Mes njerëzve të mirë e dashamirës, sigurisht ka dhe çibanë. Vetë fjala “konsensus” në demokracinë parlamentare është një thikë me dy presa. Sikur nesër të dëgjojmë, qoftë larg, se për interesa kombëtare duhet të qeverisni së bashku pozitë-opozitë, kush do bënte opozitën? Apo vetë ata që qeverisin?
Po sot kush është armiku? Krimi i organizuar, korrupsioni, klientalizmi që ushqejnë partitë të cilat në interes të tyre kërkojnë “konsensus”. Koha i imponon mazhorancës të qeverisë vetëm, pa frikë, duke respektuar Kushtetutën e Shqipërisë, duke respektuar parimin e një shteti demokratik parlamentar, e pse jo, duke i treguar vendin cilitdo qe tinëz këshillon apo abuzon me slogane aspak konstruktive e në dëm të Shqipërisë. Konsensusi nuk është kusht i funksionimit të demokracisë, por është pjekuri politike e aktorëve politikë të një vendi në rast se funksionon, pasi nuk mund të lejojmë kthimin në diktaturë për hir të “konsensusit”, aq më keq kur këtë konsensus e kërkon një person i inkriminuar deri në qelizat e tij, një person që për pushtet nuk respekton asnjë parim demokratik përveç diktaturës, një person që nuk e ka afruar kurrë këtë konsensus ndaj kundërshtarit të tij, një person që votuesit e përjashtuan nga zyrat e shtetit. Meraku i këtij personi është thjesht mbrojtja që kërkon të sigurojë nga drejtësia, e cila mund të vonojë akoma, por kurrë nuk do humbasë!
Faleminderit gazetës Dita!