Gjatë rrugës për në fshatin tim, Labovë, ndodhen shumë kroje. Por njëri prej tyre është i vaçantë. Jo vetëm nga vendi ku ndodhet, por sidomos nga emri që mban. Banorët e hershëm e kanë emërtuar “Kroi i Kallogresë”.
Ka shumë legjenda, këngë, shkrime e poezi për këtë krua. Dikush thotë se një kallogre, nga manastiri që gjendet aty pranë, gërmoi tokën dhe zbuloi aty ujë për të pirë bagëtia. Disa flasin për një kallogre që lau aty fëmijën e saj ilegal. Ka dhe nga ata që thonë se kallogreja aty e mbyti fëmijën. Dhe të tjerë thonë se…
Është fakt se këtë çezmë fshatarët e kanë ndërtuar e rindërtuar disa herë. Këtë e kanë bërë jo vetëm se aty shuanin etjen e freskoheshin gjatë rrugës për në fshat, por dhe sepse kroi mbart legjenda, këngë e vjersha që janë thurur gjatë viteve.
Ja, për shembull, si shkruan Apostol Duka për të:
“ Rrjedh e derdhet shtruar, i argjendtë,
Rrjedh e zhduket zalleve me nge,
Këtu mbeti, thuhet në legjendë,
Shamizeza grua, kallogre.
Këtu iku kallogreja, thonë,
Si një yll që zhduket në mëngjes.
Krua bënë njerëzit më vonë
Dhe i thanë: “Kroi i Kallogresë”.
Kroi rrjedh e dridhet si fëmijë
Dhe kushdo që shkon në ato vende,
Ndalet, sikur do aty të pijë
Dhimbjen e përmallur të një nëne”…
Amaneti
Babai im, para se të ndërronte jetë, më tha: “Dëgjo bir! Nëse do të kesh ndonjëherë mundësi, bën diçka edhe për Labovën. Aty ne tani nuk kemi më njeri nga tanët. Por mos harro se aty kemi lindur e jemi rritur dhe, mbi të gjitha, aty kemi eshtrat e të parëve tanë”.
Duke dashur të plotësoja amanetin, por dhe duke kujtuar gjithashtu fjalët e arta të të madhit Dritëro Agolli, që në pasthënien e librit tim “Labova, arsimi dhe arsimtarët saj”, ndër të tjera shkruan: “ Kur arrijmë në një moshë të thyer, jetojmë e mendojmë për rrënjët tona, për gjyshërit e stërgjyshërit; për fshatin, krahinën apo qytetin nga kemi dalë dhe kemi ardhur gjer më sot…”, tani që po shkoj dhe unë drejt të tetëdhjetave, mendova të bëja diçka për Labovën time të dashur.
Labova
Labova gjendet në të djathtë të rrugës Gjirokasër-Tepelenë, rrëzë malit të Odrijes.
Kur është zanafilla e jetës në Labovë, nuk dihet. Të dhënat e para të dokumentuara nga historia datojnë që në shekullin e pestë, ku thuhet se Labova në atë kohë numëronte mbi 100 shtëpi. Nga një regjistrim i vitit 1431, që konsiderohet dhe më i sakti dhe i besueshëm, Labova kishte 154 shtëpi me rreth 1100 banorë.
Labova e Madhe sot quhet dhe Labova e Zhapës, për nder të bamirësit të madh Vangjel Zhapa, që para pak kohësh u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Labova është fshat malor, rreth 700 metra mbi nivelin e detit. Shquhet për bukuritë e saj natyrore, me kroje, pemë e shumë lloje kafshësh e shpendësh të egra. Duket sikur Labova është ngritur aty për t’u dhënë njerëzve më shumë ushqim për shpirtin e për mendjen, sesa për barkun. Në Labovë, ndoshta më shumë se kudo në krahinë e më gjerë, është jetuar sipas fjalës së urtë: “Shit kalin e mëso djalin”.
Shkolla dhe gjuha shqipe në Labovë kanë qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Kështu, më 1860, me fondet e Zhapës hapet shkolla me 91 nxënës, në të cilën, përveç greqishtes, futet dhe shqipja. Vit pas viti shkolla u zgjerua dhe më 1875-1876 ka dhe një foshnjore me 108 fëmijë, 3 klasa qytetëse me 30 nxënës dhe 2 klasa gjimnazi. Më 1878, po me fondet e Zhapës, në Labovë hapet dhe një shkollë vajzash me 80 nxënëse.
Përpjekje për shkollën dhe gjuhën shqipe nuk rreshtën asnjëherë për labovitët. Shtysë të re mori kjo çështje pas Kongresit të Manastirit, më 1908. Dy vjet më pas, më 4 prill 1910, hapet në Labovë shkolla e parë shqipe.
