Këto media japin me bujë lajmin se si një grua u qëllua me një shuplakë nga një polic, por japin fundin e historisë, duke e bërë dhe ministrin Tahiri të mbajë një qëndrim emocional dhe të kërkojë pezullimin e policit. Po mirë, ky ministri që duhet të ketë prerje të ndryshme nga njerëzit e thjeshtë, nuk e pa atë qytetaren që e goditi policin në fytyrë dhe i rrëzoi kapelen në tokë? Kapelja e policit është kapelja e shtetit, është një simbol i rëndësishëm që absolutisht nuk mund të dhunohet. Reagimi i policit (që ministri e mendon thjesht një numër të shkruar me laps) është i justifikueshëm, i qortueshëm, por aspak i dënueshëm. Ngarkesa stresuese e punës së policit i heq atij luksin për të menduar me aq qetësi, përballë një dhune të menjëhershme e të papritur. Reagimi i tij është spontan dhe i provokuar nga një demonstrues i të ashtuquajturës “shoqëri civile”, që rastisi të jetë një grua. Ku është e shkruar që gratë kanë të drejtë të dhunojnë policin dhe të mos preken si pasojë e aktit të tyre provokues e të dënueshëm nga ligji dhe shoqëria. Lehtësia shtetërore, me të cilën hidhet në rrugë një polic i motivuar, i demotivon gjithë të tjerët në kryerjen e detyrës. Profeti.
