Mirëdita dhe punë të mbarë. Doja t’ju njoftoja me këtë email se punonjësit e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza janë gjendur këto ditë përpara një surprize “të ëmbël” kur janë përballur me pagën mujore. U janë mbajtur nga rroga nga 12 mijë lekë të vjetra secilit. Kur kanë shkuar për të kërkuar sqarime – u është thënë që paratë u janë mbajtur si kontribute për përgatitjen e tortës së 100 vjetorit që u ekspozua në qendër të Tiranës.
Duket si shaka, por kjo është arsyeja që u është dhënë së paku 2 familjarëve të mi që punojnë aty. Nuk di të them nëse kjo “nismë” e çuditshme është përhapur në gjithë sistemin e shëndetësisë dhe në pjesën tjetër të administratës. Gjithashtu nuk është e sigurtë nëse ky lloj justifikimi është real, apo është një tjetër mënyrë për të vjelë të ardhura të munguara që duhen për vrimat pa fund të një arke shteti që konsumohet llahtarshëm për propagandë dhe efekte elektorale. Por dy familjarët e mi, kanë patur para mangët dhe u është dhënë kjo arsye. Është skandaloze, është tragji-komike nëse ka ndodhur, ju lutem verifikojeni.
Email nga adresa: [email protected]