Po të isha në vend të kryeprokurores së vendit, Ina Rama, në këto ditë të fundit para shkarkimit do bëja një veprim: do thërrisja në cilësinë e dëshmitarit kryesor të krimit të vrasjeve para godinës së qeverisë në 21 janar, kryeministrin në detyrë Sali Berisha. Sali Berisha plotëson gjithë kriteret e të dyshuarit kryesor në këtë ngjarje për disa arsye.
Arsyeja e parë nga pikëpamja ligjore është se ai rrëzoi publikisht brenda 24 orëve alibinë e ngritur për mos pasjen gisht në vrasje. Në orën 19.30 të datës 21 janar ai deklaroi se demonstruesit janë vrarë nga Edi Rama dhe njerëz të tij të porositur me armë pistoletë- kalibër i lehtë. Këtë deklaratë e ka bërë kur akoma asnjë plumb nuk ishte hequr nga trupat e viktimave dhe një drejtues politik i spitalit ushtarak u përzje në krijimin e kësaj alibie (kjo e bën më të besueshme ekzistencën e një alibie zyrtare të parapërgatitur për krimin).
Prokuroria provoi më pas se vrasjet ishin kryer nga gardistët dhe lëshoi urdhër arreste. Pas kësaj Sali Berisha ndryshoi qëndrim dhe filloi të justifikojë veprimet e Gardës. Ndaloi arrestimet e tyre duke dalë mbi ligjin dhe shpërbleu me nga një rrogë mujore gjithë efektivin e Gardës dhe policisë që morën pjesë në aksion, duke marrë kështu qëndrim tërësisht të kundërt me drejtësinë për këtë çështje. Vetërrëzimi i alibisë së ngritur në një krim, është provë se personi është i përfshirë në krim dhe përpiqet të fshihet.
Arsyeja e dytë përse Berisha duhet thirrur si i dyshuari kryesor për vrasjet e kryera, është skema dinamike e ngjarjes dhe mënyra se si u kryen vrasjet. Sali Berisha ka pranuar se ka qenë në zyrën e tij gjatë gjithë kohës. Kjo e detyron atë ligjërisht të jap shpjegime për çdo sekondë të kohës kur janë kryer vrasjet dhe të zbardhen gjithë telefonatat e tij. Lulëzim Basha dhe drejtori i policisë kanë qenë gjithashtu aty. Vrasjet janë kryer të gjitha në një hark të shkurtër kohor. Dy prej tyre sipas kamerave janë kryer nga i njëjti vend, nga kryeministria, brenda 5 sekondave, pra dy gjuajte të njëpasnjëshme. Momenti kur janë kryer ka qenë fundi i protestës kur njerëzit thuajse ishin tërhequr dhe nuk ka pasë asnjë arsye teknike për të urdhëruar vrasje. Vrasjet janë urdhëruar politikisht pasi vetëm Sali Berishës i interesonte një bilanc me viktima.
Arsyeja e tretë përse Berisha duhet pyetur si i dyshuari kryesor është artikulimi prej tij i ekzistencës së një puçi. Nëse jemi shtet karagjoz më kryeministër dhe prokurori karagjoze, okej. Por nëse pretendohet shtet që feston me të madhe 100 vjetorin atëherë kryeministri duhet të dorëzojë gjithë informacionin për ekzistencën e këtij puçi në prokurori, në rast të kundërt, kjo duhet konsideruar përpjekje për devijim të hetimeve për katër të vrarët dhe duhet të penalizohet.
Arsyeja e fundit përse Berisha duhet të thirret në prokurori është morale. Ai në gjithë jetën e vet nuk e ka përfillur kurrë drejtësinë dhe nuk ka pranuar të shkojë aty për të dëshmuar për asnjë ngjarje. Ai e ka injoruar atë institucion dhe për një vrasje politike në derën e zyrës së tij, vrasjen e Azem Hajdarit, ku ka disa pika të errëta të përfshirjes së tij në dinamikën e ngjarjes.
Ina Rama afërmendsh nuk do ta bëjë këtë. Por dikush do ta bëjë një ditë, kjo është e sigurtë. Sali Berisha do merret në pyetje si person kyç në zhvillimet tragjike të 21 janarit. Kur drejtësia për katër të vrarët do të vendoset, vetëm atëherë ky vend do të gjejë qetësi.