Pazaret e prishura midis dy shokëve të ngushtë dyshohet se janë bërë shkak për ekzekutimin e ndodhur mëngjesin e djeshëm në Tropojë. Shpëtim Sinani, një 40-vjeçar nga Tropoja e Vjetër, u gjet i pajetë nga kalimtarët në vendin e quajtur “Kthesa e Mejdanit”, kur ora po shënonte 07:30. Viktima kishte një plagë plumbi vdekjeprurëse në kokë, që dyshohet se është shkaktuar me armë zjarri pistoletë. Sipas ekspertëve, Sinani është qëlluar nga pas krahëve në befasi, pasi plaga është tejshpuese me dalje nga pjesa e përparme e kokës. Një grup hetimor u dërgua me urgjencë në vendngjarje dhe kreu këqyrjen e trupit, zonës së krimit dhe kërkoi për prova. Nga verifikimet e agjentëve rezultoi se viktima Shpëtim Sinani kishte qenë kontigjent i mëparshëm i policisë vendore për krime të ndryshme, kryesisht vjedhje. Gjithashtu janë grumbulluar informacione se 40-vjeçari para se të vritej ka qenë në shoqërinë e një mikut të tij të ngushtë me të cilin rrinte shpesh, edhe ky kontigjent krimi në grabitje dhe agresione të ndryshme. Madje mësohet se është pikërisht ky person i dyshuari për vrasjen, që ka edhe precedentë penalë në Kosovë. Ai është shpallur në kërkim nga policia e Bajram Currit, por identiteti i tij nuk u bë i ditur për mediat për shkak të sekretit hetimor të çështjes. Burime zyrtare konfirmuan se pista e parë dhe kryesore mbetet vrasja për pazaret e prishura mes dy shokëve, por nuk përjashtohen edhe rrethana dhe personazhe të tjerë në këtë krim. Dyshohet se shkak mund të jetë një aktivitet i paligjshëm trafiku midis dy vendeve Kosovë-Shqipëri dhe mosmarrëveshjet që kanë sjellë edhe ekzekutimin e Sinanit. Policia po përpiqet të mbledhë sa më shumë informacione nëpërmjet dosjeve që ka në arkiva, personave që kanë dijeni për aktivitetin e viktimës dhe të të dyshuarit, si dhe bashkëpunimit me homologët kosovarë. Sipas ekspertëve, vrasja mund të ketë ndodhur gjatë orëve të natës, duke zbardhur dita e djeshme, kurse trupi u zbulua rastësisht nga kalimtarët. Mësohet se i dyshuari që shoqërohej shpesh me 40-vjeçarin është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Mendohet se dy shokët kishin kaluar kufirin gjatë natës në këmbë dhe po hynin për në territorin shqiptar. Krimi ka ndodhur pikërisht në momentin që janë afruar në fshatin Sopot të Tropojës, vendi i quajtur “Kthesa e Mejdanit”. Sinani nuk kishte shenja të tjera dhune në trup përveç plagës së plumbit në kokë. Nuk dihet nëse mes tyre ka pasur një përleshje apo grindje, apo ekzekutimi ka qenë i befasishëm. Grupi hetimor po heton edhe rreth ndonjë prite të mundshme në këtë zonë nga persona të tjerë dhe personi i dytë pas të shtënës të jetë arratisur duke përfituar nga errësira. Por policia tha se në vendngjarje nuk ka pasur shkëmbim zjarri. Sinani ka qenë duke shkuar për në banesën e tij, që gjendej vetëm pak kilometra nga vendi i krimit, mbi Urën e Sopotit. Gjithsesi ngjarja mbetet e veshur me mister për ekspertët dhe vetëm gjetja e provave apo dëshmitë mund të çojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave, autorit dhe motivit të krimit.

plumb ………..nga pas shpine !!!!!
keta jane besalinj qe te vrasin nga pas kurrizit……sido qe te jete arsyeja !
Tamam “malesore” (maloke) prej verteti.