E nderuar DITA! Lexova në faqen tre të gazetës së datës 7.12.2014 se me rastin e ardhjes të z.Atifete, PD do të bëjë marifete se deputetët e saj me këtë rast do të futen një ditë në parlament për të ruajur vendin dhe pastaj do largohen edhe 6 muaj pa një ditë të tjera. Mirë që është gjetur forma nga vetë parlamentarët dhe është praktikuar edhe nga z.Nano, por pyetja ime është kjo: Mirë që do të ruajnë vendin bosh, po rrogë a duhet të marrin? Rroga e tyre milionëshe duhet të merret me punë, në grupet parlamentare, në seanca duke bërë luftë politike për të bërë ligje të qëndrueshme dhe jo duke bërë llogje klubeve. Është në nderin e parlamentit dhe e parlamentarëve që të jenë transparentë dhe të përgjegjshëm ndaj popullit që i zgjedh; ashtu siç përpiqen të ndryshojnë ligjet kushtetuese, le të ndryshojnë edhe ligjet apo rregulloret mbi bazën e të cilave funksionon parlamenti dhe afati gjashtë muaj pa një ditë le të bëhet që po mungoi një ditë të padeklaruar në punën për të cilën e ka zgjedhur populli, atij për atë ditë t’i pritet rroga, se ndryshe nuk vendoset disiplina në tempullin e demokracisë. Ai që punon për popullin, le të marrë para nga taksat që paguan populli, ata që punojnë mbrapsht jo vetëm të mos marrin para por të aplikohet edhe gjobë. Vetëm kështu i bëhet nder popullit, parlamentarizmit dhe drejtësisë.
Letër e nënshkruar,
Spiro nga Korça