“Po, çdo polic është fytyra ime, zbatuam ligjin”: Lleshaj reagon ndaj akuzave për dhunë nga policia

Ornela

Ministri Lleshaj ka reaguar përmes një postimi të gjatë në Facebook ndaj pamjeve të protestës së dy ditëve më parë ku policia dhunoi disa protestues dhe gazetarë që gjendeshin aty.

Në postimin në Facebook, Lleshaj rikonfirmoi deklaratën e disa muajve më parë se çdo polic ishte fytyra e tij duke theksuar se në protestën e dy ditëve më parë policia vetëm kishte zbatuar ligjin.

“Po. Tek policët qytetarët duhet të shohin Ministrin e Brendshëm”, shkruan Lleshaj në reagimin e tij duke i qëndruar kështu pas çdo veprimi të policisë.

“Mjeranë udhëhumbur kujtojnë se ende Policia vepron me urdhra, sipas modeleve të mbrapshta që kanë në kokat e tyre të mallkuara nga totalitarizmi. Në fakt, policia sot nuk merr urdhra për veprimet e saj operacionale. Jo. Ministri i Brendshëm nuk jep urdhra për veprimet operacionale.

“Urdhri” i saj i vetëm është ligji, përballë të cilit ajo duhet të jetë thjesht e verbër, për të mos bërë interpretime të tipit: ky është me rëndësi, ky është përtej ligjit, ky është mbi ligjin, ky është vetë ligji, ky është antiligji. Atë ditë që ne do t’i kërkojmë policisë që të bëjë vetë interpretime të ligjit, atë ditë vendi nuk ka më ligj”, shkruan gjithashtu ministri duke mos bërë asnjë hap pas nga ajo që u pa në sheshet e Tiranës të dielën.

Mesazhi i plotë i ministrit të Brendshëm:

Po. Tek policët qytetarët duhet të shohin Ministrin e Brendshëm. Oficerët e policisë mbajnë në uniformë simbolet e Republikës, kanë atributet e zbatuesit të ligjit, kanë përgjegjësi dhe mbrojtje të veçantë ligjore.

Për këtë arsye, tek ata duhet ta shohim Ministrin, madje edhe më shumë duhet të shohim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtuesit e tjerë të saj. Edhe shoqëria jonë mund të shohë tek polici diçka nga vetja. A nuk janë ata, në fund të fundit, një pjesë e saj? A nuk edukohen ata në familjet tona, në shkollat tona, në forumet tona publike?

Unë për vete e kam pranuar këtë sfidë të identifikimit edhe me policët e Shqipërisë. Dhe nuk jam zhgënjyer prej saj.

Përgjatë një viti tektonikash politike dhe gjeologjike, por edhe gjatë muajve të një flame që gjunjëzoi planetin, ata kanë qëndruar në këmbë, në shërbim. Të heshtur, profesionistë, patriotë, trima, humanë, plot privacione dhe probleme, modestisht të trajtuar ata kanë mbajtur barrë të mëdha për të gjithë ne.

Kur të gjithë sistemoheshin në këndet e shtëpive të tyre, për të ndjekur nga TV “ndeshjen” e radhës të politikës së rrugës, ata rreshtoheshin përballë batareve të molotovëve dhe kapsollave, kur të gjithë interesoheshin për më të dashurit e tyre gjatë tërmetit, ata kujdeseshin për të tjerët, kur të gjithë mbylleshin në shtëpi me familjen për t’iu shmangur valës së pandemisë, ata ishin në zemër të vorbullës së saj.

Ata e lënë përherë familjen, kur të tjerët rendin drejt familjeve të tyre në ditë të vështira.

Pavarësisht kushteve, ata kanë arritur të sigurojnë parametra të sigurisë dhe rendit publik, që janë më të mirat në historinë e vendit dhe shumë pranë mesatareve europiane; kanë arritur të fshijnë njolla të mëdha nga portreti i Shqipërisë; kanë kontribuar thelbësisht që vendi të bëjë hapa të rëndësishëm drejt Europës.

Dhe në fakt janë po ata që kanë qenë edhe dje edhe pardje. Megjithatë diçka ka ndryshuar. Rrënjësisht. Dhe Policia e Shtetit ka funksionuar. Plotësisht.

Dhe një ndër arsyet themelore për këtë është fakti se ajo nuk vepron me urdhra, por vetëm me ligje.

Mjeranë udhë humbur kujtojnë se ende Policia vepron me urdhra, sipas modeleve të mbrapshta që kanë në kokat e tyre të mallkuara nga totalitarizmi. Në fakt, policia sot nuk merr urdhra për veprimet e saj operacionale. Jo. Ministri i Brendshëm nuk jep urdhra për veprimet operacionale.

