij kodi.

Regjistrimi i fituesve të raundit të parë

Lista e fituesve të raundit të parë do të shpallet nga universitetet në datën 30 gusht. Procedura e regjistrimit të fituesve të këtij raundi do të zhvillohet në 7 faza 48-orëshe. Çka do të thotë se vija e fituesve do të spostohet me përfshirjen e fituesve të rinj për çdo fazë 48-orëshe të mbylljes së regjistrimeve. Kështu çdo aplikant fitues duhet të paraqitet pranë institucionit të arsimit të lartë ku është shpallur fitues për të bërë regjistrimin si student brenda 48-orëve. Në të kundërt e humbet degën e studimeve që ka fituar. Për programet e studimit me kuota të paplotësuara, të cilat nuk kanë më aplikantë në pritje, do të rikthehen në garë aplikantët e shpallur fitues gjatë fazave të mëparshme, të cilët nuk rezultojnë të jenë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi. Rikthimi në garë kryhet sipas listës së renditjes së aplikantëve të bërë në raundin e parë.

 Kujdes:

  • Nëse keni mesatare më të ulët se sa nota 6, ju mund të aplikoni vetëm për programet e studimit 2-vjeçare me karakter profesional.
  • Për mesatare mbi notën 6 dhe nën notën 7, ju keni të drejtë që të aplikoni në të gjitha degët e tjera, duke përjashtuar ato të mësuesisë dhe Universitetit të Mjekësisë.
  • Për mesatare mbi notën 7 dhe nën notën 7,5 ju keni të drejtë të aplikoni në të gjitha programet e studimit me përjashtim të degëve të Universitetit të Mjekësisë.
  • Për mesataret ndërmjet notës 7.5 dhe 8.5 ju mund të aplikoni në të gjitha degët duke përjashtuar vetëm tre degët e Fakultetit të Mjekësisë.
  • Në rastet e mesatares mbi notën 8.5, ju mund të aplikoni në të gjitha degët që keni dëshirë, si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private

 Manuali me 10 hapat si plotësohet formulari A2

  1. Aplikimi do kryhet nga portali UALBANIA, duke aksesuar në adresën : www.ualbania.arsimi.gov.al.
  2. Klikoni mbi butonin “Aplikimi A2/A3”  dhe në faqen pasardhëse, ju shfaqen hapësira  maturant dhe mësues. Ju duhet të klikoni tek butoni “maturant” për të vijuar me tej aplikimin tuaj.
  3. Në faqen që ju hapet plotësoni ID-në tuaj të maturës dhe numrin personal të Letërnjoftimit (ai që fillon dhe mbaron me shkronjë), për të kryer identifikimin.
  4. Faqja që hapet në vijim përmban 3 seksione që janë: seksioni i informacioneve personale, ai i faturës dhe seksioni i aplikimit. Në seksionin e informacioneve personale, do të hidhni dhe të  shikoni të dhënat tuaja personale. Në seksionin e faturës, do mund të shkarkoni faturën për arkëtim, me të cilën do kryeni pagesën në bankë. Në këtë rast duhet të bëni shumë kujdes pasi fatura përmban një kod 6-shifror unik (kodi i aplikimit), i cili gjenerohet për çdo faturë. Ky kod do ju duhet për të konfirmuar pagesën pranë mbikëqyrësit të shkollës, dhe për të përfunduar plotësimin e preferencave. Çdo herë që klikoni butonin “Printo një kopje të faturës”, do gjenerohet një kod i ri 6-shifror. Në këtë formë duhet të jeni të kujdesshëm me kodin që do të përdorni për identifikimin tuaj në vijimin e procedurave të mëtejshme të konkurrimit. Ndërsa në seksionin e aplikimit mund të shikoni statusin e aplikimit tuaj.
  5. Statusi i aplikimit mund të jetë në 3 gjendje, jo aktiv, aktiv, si dhe përfundimtar. Statusi  “jo aktiv” tregon që ju nuk keni konfirmuar ende pagesën pranë mbikëqyrësit të shkollës, e për pasojë nuk mund të vijoni me procedurat e mëtejshme. Statusi aktiv tregon që ju mund të plotësoni preferencat tuaja, pasi është konfirmuar pagesa e aplikimit në sistem.  Ju do ju jepet mundësia të plotësoni preferencat në datat e përcaktuara! Ndërsa statusi përfundimtar, tregon  se ju keni përfunduar me sukses plotësimin e preferencave.
  6. Më tej duhet të klikoni mbi butonin “Printo” një kopje të Faturës. Pasi të keni kryer pagesën, paraqituni pjesën e poshtme të faturës dhe me mandatin e pagesës tek mbikëqyrësi i shkollës suaj, për të konfirmuar pagesën në sistem. Kujdes pasi, mund të konfirmoni pagesën vetëm kodin e faturës me të cilën e keni kryer pagesën në bankë!
  7. Pasi pagesa juaj të jetë konfirmuar, statusi juaj do ndryshojë në aktiv, dhe do ju shfaqet mesazhi “Pagesa e konfirmuar” në seksionin e faturës.
  8. Klikoni mbi butonin e “Statusit” për të plotësuar preferencat dhe do ju shfaqet faqja si vijon. Lexoni me vëmendje kushtet e mesatares përpara se të vijoni me përzgjedhjet. Klikoni butonin shto preferencë për të bërë të mundur plotësimin e dhjetë degëve ku doni të konkuroni. Ju mund të bëni edhe ndryshimin e preferencave gjatë aplikimit.
  9. Pasi të keni plotësuar preferencat , klikoni mbi butonin ‘Ruaj Preferencat’. Në vijim do ju shfaqet faqja si vijon, me tabelën e plotësuar të preferencave.  Edhe në këtë rast duhet të bëni kujdes. Kjo pasi aplikim mund të mos jetë ende përfundimtar. Për të përfunduar aplikimin, duhet të vendosni kodin e aplikimit që gjendet tek kopja juaj e faturës, me të cilën keni kryer konfirmimin. Vendosni Kodin e aplikimit në fushën përkatëse, dhe klikoni buronin “përfundo aplikimin”. Pasi të bëni këtë ju mund të printoni dhe të ruani një kopje të formularit të plotësuar për ta ruajtur përgjatë gjithë procedurës.
  10. Në faqen tuaj kryesore, përfundimi i aplikimit do bëj ndryshimin e statusit nga aktiv, në atë përfundimtar.  Vetëm në këtë moment aplikimi juaj është përfunduar  dhe ju do të prisni më pas për shpalljen e fituesve në universitete, lista e të cilës do të bëhet publike në datën 30 gusht.

