Pranvera Kola
Vjetërsia e punës që duhet për plotësimin e kushteve për të përfituar një pension, qoftë ky përfitim i plotë pleqërie, invaliditeti, apo familjar, mund të sigurohet edhe nëpërmjet skemës vullnetare, ku një ndër to është edhe ajo e blerjes së periudhave të kaluara. Çdo individ që për arsye të ndryshme nuk mund të jetë pjesë e skemës së sigurimit të detyrueshëm, nëpërmjet kontributeve vullnetare mund të blejë sa të dojë periudha të kaluara, nëse nuk e ka mbushur moshën e pensionit. “Në rastin kur qytetari nuk e ka mbushur moshën, ai mund të blejë periudhë kontributive sa të dëshirojë. Në rastet kur blihen periudha të kaluara nuk aplikohet zbritje, sikundër ndodh me blerjen e periudhave korente. Përfitimet nga sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara reflektohen në vjetërsi pune, e cila më pas influencon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar”, bëjnë me dije ekspertët e sigurimeve shoqërore.
Përfituesit
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, të drejtën për blerjen e periudhave të kaluara e gëzojnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar, shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha pas universitare është me pagesë, shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar. Blerjen e periudhave të kaluara mund ta ndjekin edhe personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare, të cilët mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data një janar 1994, deri në datën që kanë lënë shtetësinë.
Masa e kontributit që duhet të paguani
Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa, çka do të thotë se aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar. Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 5,616 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.
Sigurimi i vjetërsisë së munguar të punës!
Kjo skemë u vjen në ndihmë të gjithë personave që janë në prag të mbushjes së moshës së pensionit, por që kanë mangësi në plotësimin e vjetërsisë së duhur të punës që duhet për të përfituar një nga llojet e pensionit. Në këto kushte, nëse një person që është në prag të mbushjes së moshës, ose e ka mbushur moshën, që të jetë në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vjet periudhë kontributive të siguruar. Në rast se personi ka 12 vjet periudhë kontributive, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare. Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën tre-vjeçare. Masa kontributive që do të derdhë qytetari për këtë periudhë është 5,616 lekë për një muaj”, është shembulli që vënë në dukje specialistët e ISSH-së.
Procedurat që duhet të ndiqni
Personi i interesuar, paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon, ku dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Ndërkohë që duhet të keni me vete dokumentet si në vijim: Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon, si dhe fotokopje të letërnjoftimit elektronik/ kartës së identitetit. Nëse personi i interesuar bie dakord për t’u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip “Urdhër veprimi”, i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Duke disponuar këtë “Urdhër veprim”, personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me “Mandat arkëtimi”. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (një kopje e mandatit i dorëzohet inspektorit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes). Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë kontributesh të re në qoftë se nuk ka.
3 fushat e tjera të sigurimit vullnetar
Krahas blerjes së periudhave të kaluara, sigurimi vullnetar mund të bëhet edhe për vitin korent, për më shumë të ardhura, si dhe për degë të tjera të sigurimit. Në rastet kur paguhen sigurimet vullnetare për vitin korent aplikohet zbritje. Konkretisht, për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: 6 për qind mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar, 3 për qind mbi shumën për një pagesë 6-mujore, si dhe 1.5 për qind mbi shumën për një pagesë 3 mujore, me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar). Ndërsa sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura mund të bëhet vetëm për vitin korent në kufijtë e pagave minimale dhe maksimale, që aktualisht janë 26,000 dhe 114,670 lekë. Qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri.
Në skemën e sigurimeve vullnetare mund të përfshihen:
- Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar;
2. Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm;
3. Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre;
4. Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi. - Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.

Unë kam dëshirë që, përveç pensionit të natyrshëm që kanë të gjithë njerzit, do të doja të kisha dhe një pension tjetër të shumës 50 – 60 mijë lekësh.
A e kam këtë të drejtë ?
Çfar duhet të bëj që ta kem këtë pension ?
Kam 12 vjet pune si ushtarak(8vjet oficer ushtrie +4vjet oficer policies).Nuk e di cdo behet me keto vite pune,do te perfitoj gje dhe ne qofte se jo cduhet te bej qe te mos i humbas.Nuk di a zihet shkolla e Larte Ushtarake ne vjetersi(3vjet)dhe stazhi(9muaj)mbas shkolles se mesme.Jam i datelindjes 13/02/1962.