“Urdhri” i saj i vetëm është ligji, përballë të cilit ajo duhet të jetë thjesht e verbër, për të mos bërë interpretime të tipit: ky është me rëndësi, ky është përtej ligjit, ky është mbi ligjin, ky është vetë ligji, ky është antiligji. Atë ditë që ne do t’i kërkojmë policisë që të bëjë vetë interpretime të ligjit, atë ditë vendi nuk ka më ligj.

Nga ana e tij, Ministri kujdeset që, së pari të japë me shembullin e tij një model të mirë të ushtrimit të përgjegjësisë publike, së dyti që policia të udhëhiqet drejt një kursi transformimi dhe modernizmi dhe, së treti, që ajo të mbikqyret gjatë plotësimit të misionit të saj ligjor në përputhje me interesin publik, ligjet dhe Kushtetutën.

Ka pasur këto ditë disa “skifterë” të shkretë, që e kanë kërkuar tek policia shënjestrën e tyre, duke harruar se ajo nuk vendos, as për ndërtimin dhe as për shkatërrimin e ndërtesave. Ka pasur disa syresh që nuk e kanë kursyer as dorën frikacake për të goditur ndaj vajzave dhe djemve të policisë.

Dhe pasi hedhin gurin, pasi mbarojnë me kapitullin e thirrjeve për revolucion e gjak, kalojnë paturpësisht tek ai i të drejtave të njeriut. Bërtasin si shpirtra të këqij për të drejtat e veta edhe përballë policëve, a thua se këta të fundit nuk janë njerëz, nuk janë qytetarë dhe nuk kanë të drejta.

Bërtasin pikërisht ata që nuk kanë pasur asnjë grimë turp e asnjë grimë humanizëm, kur kanë përshëndetur derdhjen e gjakut nga armët e shtetit në 2011. Pikërisht ata skutha, të pabesë e të pa Zot.

Njëri prej këtyre shprehej edhe kundër Ambasadës së SHBA, kinse ajo nuk paska mbajtur qëndrimin e duhur për shembjen e teatrit dhe ankohej se Amerika interesohet për vijimësinë e Shtetit Shqiptar!!!

Po! Fatkeqësisht po! Shqetësimi i tij ishte vijueshmëria e Shtetit Shqiptar.

Në të vërtetë, shqiptarët i janë përjetësisht mirënjohës Amerikës, pikërisht për këtë qëndrim “të ngurtë” dhe që nuk ndryshon kurrë, në mbështetje të vijimësisë së Shtetit Shqiptar, tashmë pjesë edhe e NATO-s.

Përgjatë tri dekadave të fundit ka pasur shumë tentativa për ta ndërprerë këtë vijimësi shtetërore, për t’i rrëzuar institucionet në emër të demokracisë. Kjo lojë tinëzare, e veshur me një mantel të rremë sloganesh “demokratike”, për fat të keq, ka dhënë edhe rezultate katastrofike.

Vijueshmëria e Shtetit Shqiptar, që në terma konkrete është vijueshmëria e institucioneve të tij, është interesi kombëtar numër një i shqiptarëve. Kontributi maksimal e pa kushte për këtë është detyra e çdo shqiptari, polici, ministri, kryeministri a presidenti.

Policia e Shtetit e ka kryer këtë detyrë shumë mirë gjatë kësaj periudhe. Ajo nuk është tërhequr, dhe as nuk është stepur përballë tentativave të rrezikshme kundër institucioneve të Shqipërisë. Dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë edhe më mirë, ndonëse ka po ata policë, që dikur edhe nuk kanë mundur ta bëjnë siç duhet detyrën e tyre.

Ka jo pak vetë që pyesin se si është e mundur kjo? Si është e mundur që të njëjtat struktura, me të njëjtit njerëz, që dikur shpërbeheshin, sapo të fillonin goditjet e para nga grupet e keqpërdorura, sot funksionojnë dhe bëjnë detyrën, pa tejkaluar kompetencat ligjore dhe pa derdhur gjak shqiptari? Është e thjeshtë përgjigja. Sot ata munden pikërisht sepse urdhrat nuk i marrin nga partia nëpërmjet ministrit, por nga Shqipëria nëpërmjet ligjit.

o.j/dita

Share This Article
11 Comments
  • Polici e përgatitur dhe ligjzbatuese pa mëdyshje, do të thotë Shtet i fortë. Ashtu si para ligjit, edhe para Policit të gjithë janë të barabartë, kur është rasti i shkeljes së ligjit. Ndonjëri bën të habiturin se si vallë iu hodhën sipër ashtu-gazetarit apo ashtu-gjithologut Alfred Lela?! Lëre që nuk ishte i mandatuar dhe as me shenjën njohëse të Gazetarit, por vete e merr guximin të ndërhyjë në veprimet e policisë me gjoja pretekstin se po “mbronte” një demonstruese. Policit duhet t’i qëndrosh larg dhe ta lejosh atë të kryejë detyrën e tij. nëse ai e kryen keq (që edhe ndodh) atëherë ka gjykim nga eprorët apo nga Ligji.

  • Policia ka vepruar shume drejt ne zbatim te ligjit,bile ka qene edhe tolerante ndaj disa veprimeve kriminale dhe antiligjore te protestuesve!
    Duhet te ishin arrestuar me flagrance organizatoret e protestes dhe te opozites,qe bene protesten pa leje dhe duke shkelur rregullat gjate pandemise!

  • O i ka shkelur ligjet e pandemise policia se besoj se i kane shkelur protestuesit dhe kur them policia them shteti se policia perfaqeson shtetin.Hidhini nje sy filmimeve dhe do te shihni shumicen e policeve pa maska (sepse kane ndegjuar dhe pare njeshin e tyre?megjithse ishin ngjitur me njeri tjetrin.

  • Policia e shtetit ne sherbim total dhe me zell te madh te atyre qe po rrenojne Shqiperine dhe po perzene shqiptaret nga trojet e te pareve.Ky eshte nje plan afatgjate GENOCIDI i Serbise dhe Greqise qe sherbetoret e zellshem antishqiptare po e zbatojne me perpikmeri.Kreret e politikes se vendit jane SHERBETORE te kesaj politike dhe shume shpejt,brenda 20 viteve ky vend nuk do quhet me Shqiperi por kushedi se c’emer kane pergatitur Athina dhe Beogradi.Populli i vdekur shqiptar vazhdon ne gjumin e perjetshem pa iu dridhur qerpiku.

  • Ve bast që nuk është kapteri i policisë Lleshi, ish gjeneral Sandri, por vetë bosi Edi Rama dora vetë, në rolin e tij të fundit si kryekapter policie që po u drejtohet bashkombasve të tij që i do kaq shumë! says:

    Ish gjeneral Sandri i graduar kapter Lleshi i policisë nga kryekusari i shqipëtarëve nuk ka aq tru sa të artikuloj këto mendime. Vini re me kujdes, shkrimi që i atribuohet kapter Leshit është artikulim i Edi Ramës dora e vetë, sepse përmbajnë artikulime standarte ramiste të tipit ” Vijushmëria e shtetit Shqipëtar, që në terma konkrete është vijushmëria e institucioneve të tij, është interesi kombëtar numër një i shqipëtarëve. Kontributi maksimal e pa kushte për këtë është detyrë e çdo shqiptari, polici, ministri, kryeministri e presidenti”. Njerëz, është Rama , është stili i tij i të artikuluarit dhe jo kapteri i policisë Lleshi që po u drejtohet! Kapter Lleshi nuk mund dhe nuk bën asnjë lëvizje pa urdhërin e bosit pa le të debatoj si politollog i rrahur në djallëzitë e arenës së ndotur politike shqipëtare.

  • Zoti Lleshaj ,nuk e lexova fare thenien tende se skemi nerva .E them kete se ne nje shtet perendimor ,ju te pakten duhet te kishit dhene doreheqjen ,e pastaj do vepronte ligji para gjykatave .Konkretisht pse e pshurni kushtetuten ,ku jemi ne diktature ?.Pres Meta e kishte lene para prishjes se teatrit letrat ne gjykate dhe simbas ligjit ,mbasi te vendoste gjykata ,bujrum te vepronit .Kjo eshte per tu lajthitur menc ,ju shkelni kushtetuten ,ju pershtyni gjygjtaret ,drejtesine .Kemi shkuar ne diktature ,a e kupton ,o oficeri i Enver Hoxhes se ja kini kaluar edhe babait tuah shpirteror ,te pakten Enveri i bente gjygjet ,qofte edhe fallc???Prandaj??

  • z, Sander Lleshi, nuk mundet kryetari i bashkise te ndermarre nje veprim te tille pa lejen tende. Mos harro se je nen kriteret e ligjit te jashtezakonshem per pandemine. S’me behet vone fare nese ruhej ndertesa qe ishte, nese do behet nje e re , nese do ta beje bashkia, qeveria apo ai kapitalisti qe do beje pallatet dhe do shkundi cigaren nga kati i 20 mbi tarracen e teatrit. Nqs ne rradhe te pare vinte interesi i shendetit te njerezve duhej te mos garantoje kete proçesin e prishjes se mund te sjelle deme te medha per proçesin e pandemise ku u bene aq sakrifica deri me sot. Ti ishe kryesori ne kete proçes z.minister dhe policet s’mund te perdoreshin si mish per top.

  • Sander Lleshaj eshte Nderi i Mirdites dhe i gjithe Shqiperise. Absolutisht Po. Lleshaj ka nje profil te qarte te nje burri shteti demokratik. E pra, kete figure e ka nxjerre Mirdita nga ajka e qumeshtit te saj, duke na dhene fuqi edhe ne te tjereve te besojme se shteti demokratik shqiptar do te ngrihet!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *