Po shkatërrohet periferia luksoze e Butrintit

redaktor

Shkruan nga Ksamili Kristi Pinderi*

Fotot Eriona Cami dhe Naim Ajger

Vila romake në Diaporit është një prej shembujve më flagrantë se si trajtohet në Shqipëri trashëgimia kulturore.

Rrënojat e një banjoje romake në Diaporit, të një manastiri dhe gjurmët helenistike të këtij vendbanimi janë lënë të mbulohen nga shkurre, ferra dhe mbeturina. Kjo qendër arkeologjike të cilën arkeologët anglezë e kanë përdorur gjatë edhe për ngritje fondesh (duke e lidhur atë me Ciceronin dhe me një vizitë të tij, gjë që nuk u dokumentua dot) nuk ka as edhe një rrethim minimal që ta mbrojë atë nga kafshët apo nga banorë të zonave përreth. Më e rrezikuar është sidomos pjesa e mbetjeve helenistike si për shembull një fragment muri që përfundon në liqen e që ka filluar që tani të shkatërrohet siç mund ta shikoni në foton e dytë poshtë.

Pasi kanë mbijetuar për më shumë se 2000 vjet këto gjurmë të jashtëzakonshme të kulturës rrezikojnë të shkatërrohen nga indiferenca e shtetit e sigurisht dhe nga pakujdesia e banorëve përreth.

Arkeologët kanë dokumentuar të paktën tre periudha kryesore në Diaporit. Periudha helenistike lidhet me epokën e sundimit të Pirros, kryeqendra e të cilit nuk ishte fort larg prej aty. Ndryshe nga vende të tjera të kësaj periudhe vërejmë se në Diaporit kushdo që banonte aty nuk kishte nevojë për fortifikime gjë që tregon se si banorët kishin krijuar një lloj sigurie për shkak të prosperitetit nën Pirron.

Më tej në shekujt e parë pas Krishtit arkeologët tregojnë se vendbanimi i hershëm helenistik u shndërrua në një vilë romake të tipit rustica (një vilë fshatare e thënë me pak fjalë). Me kalimin e viteve ajo u zgjerua, në ambiente të veçanta pati dhe mozaikë, në të edhe sot mund të shikosh rrënojat e një banjoje romake (si pjesa e ngritur që shikoni në foton e parë, e cila ishte dhe objekti i parë që pa vetë Ugolini).

Zgjedhja për të përdorur Diaporitin ishte shumë e mençur, aq sa e bënte atë një vendbanim luksoz: përballë ka një pamje mahnitëse të liqenit të Butrintit dhe vetë Butrintin, ndërsa për shkak të gjeografisë vendi aty është natyralisht i mbrojtur.

Ndërsa rreth shekullit të 5-të u ndërtua një bazilikë që shërbeu si një vend peligrinazhi dhe u ndërtuan edhe ambiente ndihmëse që e bëjnë atë bazilikë të ketë format e para të një manastiri, ndoshta manastiri i parë i dokumentuar. Tre varre të vendosura Brenda bazilikës i përkasin tre martirëve lokalë. Kjo tregon dhe lidhjen e fortë të banorëve me kishën e parë. Vetëm në njërin prej atyre varrëve (që sot është i mbuluar me dhe, shkurre e mbeturina), u gjet fragmenti i një femuri njeriu.

Shumë religjoze është e gjithë kjo zonë, po të mendosh për gjurmët fetare brenda në Butrint si pagëzimorja madheshtore, por edhe sinagoga e zbuluar në qendër të Sarandës.

Por kujdes! Që të shkoni sot në Diaporit duhet të paguani një varkë e cila nuk të ofron asnjë lloj sigurie. “Ku janë komardaret e shpëtimit”, pyet pothuajse në panik Dona, një pjesëmarrëse nga Kosova në shkollën verore të multimedias që “Historia Ime” zhvilloi këtë javë në Ksamil. Udhëtimi nga Butrinti në Diaporit zgjat rreth 15-20 minuta por ndonëse është një përvojë jashtëzakonisht e bukur një guidë e tillë nuk figuron të jetë e rregullt. Madje dhe punonjës të parkut të Butrintit rezulton të mos kenë qenë atje asnjëherë në jetën e tyre!

I pari që shkeli në Diaporit ishte Ugolini në fund të viteve 20-të të shekullit të 20-të. Më pas, në vitet 90-të një ekspeditë arkeologjike angleze dhe shqiptare mundësoi gërmimet më të plota të vendbanimit në Diaporit. Pas përfundimit të atyre gërmimeve, siç e shikoni dhe në foto Diaporiti u braktis përfundimisht.

Autori i ketij shkrimi ka qene pjesemarres ne ekspeditat arkeologjike ne Diaporit ne fillim te viteve 2000

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *