Duke e menduar veten deputet në vitin e tretë, do të doja të bëja disa falenderime që më ngacmojnë shpirtin. Nga thellësitë e zemrës do të falenderoja kryetarin e partisë time (pronë e të cilit jam) që më vuri emrin në listën e sigurt. Me qetësi dhe shumë dashuri do falenderoja nga zemra Doktor Berishën për të gjitha sakrificat që ka bërë në jetë. Ka meritën që shumë nga ne na ka bërë pacientë kardiakë, por në sajë të reformës në shëndetësi jemi të lumtur që ilaçet i marrim pa lekë, dhe që kanë aq efektivitet sa shumë nga ne po rrallohen përditë. Doktorin dua ta falenderoj dhe për informimin e shpejtë nëpërmjet qytetarit dixhital. Një falenderim i veçantë i takon Doktorit për pasurimin e fjalorit të sharjeve në gjuhën shqipe.
Natyrisht nga foltorja e kuvendit do falenderoja partnerët ndërkombëtarë që na kanë asistuar për të hartuar ligje në forcim të shtetit ligjor dhe demokracisë, ku spikatin veçanërisht ndryshimet kushtetuese 2008 që na sollën në këtë derexhe. Zoti Lu dhe zonja Vlahutin si vazhduesit e të tjerëve para tyre meritojnë shumë falenderime për sakrificat e bëra; po qe se duan të mirën e këtij populli, të mos heqin dorë nga partneriteti me shkëlqesinë e tij Berisha.
Po të isha deputet do falenderoja sidomos grupin e zjarrit (jo ata që vranë para Kryeministris, se ata e kanë respektin e ish kryeministrit dhe vlerësimin maksimal nga gjykatat tona të pandikuara) në komisionin e ligjeve dhe gjetkë me Ristanin, Halimin, Bylykbashin, Nokën, Strazimirin etj, pa harruar benjaminin e Doktorit, Bashën. Por duke qënë deputet i çdo krahu unë do të falenderoja thellësisht punën e qeverisë deri më sot. Përjashto, Ballën, Braçen dhe Gramoz Ruçin që ja do detyra dhe dalin nga rreshti, të tjerët rrinë si lepuj përballë Berishës dhe Palokës. Një falenderim të madh do ta bëja për z.Meta si kryetar i Parlamentit për situatën delirante në sallën e parlamentit. Se desh harrova, një falenderim me shumë respekt e kam për Presidentin tonë të nderuar, që stemën e Republikës që përfaqëson e ka me flamur të bardhë e shqiponjë blu.
Por unë s’jam deputet, dhe si qytetar më dhimbset ky vend se ku është katandisur, e në të njëjtën kohë i përbuz të gjithë ata që e kanë sjellë jeten shoqërore, politike e ekonomike të këtij vendi në këtë gjëndje mizerabël.
Letër e nënshkruar,
Myfit Memaj
