Thirrja që i bëhet opozitës dhe popullit që të votojmë këto tre ligje të bekuara (kemi nja 100 të tjera që janë votuar e nuk zbatohen) se kështu hyjmë në Europë, është në fakt një thirrje që na bëhet të gjithëve për të gënjyer kolektivisht Evropën se “Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për anëtar i BE”. Ajo që është shqetësuese në mentalitetin e Sali Berishës dhe ushtarëve të tij, është se këtë gënjeshtër e quajnë patriotizëm, kurse të vërtetën tradhti. Biles për ta bërë tërësisht qesharak aksionin e Berishës, Nishani (medemek presidenti!) e quajti miratimin e këtyre ligjeve, në një fjalim të mbajtur para disa drejtuesve të gjyqësorit në Shqipëri, si amanet të patriotëve që shpallën pavarësinë e Shqipërisë (!!). Më qesharak se kaq nuk mund të bëhet një shtet kur mbetet në duar të tilla.
Në fakt jo vetëm që nuk i plotësojmë kushtet, por viti 2012 është një hap i madh mbrapa nga çdo perspektivë për Bashkimin Evropian. Viti 2012 shndërroi Shqipërinë nga një republikë parlamentare me disa institucione që baraspeshonin pushtetin ekzekutiv, në një republikë berishiane, ku të gjithë pushtetet janë në duar të tij. Viti 2012 goditi rëndë idenë e ndarjes së pushteteve dhe kurorëzoi konfliktin mes institucioneve në kontroll të plotë mbi institucionet nga ana e qeverisë. Gjatë këtij viti Sali Berisha mori nën kontroll të plotë Presidentin, SHISH, prokurorinë dhe gjykatat dhe mjafton kaq që të kemi një regres thelbësor lidhur me kushtet e Bashkimit Evropian për një vend me pushtete të ndara, drejtësi të pavarur dhe institucione të forta.
Email nga adresa: [email protected]
