Letër e nënshkruar
Skënder Dusha
Kohët e fundit, disa pseudointelektualë po përpiqen të nxjerrin në pah “kontributin” e Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zoti Uran Butka po mundohet kot që t’i japë lavdi të atit të tij, i cili për mendimin tim, ka qenë i paditur, sepse ky zotëri nuk pa që edhe shtetet fqinje ishin hedhur totalisht në anën e koalicionit antifashist, ndërsa ky, me disa bashibozukë, doli kundër kësaj lufte dhe përfundoi ashtu siç e di e gjithë Shqipëria.
Zoti Uran Butka dhe ish-ministri i Kulturës (pa kulturë), që nuk e dinë mirë historinë e Shqipërisë, të paktën të kishin lexuar zotin Rexhinald Hibert, misionar i parë i Anglisë pranë Lëvizjes Nacional Çlirimtare, Gabriel Partosh, analist për Evropën Juglindore, i cili thotë: “Enver Hoxha ishte diktator, por rreshtimi që ai i bëri Shqipërisë në anën e koalicionit fitues, bëri që të njihej Shqipëria si shtet në fund të Luftës së Dytë Botërore”, Peter Lukas (“Çështje shqiptare”), Bernd Fisher etj.
Mbas Luftës së Dytë Botërore, Enver Hoxha bëri një punë të paimagjinueshme për rimëkëmbjen e Shqipërisë me aksionet e rinisë për ndërtimin e rrugëve automobilistike, ngritjen e shkollave dhe spitaleve në çdo skaj të Shqipërisë, zhduku sifilizin, malarien dhe tuberkulozin, hapi universitetin e parë shqiptar me të gjitha degët e shkencës, bëri elektrifikimin e vendit etj.
Ne, brezi i aksioneve, vetëm në vitin 1947, me forcën e krahut brenda vitit çuam trenin e parë në Peqin dhe kështu me radhë e lidhëm Shqipërinë me rrjetin hekurudhor. Hidrocentralet tanë ishin me përmasa nga më të mëdhatë në botë. Sistemi i kaluar bëri vepra të paimagjinueshme, por bëri edhe gabime të rënda që dihen nga të gjithë, por edhe që na la pas Berishën, Nanon dhe nxënësit e tyre.