Ngjarje e veçantë dhe me vlera të mëdha për Labovën, por jo vetëm, ishte çelja e kursit tremujor të aftësimit të mësueve të qarkut të Gjirokastrës në verën e vitit 1921. Në këtë kurs u kualifikuan 150 mësues, ndër ta dhe shumë labovitë.
Ka një fakt befasues, që nga hapja e shkollës së parё shqipe e këtej, Labova numëron mbi 200 arsimtarë, që, përqasur me numrin e familjeve, i takon më shumë se një mësues për çdo familje.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Labova u dogj dhe u rrafshua dy herë. Të parat që dogji lufta qenë shkollat. Por ato ishin edhe të parat që u rindërtuan pas luftës me punë vullnetare. Kështu, në dhjetor 1944 u hap shkolla fillore, ndërsa në vitin 1962 shkolla shtatëvjeçare e më pas, më 1988, shkolla e mesme e përgjithshme, së bashku me një konvikt për strehimin e nxënësve që vinin nga fshatrat për rreth.
Bisedë me Labovën
Labova ka folur gjithë jetën me labovitët. Edhe labovitët kanë qenë në bisedë të pandërprerë me të. Por sot biseda e Labovës me bijtë e saj është bërë disi e trishtuar. Si në braktisje. Shumica e njerëzve të saj janë larguar jashtë e brenda vendit. Edhe ata pak që kanë mbetur, vendas apo të ardhur, vështrojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Shumë shtëpi kanë mbetur bosh, të tjera janë rrëzuar plotësisht. Disa rrugë janë mbuluar nga ferrat dhe kalldrëmet karakteristike të fshatit po prishen vazhdimisht. Uji shkon nëpër rrugët e fshatit kuturu dhe lisat shekullorë të Odrijes janë prerë.
Në shkollën e Labovës, ku mesojnë fëmijët e tre fshatrave, sot nuk ka më shumë se dhjetë nxënës.
Vaji s’dëgjohet, por ndjehet. Kënga hymn e labovitëve për vendlindjen dëgjohet përherë e më rrallë.
“Labova një rrëzë mali,
Shokë ç’do na marrë malli,
Për të bukurën Odrije,
Gjithë lisa, gjithë hije…”
Megjithatë, kudo që janë labovitëtë, mendjen e kanë te Labova, te rrënjët e tyre.
Pyetja që lind natyrshëm
Po a do të lihet Labova në braktisje e harresë? Kurrsesi! Dyshuesit mendojne se “me sa duken bathët, janë larg pashkët”. Mosbesuesit mendojnë edhe më keq. Ndërsa unë jam optimist. Labova pret bijtë e saj ta rilindin, ta ringjallin. Kështu, shumë labovitë kanë filluar të ndërtojnë shtëpi të reja mbi themelet e shtëpive të vjetra të të parëve të tyre. Të tjerë botojnë libra e kujtime për Labovën. Ndërsa disa, edhe pse të pakët, sponsorizojnë për ndonjë ndërtim në Labovë.
Me këtë dëshirë edhe unë, ndër të tjera, sponsorizova për rindërtimin e “Kroit të Kallogrsë”. Por, fatkeqësisht, kroin pas disa kohësh e kishin prishur. Të them të vërtetën, më erdhi shumë keq dhe u mërzita. Kështë që m’u desh të sponsorizoja për të dytën herë. Eh, duket e pabesueshme, por ndodhi që një dorë e zezë dashakeqe ra përsëri mbi të.
Tani, përvç keqardhjes dhe mërzitjes, më shtohet dhe habia dhe pyes veten: Po me kroin ç’patën, xhanëm?!…
Po le të shpresojmë për më mirë në të ardhmen e afërt, siç thotë bashkëfshatari ynë, poeti Arben Duka:
“Labovë, o mall i rëndë,
Një shpresë më mban gjallë,
Do bëhesh siç ke qënë,
Një xhevahir i rrallë”.

Ajo eshte toke e bekuar dhe duhet kujdesur per te,
Vangjel Zhaba ngriti shkolla greke,per greqizimin e Laboves.Presidenti ulok, nuk ben mire qe e shpall Vangjel Zhaben nder i kombit,sepse ai eshte nder i kombit grek,pasurine e dha per Greqine,jo per Shqiperine.Pse nuk kujtojne mesuesin Koto Hoxhi,apo ju vrasin syte germat e gjuhes shqipe?
Shume mire beri dhe beri shume…. fshataret e fshatrave labe perballe e grabiten familjen e tij…
Epir ishte atehere… Shqiperi nuk kishte…. dhe ai e quan veten me te drejte epirot….
Plasni nga inati…. i shihni gjerat me te dhenat e sotme per ato vite….