Fatura që duhet të ruani!

 Mbi 20 mijë studentë nga universitetet e Tiranës pajisen me Kartën e Studentit

 Më shumë se 20 mijë studentë nga universitetet e Tiranës janë pajisur tanimë me Kartën e Studentit, duke përfituar mbi 100 shërbime publike dhe private falas ose me çmime të reduktuara. Pjesë e këtij procesi, i cili ndodh për herë të parë në Shqipëri, u bënë edhe studentët e Akademisë së Sigurisë në Tiranë, të cilët ashtu si studentët e tjerë, kanë nisur prej disa javësh të pajisen me kartën e studentit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj dhe Drejtori i Përgjithshëm, Bilbil Mema, u shpreh i kënaqur që gati gjysma e studentëve të Akademisë janë pajisur me Kartën e Studentit.  “Besoj se deri nga mesi i korrikut do e kemi përfunduar pajisjen e studentëve tuaj me karta, ndërkohë që në total në gjithë Tiranën kemi shpërndarë mbi 20 mijë copë. Shumë kompani, duke filluar nga qendrat e mëdha të shoppingut, deri tek dyqanet e vogla të kancelarisë, madje edhe ndonjë berber apo floktore, i janë bashkuar nismës, duke vendosur një stiker te dritarja, për të treguar se e pranojnë kartën e studentit dhe aty ka ulje për ta, 20 për qind  në një vend, 30 në një vend tjetër, kur je student, çdo qindarkë vjen”, tha Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se falë punës së përditshme të forcave të rendit dhe të oficerëve që nxjerr Akademia, Tirana është sot një nga qytetet më të sigurta në Europë dhe me nivel kriminaliteti shumë të ulët. “Tirana sot është padyshim qyteti më i sigurt në Shqipëri dhe një ndër qytetet më të sigurta në Europë. Shumë prej kolegëve me të cilët bisedoj, kur u japim statistikat, habiten sepse duke dëgjuar politikanët që tipikisht i hapin vetëm namin e keq vendit, mendojnë se këtu ndodhin çudira. Ndaj, dua t’ju falenderoj, se ndoshta, pasi studentët veshin uniformën e dalin në terren, nuk e merrni feedback-un e plotë, por unë që jam në anën tjetër të informacionit, ku qytetet klasifikohen për çështje të sigurisë, doja t’ju falenderoja publikisht”, tha Veliaj. Procesi i pajisjes me Kartën e Studentit në Akademinë e Sigurisë ka nisur prej datës 24 Qershor dhe deri më tani atë e kanë marrë rreth 150 studentë nga 325 që janë në total. Në akademi janë pozicionuar dy operatorë, të cilët lehtësojnë procesin e emetimit të kartës, duke nisur nga informacioni i përgjithshëm, plotësimi i të dhënave, e deri te lëshimi i kartës. Karta lëshohet pa pagesë, është e rinovueshme për një cikël studimi, ka një barcode të caktuar dhe ka akses në të gjitha institucionet apo subjekte, të cilat në ambientet e tyre kanë të afishuara stikerat me logon “karta e studentit”. Përmes kësaj karte, studentët kanë lehtësira në shërbime të ndryshme publike dhe private që ofrohen në Tiranë, numri i të cilëve në këto momente shkon në 107 subjekte.

 

 

 

 

 

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *