Teksa dëgjoja lajmin për grabitje me thyerje të vilave të deputetëve Ristani e Noka në Gjirin e Lalëzit, vetvetiu mendja më vajti: Vallë a ka qoftë dhe një deputet të vetëm që të jetojë në një shtëpi të vetme dhe në kushte normale si shumica e banorëve të vendit? Dhe po vetë iu përgjigja vetes: s’ma do mendja. Dhe jo vetëm kaq, po ka deputetë, pushtetarë, ish-pushtetarë, që ndonëse vijnë nga Tropoja, Kukësi, Skrapari, Devolli apo provinca që kanë jetuar në kushte të tilla që shumë syresh flinin edhe përdhe, tashmë nuk kanë vetëm një, por disa vila e jo vetëm në bregdet nga jugu në veri, por edhe në shumë vise të lakmuara që për fat janë të shumta në Shqipërinë tonë. Tashmë jam plotësisht i bindur se ligji 7501 nuk është produkt i përfaqësuesve të zgjedhur nga populli, por i një bande hajdutësh që synuan me ligj t’u grabisin pronën pronarëve të vërtetë e duke i mashtruar e mbajtur me shpresë këta të fundit me sloganin: “Duroni o të duruar se prona do t’i kthehet atij që i takon”. Dhe këta të gjorë nuk është puna se janë të duruar, por janë të qytetëruar, që megjithëse janë më të dëmtuarit, kurrë s’iu ka shkuar në mend për vetëgjyqësi, por gjithmonë kanë shpresuar në shtetin ligjor. Nisur nga të gjitha këto më forcohet akoma më shumë bindja se fatet e këtij populli kanë qenë në duart e një bande hajdutësh që dhe në qoftë se largohet Ali Baba me 40 hajdutët e vet nga pushteti, vjen në pushtet Baba Aliu me 40 hajdutë të tjerë. Megjithatë, le të shpresojmë, shpresa vdes e fundit. I.H., Elbasan.