Programi për Zhvillimin i Kombeve të Bashkuara, PNUD prezantoi dje raportin për Zhvillimin Njerëzor, sipas të cilit Shqipëria renditet e 70-a mes 187 vendeve të botës. Sipas të dhënave të bëra publike nga zyra e PNUD-it në Tiranë, vlerësimi i Treguesit të Zhvillimit Njerëzor për Shqipërinë është 0,749, që e përfshin atë në kategorinë me zhvillim të lartë, por megjithatë ajo është poshtë mesatares së vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore.
Po ashtu ky tregues e vendos Shqipërinë pas Kroacisë, Malit të Zi, Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë, duke lënë pas nga vendet e rajonit Maqedoninë dhe Bosnjën. Treguesit e Zhvillimit Njerëzor vlerësohen duke marrë për bazë tre elemente kyçe: një jetë të gjatë dhe e shëndetshme, aksesin në njohuri dhe një standard të denjë jetese, i cili matet me të ardhurat kombëtare bruto për frymë të cilat në rastin e Shqipërisë llogaritet të jenë 7822 dollarë. Nga viti 1995 deri në vitin 2012, vlera e Treguesit të Zhvillimit Njerëzor në Shqipëri është rritur nga 0,651 në 0,749, një rritje prej 15 për qind ose një rritje vjetore mesatare prej 0,5 për qind.